Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Evente

Muzeu Etnografik, hap ekspozitën “Mbështetja e patriotëve elbasanas për krijimin e shtetit shqiptar”

Në prag të festave të Nëntorit, të Shpalljes së Pavarësisë Muzeu Etnografik, mirëpret të gjithë qytetarët, turistë vendas dhe të huaj, të vizitojnë nga afër ekspozitën e hapur me rastin e festive.

Në ambjentet e Muzeut Etnografik, të pranishmit do të shohin nga afër ekspozitën me foto e cila do të qëndrojë hapur gjatë 28 dhe 29 nëntorit, me tematikë “Mbështetja e patriotëve elbasanas për krijimin e shtetit shqiptar”.

Bashkia vlerëson me titullin “Mirënjohja e qytetit”, ikonën e konematografisë  shqiptare Luiza Xhuvani

Aktorja, ikona e vërtetë dhe mjaft e dashur për mbarë publikun kombëtar, Luiza Xhuvani, është nderuar nga Bashkia e Elbasanit me titullin “Mirënjohja e Qytetit”, me motivacioni “Për kontributin e shquar në teatër dhe kinematografi, e cila me interpretimin mjeshtëror dhe orgjinalitetin e saj ka spikatur, duke fituar kështu zemrat e publikut mbarë shqiptar”.

Aktorja bashkë me një kastë të zgjedhur aktorësh prej disa ditësh ka mbushur sallën e teatrit “Skampa”, nën interpretimin e shfaqes “Zyshë e dashur”, ku ajo intepretonte rolin kryesor.

 Mes emocioneve të publikut në sallë, aktorja Luiza Xhuvani, ka falenderuar artëdashësin elbasanas i cili e ka mirëpritur sa herë që ajo ka performuar në skenën e tetatrit “Skampa”, ndaj dhe ky cmim vjen si një dhuratë e vyer për të. Një falenderim ajo e ka bërë edhe për kryetarin e Bashkisë së Elbasanit Gledian Llatja, si edhe mbarë qytetin e Elbasanit.

Luiza Xhuvani aktore e sukseshme e teatrit dhe kinematografisë, e ka nisur karrierën e saj si aktore filmi që kur ishte student. Filmi i cili e bërë atë të njohur dhe të dashur për publikun shqiptar, ishte filmi “Flutura në kabinën time”, rol i cili e vlerësoi me kupën “Aktore më e mirë”.

Nga viti 1991 e në vazhdim, aktorja Luiza Xhuvani kishte një bashkëpunim të suksesshëm me regjizorin Gjergj Xhuvani (ish bashkëshorti), nën drejtimin e të cilit interpreton një sërë filmash.

Luiza Xhuvani, ka një jetë në skenën shqiptare, ndaj mund të thuhet se profesioni i saj si aktore është edhe identiteti i saj jetësor.

Tradita Vazhdon!

Tradita Vazhdon!

Të premten, në datë 27 tetor , ju mirëpresim në Labinot Mal!

Së bashku në festën e gështenjës, e cila është kultura kryesore në Labinot Mal!

Të promovojmë së bashku produktet bujqësore të zonës malore!

Workshop-i “Transformimi i ndryshimeve klimatike një sfidë e përbashkët e Ballkanit Perëndimor, Europës dhe mbarë.”

Fjala e Kryetarit të bashkisë Z. Gledian Llatja

Të nderuar ministra, ambasadorë, partnerë e bashkëpunëtorë të bashkisë së Elbasanit,

Zonja dhe zotërinj, Mirë se erdhët në qytetin e bukur të Elbasanit, një qytet që jo vetëm është i mbushur përplot histori, por edhe sheh përpara drejt një të ardhmeje të qëndrueshme e gjithë jetë. Është një nder i padiskutueshëm për mua, si kryetar i bashkisë së Elbasanit, t’ju uroj një mirëseardhje të ngrohtë të gjithëve ju që jeni bashkuar sot me ne për këtë takim të rëndësishëm, organizuar me mbështetjen e TAIEX-it. Jemi të lumtur që jeni me ne dhe entuziastë për potencialin e shkëlqyer që shtrihet përpara si pjese e programit “Qytetet neutrale ndaj klimës dhe inteligjente” për t’u shndërruar në qytete me ndikim asnjanës në klimë, ku ka ajër të pastër, transport më të sigurt dhe më pak mbingarkesë e zhurmë për qytetarët e tyre.

Një qytet i bekuar me trashëgimi të pasur historike dhe një të ardhme të ndritshme, Elbasani ka një pozitë gjeografike vërtet unike.

Historia e tij i ka rrënjët në shekullin II para Krishtit, ndërsa gjurmët e origjinës së qytetit shkojnë pas deri në vendbanimet e lashta ilire. Në shekullin II, qyteti njihej si “SKAMPA” e, më vonë, si “SKAMPINI”. I ndodhur në kryqëzimin e rrugëve tregtare Veri-Jug dhe Lindje-Perëndim, Elbasani arriti të shndërrohej në një vendkalim kyç, duke u kthyer në një qendër të begatë urbane, ushtarake dhe fetare. Kjo histori mbresëlënëse shpjegon lidhjet e qytetit të rrënjosura thellë në antikitet dhe trashëgiminë e tij të përhershme.

Bashkia e Elbasanit është një zonë e larmishme dhe komplekse. Ajo përfshin një sipërfaqe të madhe prej 872 03 km², ku jetojnë afro 140 000 banorë.

Qyteti i Elbasanit shërben si qendra kryesore urbane, me 60% të popullsisë, ndërsa pjesa tjetër e banorëve janë të shpërndarë në një sërë njësish të tjera administrative, përfshi në terrene të thyera malore. Kjo larmi demografike e gjeografike paraqet sfida të veçanta për qeverisjen dhe ofrimin e shërbimeve. Përveç kësaj, bashkia është qendër shumë e rëndësishme ekonomike, që përfshin një gamë industrish të rënda dhe Parkun Kombëtar të Gjinarit, duke ofruar mundësi qoftë për turizmin natyror, ashtu edhe atë kulturor. Administrimi efektiv i këtyre elementeve të shumëllojshme kërkon strategji të përshtatura, që garantojnë zhvillimin e qëndrueshëm dhe mirëqenien e të gjithë banorëve.

Sot, Elbasani qëndron në prag të një epoke të re transformuese, përmes hapave të qëndrueshme dhe miqësore me klimën. Duke marrë frymëzim nga roli i tij historik si një kryqëzim dhe qendër urbane jetike, qyteti aspiron tanimë të ripërcaktojë vetveten si model përtëritjeje dhe si udhëheqës në aspektin mjedisor. Përmes bashkëpunimit me bashkitë homologe të BE-së, Elbasani mund të grumbullojë ekspertizë të pasur, një mori burimesh dhe praktikat më të mira për të rritur gjallërinë e tij urbane. Qytetet e BE-së ofrojnë informacione të vlefshme rreth zhvillimit të një infrastrukture të qëndrueshme, transportit ekologjik dhe planifikimit urban rezistent ndaj klimës. Me anë të kësaj mbështetjeje, Elbasani do të rifitojë pozicionin e tij kyç, jo vetëm si qendër historike, por edhe si shembull qëndrueshmërie e ndërgjegjësimi mjedisor, duke i dhënë formë një të ardhmeje të ndritshme, ndërkohë që ruan të shkuarën e tij të pasur.

Takimi për të cilin jemi mbledhur sot është një hap vendimtar në rrugën tonë të përbashkët drejt një të ardhmeje më premtuese e më të qëndrueshme. Ky është një mision që bën bashkë autoritete vendore, qytetarë të angazhuar, biznese, investues të përkushtuar dhe mbështetjen e autoriteteve kombëtare, që kanë të njëjtën aspiratë: të sjellin në jetë të paktën 100 qytete me ndikim asnjanës në klimë, deri në vitin 2030. Në këtë grup të shquar, jemi tejet krenarë që shohim Elbasanin, si një prej qyteteve kryesuese të kësaj përpjekjeje.

Të mbledhur këtu për këtë takim shumë të rëndësishëm, kemi pritshmëri të larta për shkëmbimin e paçmuar të njohurive e përvojave mes qyteteve partnere të BE-së. Besojmë se, duke ndarë histori suksesi dhe praktikat më të mira nga qytete të tjera që kanë nisur rrugëtimin drejt ndikimit asnjanës në klimë, mund të marrim frymëzim dhe orientim për vetë rrugën që Elbasani ka përpara. Identifikimi i nismave dhe strategjive që kanë sjellë rezultate të frytshme në mjedise të ngjashme është kyç për të ecur përpara. Përballja efektive me sfidat është përparësi dhe ne presim me padurim të angazhohemi në diskutime të hapura, të orientuara drejt zgjidhjeve, me partnerët tanë të shquar dhe ekspertët e fushës.

Këtu, në Elbasan, zotërojmë potencialin për t’u kthyer në udhëheqës të neutralitetit klimatik në Ballkanin Perëndimor, sidomos përmes zbatimit të një larmie nismash të qëndrueshme. Programi “Qytetet neutrale ndaj klimës dhe inteligjente” jo vetëm cakton objektiva ambicioze, por, po ashtu, nxjerr në pah rëndësinë e veprimeve konkrete dhe praktike. Ne jemi të vetëdijshëm që, për t’u arritur, këto objektiva kanë nevojë për burime financimi nga drejtime të ndryshme, si nga sektori privat, ashtu edhe ai publik dhe ne jemi tërësisht të përkushtuar për t’i siguruar ato, që t’i kthejmë aspiratat tona në realitet.

Bashkia e Elbasanit ka një përkushtim të plotë dhe angazhim aktiv drejt këtij objektivi ambicioz. Dedikimi ynë shfaqet qartë në përgatitjet që vazhdojnë për një raport i cili do të paraqesë gjetjet tona lidhur me aktorët, përfshirjen qytetare, parashikimet financiare dhe ekonomike, si dhe përparësitë kryesore që do të drejtojnë hapat tona në të ardhmen.

Bashkia e Elbasanit ka marrë një sërë masash themelore, për të rritur efikasitetin dhe për të siguruar një bashkërendim efektiv. Në bashki, kemi ngritur një grup pune për këtë mision. Po përcaktojmë në mënyrë aktive rolet dhe kompetencat e këtij grupi, për të siguruar zbatimin e masave pa asnjë pengesë. Po kështu, jemi të kënaqur që kemi mbështetjen e Institutit të Studimeve Urbane, një institucion i njohur për përvojën e pasur që zotëron me nismat për ndryshimin e klimës, përpjekjet për ruajtjen e mjedisit dhe zhvillimin e infrastrukturës kryesore teknike.

Ashtu si shumë qytete të tjera në Ballkanin Perëndimor, Elbasani përballet me kufizime në fonde, kur vjen fjala për financimin e projekteve të klimës nga të ardhurat e veta. Megjithatë, përkushtimi ndaj zbatimit të këtyre nismave mbetet i palëkundur. Përveç partneritetit me programin, jemi përfshirë në mënyrë aktive në përpjekje bashkëpunimi me donatorë të nderuar, përfshi programe të tjera të BE-së, si dhe për të siguruar fonde në bazë të meritës nga qeveria qendrore. Këto partneritete shërbejnë si burime themelore të mbështetjes financiare, që është jetike për realizimin e ndryshimeve të nevojshme.

Ne jemi angazhuar në mënyrë aktive në përpjekjen komplekse për përballimin e sfidave mjedisore dhe që lidhen me klimën. Këto përpjekje të mbështetura nga disa donatorë përfshijnë projekte për rritjen e rezistencës brenda ekosistemit lokal për të luftuar efektet e ndryshimit të klimës, hartimin e planeve të veprimit për klimën dhe energjinë e qëndrueshme, me qëllim uljen e emetimeve, identifikimin dhe përcaktimin e hartës së zonave të nxehta mjedisore, për të luftuar ndotjen dhe për të përmirësuar shëndetin publik,  nxitjen e zbatimit të lëvizjes me mjete elektrike me karbon të ulët dhe nxitjen e praktikave të menaxhimit të qëndrueshëm të burimeve natyrore, duke u përqendruar veçanërisht te forcimi i ekonomisë lokale duke e bërë sektorin turistik më të qëndrueshëm përmes zhvillimit të infrastrukturës dhe institucionalizimit. Këto projekte dëshmojnë përkushtimin që ka Elbasani ndaj qëndrueshmërisë, ruajtjes së mjedisit dhe uljes së emetimeve, çka nxjerr në pah vendosmërinë e tij për një të ardhme më rezistente dhe miqësore me ekosistemin.

Sidoqoftë, ne e dimë se nuk mund të ecim të vetëm në rrugën tonë drejt një të ardhmeje më të qëndrueshme. Është përpjekja e përbashkët, angazhimi i patundur i gjithë komunitetit tonë dhe përfshirja aktive e aktorëve që do të nxitë ecjen tonë përpara. Ne jemi gati të bashkëpunojmë dhe ftojmë të gjithë qytetarët, bizneset, organizatat dhe partnerët tanë të bëhen aktorë të pandarë të këtij misioni transformues. Ne jo vetëm i çmojmë pikëpamjet, idetë dhe kontributet tuaja, por ato janë vetë thelbi i përparimit tonë. Ju ftojmë të jeni aktivë, të ndani pikëpamjet tuaja të vlefshme dhe të bëhemi bashkë ndërsa nisim këtë rrugëtim entuziazmues. Së bashku, mund të ndërtojmë një të ardhme më rezistente e miqësore me mjedisin për Elbasanin.

Në mbyllje, Elbasani është plotësisht i vendosur për të dhënë një kontribut të rëndësishëm në Misionin për Qytete me Ndikim Asnjanës në Klimë dhe Qytete Inteligjente. Përmes bashkëpunimit, novacionit vendosmërisë së përbashkët, synojmë të udhëheqim rrugën drejt qyteteve të qëndrueshme dhe me ndikim asnjanës në klimë. Ju bëj thirrje të gjithëve ju pjesëmarrësve në takim të jeni aktivë, të ndani idetë tuaja të vlefshme dhe të bashkoheni me ne në këtë udhëtim entuziazmues.

Çdonjëri këtu ka një rol jetik për të luajtur. Përfshihuni, jepni kontribut dhe ndani ekspertizën tuaj ndërsa punojmë së bashku për t’i dhënë formë një të ardhmeje të qëndrueshme, rezistente dhe të ndërgjegjshme për mjedisin. Duke bashkuar forcat, mund të transformojmë jo vetëm Elbasanin, por edhe të tjera qytete të Ballkanit Perëndimor në qytete me ndikim klimatik asnjanës.

Ju falemnderit që jeni këtu dhe uroj për të gjithë ne një takim produktiv e transformues.

Ju falemnderit.

Ceremonia e diplomimit të maturantëve: Llatja- E ardhmja e rinisë është në vendin e tyre

Për herë të parë në Elbasan me mbështetjen e Kryetarit të Bashkisë Z. Gledian Llatja është organizuar ceremonia e diplomimit të maturantëve të qytetit.

Qindra maturantë mes emocionesh mbushën kalanë e Elbasanit ndërsa shprehën mirënjohje për mësuesët e tyre, prindërit e padyshim për Bashkinë e Elbasanit e cila çdo ditë e më shumë punon për përmirësimin e infrastrukturës së shkollave, jetës në qytet dhe ka një vëmendje të shtuar në angazhimin e të rinjve në vendimmarjet e rëndësishme.

Në ceremoninë e diplomimit të maturantëve të Elbasanit morën pjesë Kryetari i Bashkisë Z. Gledian Llatja, Ministrja e Arsimit dhe Sportit Znj. Evis Kushi, Sekretari i Përgjithshëm i PS Z. Damian Gjiknuri, deputetë, mësues, prindër, miq e të ftuar të veçantë të maturantëve.

Në fjalën e tij Kryetari i Bashkisë Z. Llatja uroi maturantët për tejkalimin me sukses të sfidës së tyre të parë, duke i ftuar të zgjedhin me zemër dhe përgjegjësi, tashmë si të rritur, rrugën e tyre të jetës.

“Ju jeni e ardhmja e këtij qyteti, tha Llatja, mes jush janë mjekët e rinj, inxhinierët, mësuesët, juristët, politikanët, pikërisht këtu është e ardhmja e qytetit të Elbasanit. Unë jam i bindur se ju nuk do ta braktisni këtë qytet, por do të punoni me dashuri dhe pasion për ta zhvilluar më tej.

Pikërisht angazhimi dhe puna jonë e përditshme synon të krijojë një vend më të mirë për ju, një të ardhme më të mirë, mision të cilin ju takon ju ta vijoni më tej” vijoi Llatja.

Ministrja e Arsimit Znj. Evis Kushi teksa uroi maturantët, mësuesët dhe prindërit, falenderoi Bashkinë e Elbasanit për këtë organizim i cili pritet të kthehet në traditë.

“Ju jeni frymëzim, tha Kushi, jeni pikërisht motivi për të cilin ne punojmë çdo ditë.

Jam e bindur që në rrugëtimin tuaj, më të rëndësishëm tashmë, do të dini të ktheni kokën pas dhe të mos harroni qytetin tuaj, por të punoni dhe të kontribuoni për të.

Ju ftoj që në zgjedhjen tuaj të vlerësoni universitetet shqiptare të cilat tashmë ofrojnë diploma njësoj si universitetet prestigjoze europiane.

Gjithashtu jam e bindur që do të përfitoni nga programet prioritare duke përfituar edhe pagesë mujore sa paga minimale. Programet e shpallura prioritet kombëtar e kanë të garantuar tregun e punës dhe ju do të dini të zgjidhni me mençuri” shtoi ndër të tjera Kushi.

Sekretari i Përgjithshëm i PS, Z. Damian Gjiknuri ftoi të rinjtë të ndjekin zemrën dhe instiktet e tyre si rruga e vetme për të qenë të suksesshëm.

” Funar Fest”, perla turistike për vendasit dhe të huajt.

Koncert festiv, prodhime bio, xhirot me kanoe në liqenet e bukura të Funarit, piknik në lëndinat e kësaj perle turistike, të gjitha këto aktivitete janë realizuar në ” Funar Fest”.  

Qindra qytetarë nga Elbasani e jo vetëm, por edhe shumë të huaj, kanë shijuar natyrën e pastër dhe plot bukuri, në festën e Funarit.  

Shumë të rinj, mes të cilëve edhe vetë Kryetari i Bashkisë Z.Gledian  Llatja, Ministria e Arsimit dhe Sportit Zj. Evis Kushi, kanë pritur miqtë në këtë festë të kthyer tashmë në traditë në Bashkinë e Elbasanit.  

”  Qytetarët janë njohur me Funarin, zonën e  pasur me pyje të shumëllojshme, me liqene të pastra dhe me një natyrë thuajse të pashfrytëzuar, Funari është një nga bukuritë më të rralla të Bashkisë Elbasan, por edhe të vendit. ” Funar Fest” është kthyer në një traditë të bukur në perlën turistike të Elbasanit”, tha në fjalën e tij Z. Gledian Llatja.  

” Shijuam natyrën fantastike, produktet bio të zonës, koncertin festiv dhe xhirot me kanoe në liqenet e bukura të Funarit . Vizioni ynë është ta kthejmë Funarin dhe Elbasanin në një atraksion për turistët e huaj dhe vendas, si dhe në një destinacion për turizmin sportiv dhe të aventurës”, shtoi ai.  

Funari, një një nga perlat turistike thuajse të virgjëra të qytetit të Elbasanit, ndodhet rreth 20 kilometra larg.  

Funari, është një zonë e pasur me pyje dhe me katër liqene apo rezervuarë të ndara, dy brenda fshatit dhe dy të tjerë të fshehur pas nga malet që e rrethojnë atë.  

 Vetëm disa vite më parë Funari thuajse ishte i harruar për nga vetë infrastruktura, thuajse e amortizuar dhe përrreth një orë që mund të shkosh sot, dikur duheshin më shumë se tre orë të mbërrije në destinacion.  

” Maja e Korrës, në Funarin e resurseve dhe turizmit të mrekullueshëm, shumë shpejt do të kthehen në një destinacion turistik për sportet e aventurës në Shqipëri dhe Rajon. Shumë shpejt do të marrë formë ambicia jonë për ta shndërruar këtë perlë mahnitëse natyrore në pikën më të rëndësishme turistike për sportet e aventurës në Shqipëri dhe rajon”, shton kryebashkiaku Gledian Llatja.  

 Dikur kur ishte Komunë, edhe pse me një zhvillim të blektorisë por edhe mbarështrimit të peshkut, rrallë turistët vendas por dhe të huaj e vizitonin Funarin, ndërsa vitet e fundit me marrjen nën administrim të Bashkisë së Elbasanit, kjo zonë është bërë tepër e vizitueshme.  

 Ishte një iniciativë e Bashkisë së qytetit, që Funarit ti jepte atë që me të vërtetë meritonte, emrin, ” Funari Turistik”.    

 E pasur me pyje pishash dhe dushku Funari ofron një klimë të shëndetshme që nëse i shtojmë edhe gatimet tradicionle të zonës bëhet vendi ideal për të kaluar fundjavat.  

75 vjet nga krijimi i Shërbimit Zjarrfikës në Elbasan

Është përkujtuar në ambjentet e Repartit të Zjarrëfikëses 75 vjetori i Krijimit të këtij shërbimi në Bashkinë e Elbasanit.

Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë përfaqësues të Qarkut të Elbasanit, ku kryetari i Bashkisë Z. Gledian Llatja, shprehu mirënjohje për heronjtë e zjarrit, ndërsa vlerësoi gadishmërinë e efektivëve të këtij reparti, të cilët kanë ndërhyrë jo vetëm në raste zjarresh, por edhe duke treguar edhe heroizëm në shpëtimin e jetëve të njerëzve. 

Në fjalën e tij përshendetëse, kryetari i Bashkisë shtoi se “më shumë se dy vite, kemi kaluar shumë sfida bashkë, ndaj falenderimi shkon për të gjithë ju, për punën e mirë, përkushtimin, për praninë tuaj në kohë rekord të të gjithë problemeve ndaj qytetarëve, por mbi të gjitha për gadishmërinë maksimale që ju keni treguar në raste zjarresh dhe jo vetëm.

 Ju , keni ndërhyrë në çdo kohë, në çdo orë, dhe jo vetëm në territorin e Bashkisë, por edhe më tej. Ndaj, unë si Kryetar i Bashkisë së Elbasanit, por edhe i gjithë qyteti, ju vlerëson dhe ju falenderon.

 Do të jemi gjithmonë në krahun tuaj, do t’ju mbështesim gjithmonë, pasi qyteti ndjehet shumë mirë, dhe shumë herë më i qetë, kur ju jeni mirë, dhe në gadishmëri!

 Në bashkëpunim me të gjithë bashkitë e qarkut ne do të bëjmë punë të mira, me qëllim menaxhimin e të gjitha situatave të zjarrit por edhe të emergjencave, si edhe fatkeqësive, ku nuk mund të harrojmë ndihmën që i keni dhënë edhe banorëve të zonave të tërmetit, por edhe çdo qytetari të Elbasanit”.

Në vijim, Z. Llatja i ka dorëzuar titullin  e Mirënjohjes së qytetit katër efektivëve të Repartit të Zjarrëfikëses, Enver Gjepa, Agron Balla, Qerim Shadini, dhe Arsen Dervishi, me motivacionin “ Për kontributin e dhënë me profesionalizëm e përkushtim në shuarjen e zjarreve dhe shpëtimin e jetëve të njerëzve”.

Në datë 9 dhjetor të vitit 1946 në Bashkinë e Elbasant u krijua Shërbimi i Zjarrëfikëses, fillimet e të cilit kanë nisur në reparte dhe uzina pune. Ky shërbim deri në vitin 2001 ishte në vartësi të Ministrisë së Brendshme. Në vitin 2002 Shërbimi Zjarrëfikëses kaloi në kompetencë të Prefekturës së Elbasanit, dhe më pas nën administrimin e Bashkisë.

Heronjtë e flakëve, shërbejnë pa orar në mbrojtje të jetëve, mjedisit dhe pronës!

Respekt dhe mirënjohje për të gjithë punonjësit e shërbimit zjarrfikës të Elbasanit që kanë shërbyer ndër vite.