Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu pjesë e festimeve që e kthyen Elbasanin në kryeqytetin e Ditës së Verës

Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu iu bashkua sot festimeve të Dita e Verës në Elbasan, duke vizituar nga afër aktivitetet dhe stendat e ngritura në qendër të qytetit, ku prezantohen produktet tradicionale, zejet dhe gatimet karakteristike të zonës.

Gjatë vizitës së saj, Koçiu u ndal në stendat e zonave të mbrojtura të qarkut të Elbasanit, te panairi i zejeve dhe te përgatitja e ballokumeve, simboli më i njohur i kësaj feste.

Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu u shoqërua gjatë vizitës së saj në Elbasan nga kryetari i Bashkisë Gledian Llatja, deputetë të qarkut të Elbasanit, drejtuesi politik i qarkut Arbjan Mazniku, prefekti i qarkut Ilir Bejtja, si edhe kryetarja e Këshillit të Qarkut Ermira Urupi.

Prej disa ditësh Elbasani është kthyer në kryeqendrën e festimeve të Ditës së Verës, mes atmosferës festive, aktiviteteve kulturore dhe koncerteve që kanë mbledhur qindra qytetarë nga të gjitha trevat shqipfolëse, por edhe turistë të huaj.

Festimet kanë nisur zyrtarisht më 9 mars, me një agjendë të pasur aktivitetesh për qytetarët dhe vizitorët, ndërsa qyteti ka veshur dekorin pranveror dhe atmosfera e festës ndihet në çdo lagje të tij.