Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Elbasani rikthen shijen e traditës, nesër nis Festa e Tavës së Elbasanit

Një ditë kushtuar kulinarisë, kulturës dhe trashëgimisë së qytetit, me ekspozita, muzikë, aktivitete artistike dhe degustimin e simbolit gastronomik të Elbasanit

Elbasani bëhet nesër qendra e traditës dhe shijeve autentike, me çeljen e Festës së Tavës së Elbasanit, një aktivitet që i kushtohet një prej simboleve më të njohura të qytetit dhe një prej vlerave që është trashëguar brez pas brezi.

Më 15 korrik, në Sheshin Gensher, qytetarët dhe vizitorët do të kenë mundësinë të bëhen pjesë e një dite të mbushur me kulturë, traditë dhe atmosferë festive, ku në qendër do të jetë tava karakteristike e Elbasanit, një gatim që prej vitesh përfaqëson mikpritjen dhe identitetin kulinar të qytetit.

Programi i aktivitetit do të nisë në orët e paradites, nga 10:00 deri në 13:00, me një sërë aktivitetesh që sjellin në vëmendje historinë dhe traditat e Elbasanit. Një ekspozitë fotografike do të prezantojë momente dhe pamje nga trashëgimia e qytetit, duke sjellë përmes fotografive kujtesën e brezave dhe vlerat kulturore të zonës.

Pjesë e programit do të jenë edhe aktivitetet artistike, ku do të interpretojë Ansambli i Qytetit, ndërsa atmosfera festive do të pasurohet me performancën e Brikel Guga.

Në mbrëmje, nga ora 19:00 deri në 22:00, festa do të vijojë me muzikë, kulturë dhe aktivitete të tjera, duke krijuar një hapësirë ku tradita bashkohet me energjinë e qytetit.

Një moment i veçantë i kësaj feste do të jetë degustimi i Tavës së Elbasanit, një mundësi për qytetarët dhe vizitorët që të shijojnë një nga gatimet më përfaqësuese të kuzhinës elbasanase.

Festa e Tavës së Elbasanit vjen si një ftesë për të gjithë për të festuar atë që qyteti ka më të bukur traditën, shijen, kulturën dhe mikpritjen.

Një festë ku e shkuara takohet me të tashmen dhe ku një recetë e trashëguar ndër vite vazhdon të bashkojë njerëzit rreth tryezës së Elbasanit.