Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 10 Dhjetor 2021

75 vjet nga krijimi i Shërbimit Zjarrfikës në Elbasan

Është përkujtuar në ambjentet e Repartit të Zjarrëfikëses 75 vjetori i Krijimit të këtij shërbimi në Bashkinë e Elbasanit.

Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë përfaqësues të Qarkut të Elbasanit, ku kryetari i Bashkisë Z. Gledian Llatja, shprehu mirënjohje për heronjtë e zjarrit, ndërsa vlerësoi gadishmërinë e efektivëve të këtij reparti, të cilët kanë ndërhyrë jo vetëm në raste zjarresh, por edhe duke treguar edhe heroizëm në shpëtimin e jetëve të njerëzve. 

Në fjalën e tij përshendetëse, kryetari i Bashkisë shtoi se “më shumë se dy vite, kemi kaluar shumë sfida bashkë, ndaj falenderimi shkon për të gjithë ju, për punën e mirë, përkushtimin, për praninë tuaj në kohë rekord të të gjithë problemeve ndaj qytetarëve, por mbi të gjitha për gadishmërinë maksimale që ju keni treguar në raste zjarresh dhe jo vetëm.

 Ju , keni ndërhyrë në çdo kohë, në çdo orë, dhe jo vetëm në territorin e Bashkisë, por edhe më tej. Ndaj, unë si Kryetar i Bashkisë së Elbasanit, por edhe i gjithë qyteti, ju vlerëson dhe ju falenderon.

 Do të jemi gjithmonë në krahun tuaj, do t’ju mbështesim gjithmonë, pasi qyteti ndjehet shumë mirë, dhe shumë herë më i qetë, kur ju jeni mirë, dhe në gadishmëri!

 Në bashkëpunim me të gjithë bashkitë e qarkut ne do të bëjmë punë të mira, me qëllim menaxhimin e të gjitha situatave të zjarrit por edhe të emergjencave, si edhe fatkeqësive, ku nuk mund të harrojmë ndihmën që i keni dhënë edhe banorëve të zonave të tërmetit, por edhe çdo qytetari të Elbasanit”.

Në vijim, Z. Llatja i ka dorëzuar titullin  e Mirënjohjes së qytetit katër efektivëve të Repartit të Zjarrëfikëses, Enver Gjepa, Agron Balla, Qerim Shadini, dhe Arsen Dervishi, me motivacionin “ Për kontributin e dhënë me profesionalizëm e përkushtim në shuarjen e zjarreve dhe shpëtimin e jetëve të njerëzve”.

Në datë 9 dhjetor të vitit 1946 në Bashkinë e Elbasant u krijua Shërbimi i Zjarrëfikëses, fillimet e të cilit kanë nisur në reparte dhe uzina pune. Ky shërbim deri në vitin 2001 ishte në vartësi të Ministrisë së Brendshme. Në vitin 2002 Shërbimi Zjarrëfikëses kaloi në kompetencë të Prefekturës së Elbasanit, dhe më pas nën administrimin e Bashkisë.

Heronjtë e flakëve, shërbejnë pa orar në mbrojtje të jetëve, mjedisit dhe pronës!

Respekt dhe mirënjohje për të gjithë punonjësit e shërbimit zjarrfikës të Elbasanit që kanë shërbyer ndër vite.