Zyrat e e-Shërbimeve, asistencë për qytetarët në çdo hap të aplikimeve
Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, ka vizituar zyrat e e-Shërbimeve, ku u njoh nga afër me punën që stafi kryen çdo ditë në mbështetje të qytetarëve për marrjen e shërbimeve online dhe kryerjen e aplikimeve në portalin e-Albania.
Gjatë vizitës, Llatja pa nga afër procesin e asistimit të qytetarëve, duke u ndalur veçanërisht te shërbimi që u ofrohet pensionistëve dhe bashkëqytetarëve të rikthyer nga emigracioni gjatë periudhës së pushimeve. Stafi i E-Shërbimeve i asiston qytetarët në çdo hap të procesit, duke synuar që aplikimet të kryhen sa më shpejt dhe lehtë.
“Shërbimet duhet të jenë sa më pranë qytetarëve dhe çdo qytetar që ka nevojë për asistencë duhet ta marrë atë në mënyrë të shpejtë dhe pa kosto”, u shpreh kryetari Llatja gjatë vizitës.
Zyrat e E-Shërbimeve janë në dispozicion të qytetarëve pranë ASHK-së, në rrugën “28 Nëntori”, si edhe pranë Bashkisë Elbasan, në rrugën “11 Nëntori”. Asistenca për përdorimin e portalit e-Albania ofrohet gjithashtu në të gjitha njësitë administrative të Bashkisë Elbasan, duke e bërë shërbimin më të aksesueshëm për çdo qytetar.