Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Evente

” Funar Fest”, perla turistike për vendasit dhe të huajt.

Koncert festiv, prodhime bio, xhirot me kanoe në liqenet e bukura të Funarit, piknik në lëndinat e kësaj perle turistike, të gjitha këto aktivitete janë realizuar në ” Funar Fest”.  

Qindra qytetarë nga Elbasani e jo vetëm, por edhe shumë të huaj, kanë shijuar natyrën e pastër dhe plot bukuri, në festën e Funarit.  

Shumë të rinj, mes të cilëve edhe vetë Kryetari i Bashkisë Z.Gledian  Llatja, Ministria e Arsimit dhe Sportit Zj. Evis Kushi, kanë pritur miqtë në këtë festë të kthyer tashmë në traditë në Bashkinë e Elbasanit.  

”  Qytetarët janë njohur me Funarin, zonën e  pasur me pyje të shumëllojshme, me liqene të pastra dhe me një natyrë thuajse të pashfrytëzuar, Funari është një nga bukuritë më të rralla të Bashkisë Elbasan, por edhe të vendit. ” Funar Fest” është kthyer në një traditë të bukur në perlën turistike të Elbasanit”, tha në fjalën e tij Z. Gledian Llatja.  

” Shijuam natyrën fantastike, produktet bio të zonës, koncertin festiv dhe xhirot me kanoe në liqenet e bukura të Funarit . Vizioni ynë është ta kthejmë Funarin dhe Elbasanin në një atraksion për turistët e huaj dhe vendas, si dhe në një destinacion për turizmin sportiv dhe të aventurës”, shtoi ai.  

Funari, një një nga perlat turistike thuajse të virgjëra të qytetit të Elbasanit, ndodhet rreth 20 kilometra larg.  

Funari, është një zonë e pasur me pyje dhe me katër liqene apo rezervuarë të ndara, dy brenda fshatit dhe dy të tjerë të fshehur pas nga malet që e rrethojnë atë.  

 Vetëm disa vite më parë Funari thuajse ishte i harruar për nga vetë infrastruktura, thuajse e amortizuar dhe përrreth një orë që mund të shkosh sot, dikur duheshin më shumë se tre orë të mbërrije në destinacion.  

” Maja e Korrës, në Funarin e resurseve dhe turizmit të mrekullueshëm, shumë shpejt do të kthehen në një destinacion turistik për sportet e aventurës në Shqipëri dhe Rajon. Shumë shpejt do të marrë formë ambicia jonë për ta shndërruar këtë perlë mahnitëse natyrore në pikën më të rëndësishme turistike për sportet e aventurës në Shqipëri dhe rajon”, shton kryebashkiaku Gledian Llatja.  

 Dikur kur ishte Komunë, edhe pse me një zhvillim të blektorisë por edhe mbarështrimit të peshkut, rrallë turistët vendas por dhe të huaj e vizitonin Funarin, ndërsa vitet e fundit me marrjen nën administrim të Bashkisë së Elbasanit, kjo zonë është bërë tepër e vizitueshme.  

 Ishte një iniciativë e Bashkisë së qytetit, që Funarit ti jepte atë që me të vërtetë meritonte, emrin, ” Funari Turistik”.    

 E pasur me pyje pishash dhe dushku Funari ofron një klimë të shëndetshme që nëse i shtojmë edhe gatimet tradicionle të zonës bëhet vendi ideal për të kaluar fundjavat.  

75 vjet nga krijimi i Shërbimit Zjarrfikës në Elbasan

Është përkujtuar në ambjentet e Repartit të Zjarrëfikëses 75 vjetori i Krijimit të këtij shërbimi në Bashkinë e Elbasanit.

Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë përfaqësues të Qarkut të Elbasanit, ku kryetari i Bashkisë Z. Gledian Llatja, shprehu mirënjohje për heronjtë e zjarrit, ndërsa vlerësoi gadishmërinë e efektivëve të këtij reparti, të cilët kanë ndërhyrë jo vetëm në raste zjarresh, por edhe duke treguar edhe heroizëm në shpëtimin e jetëve të njerëzve. 

Në fjalën e tij përshendetëse, kryetari i Bashkisë shtoi se “më shumë se dy vite, kemi kaluar shumë sfida bashkë, ndaj falenderimi shkon për të gjithë ju, për punën e mirë, përkushtimin, për praninë tuaj në kohë rekord të të gjithë problemeve ndaj qytetarëve, por mbi të gjitha për gadishmërinë maksimale që ju keni treguar në raste zjarresh dhe jo vetëm.

 Ju , keni ndërhyrë në çdo kohë, në çdo orë, dhe jo vetëm në territorin e Bashkisë, por edhe më tej. Ndaj, unë si Kryetar i Bashkisë së Elbasanit, por edhe i gjithë qyteti, ju vlerëson dhe ju falenderon.

 Do të jemi gjithmonë në krahun tuaj, do t’ju mbështesim gjithmonë, pasi qyteti ndjehet shumë mirë, dhe shumë herë më i qetë, kur ju jeni mirë, dhe në gadishmëri!

 Në bashkëpunim me të gjithë bashkitë e qarkut ne do të bëjmë punë të mira, me qëllim menaxhimin e të gjitha situatave të zjarrit por edhe të emergjencave, si edhe fatkeqësive, ku nuk mund të harrojmë ndihmën që i keni dhënë edhe banorëve të zonave të tërmetit, por edhe çdo qytetari të Elbasanit”.

Në vijim, Z. Llatja i ka dorëzuar titullin  e Mirënjohjes së qytetit katër efektivëve të Repartit të Zjarrëfikëses, Enver Gjepa, Agron Balla, Qerim Shadini, dhe Arsen Dervishi, me motivacionin “ Për kontributin e dhënë me profesionalizëm e përkushtim në shuarjen e zjarreve dhe shpëtimin e jetëve të njerëzve”.

Në datë 9 dhjetor të vitit 1946 në Bashkinë e Elbasant u krijua Shërbimi i Zjarrëfikëses, fillimet e të cilit kanë nisur në reparte dhe uzina pune. Ky shërbim deri në vitin 2001 ishte në vartësi të Ministrisë së Brendshme. Në vitin 2002 Shërbimi Zjarrëfikëses kaloi në kompetencë të Prefekturës së Elbasanit, dhe më pas nën administrimin e Bashkisë.

Heronjtë e flakëve, shërbejnë pa orar në mbrojtje të jetëve, mjedisit dhe pronës!

Respekt dhe mirënjohje për të gjithë punonjësit e shërbimit zjarrfikës të Elbasanit që kanë shërbyer ndër vite.