Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Workshop-i “Transformimi i ndryshimeve klimatike një sfidë e përbashkët e Ballkanit Perëndimor, Europës dhe mbarë.”

Fjala e Kryetarit të bashkisë Z. Gledian Llatja

Të nderuar ministra, ambasadorë, partnerë e bashkëpunëtorë të bashkisë së Elbasanit,

Zonja dhe zotërinj, Mirë se erdhët në qytetin e bukur të Elbasanit, një qytet që jo vetëm është i mbushur përplot histori, por edhe sheh përpara drejt një të ardhmeje të qëndrueshme e gjithë jetë. Është një nder i padiskutueshëm për mua, si kryetar i bashkisë së Elbasanit, t’ju uroj një mirëseardhje të ngrohtë të gjithëve ju që jeni bashkuar sot me ne për këtë takim të rëndësishëm, organizuar me mbështetjen e TAIEX-it. Jemi të lumtur që jeni me ne dhe entuziastë për potencialin e shkëlqyer që shtrihet përpara si pjese e programit “Qytetet neutrale ndaj klimës dhe inteligjente” për t’u shndërruar në qytete me ndikim asnjanës në klimë, ku ka ajër të pastër, transport më të sigurt dhe më pak mbingarkesë e zhurmë për qytetarët e tyre.

Një qytet i bekuar me trashëgimi të pasur historike dhe një të ardhme të ndritshme, Elbasani ka një pozitë gjeografike vërtet unike.

Historia e tij i ka rrënjët në shekullin II para Krishtit, ndërsa gjurmët e origjinës së qytetit shkojnë pas deri në vendbanimet e lashta ilire. Në shekullin II, qyteti njihej si “SKAMPA” e, më vonë, si “SKAMPINI”. I ndodhur në kryqëzimin e rrugëve tregtare Veri-Jug dhe Lindje-Perëndim, Elbasani arriti të shndërrohej në një vendkalim kyç, duke u kthyer në një qendër të begatë urbane, ushtarake dhe fetare. Kjo histori mbresëlënëse shpjegon lidhjet e qytetit të rrënjosura thellë në antikitet dhe trashëgiminë e tij të përhershme.

Bashkia e Elbasanit është një zonë e larmishme dhe komplekse. Ajo përfshin një sipërfaqe të madhe prej 872 03 km², ku jetojnë afro 140 000 banorë.

Qyteti i Elbasanit shërben si qendra kryesore urbane, me 60% të popullsisë, ndërsa pjesa tjetër e banorëve janë të shpërndarë në një sërë njësish të tjera administrative, përfshi në terrene të thyera malore. Kjo larmi demografike e gjeografike paraqet sfida të veçanta për qeverisjen dhe ofrimin e shërbimeve. Përveç kësaj, bashkia është qendër shumë e rëndësishme ekonomike, që përfshin një gamë industrish të rënda dhe Parkun Kombëtar të Gjinarit, duke ofruar mundësi qoftë për turizmin natyror, ashtu edhe atë kulturor. Administrimi efektiv i këtyre elementeve të shumëllojshme kërkon strategji të përshtatura, që garantojnë zhvillimin e qëndrueshëm dhe mirëqenien e të gjithë banorëve.

Sot, Elbasani qëndron në prag të një epoke të re transformuese, përmes hapave të qëndrueshme dhe miqësore me klimën. Duke marrë frymëzim nga roli i tij historik si një kryqëzim dhe qendër urbane jetike, qyteti aspiron tanimë të ripërcaktojë vetveten si model përtëritjeje dhe si udhëheqës në aspektin mjedisor. Përmes bashkëpunimit me bashkitë homologe të BE-së, Elbasani mund të grumbullojë ekspertizë të pasur, një mori burimesh dhe praktikat më të mira për të rritur gjallërinë e tij urbane. Qytetet e BE-së ofrojnë informacione të vlefshme rreth zhvillimit të një infrastrukture të qëndrueshme, transportit ekologjik dhe planifikimit urban rezistent ndaj klimës. Me anë të kësaj mbështetjeje, Elbasani do të rifitojë pozicionin e tij kyç, jo vetëm si qendër historike, por edhe si shembull qëndrueshmërie e ndërgjegjësimi mjedisor, duke i dhënë formë një të ardhmeje të ndritshme, ndërkohë që ruan të shkuarën e tij të pasur.

Takimi për të cilin jemi mbledhur sot është një hap vendimtar në rrugën tonë të përbashkët drejt një të ardhmeje më premtuese e më të qëndrueshme. Ky është një mision që bën bashkë autoritete vendore, qytetarë të angazhuar, biznese, investues të përkushtuar dhe mbështetjen e autoriteteve kombëtare, që kanë të njëjtën aspiratë: të sjellin në jetë të paktën 100 qytete me ndikim asnjanës në klimë, deri në vitin 2030. Në këtë grup të shquar, jemi tejet krenarë që shohim Elbasanin, si një prej qyteteve kryesuese të kësaj përpjekjeje.

Të mbledhur këtu për këtë takim shumë të rëndësishëm, kemi pritshmëri të larta për shkëmbimin e paçmuar të njohurive e përvojave mes qyteteve partnere të BE-së. Besojmë se, duke ndarë histori suksesi dhe praktikat më të mira nga qytete të tjera që kanë nisur rrugëtimin drejt ndikimit asnjanës në klimë, mund të marrim frymëzim dhe orientim për vetë rrugën që Elbasani ka përpara. Identifikimi i nismave dhe strategjive që kanë sjellë rezultate të frytshme në mjedise të ngjashme është kyç për të ecur përpara. Përballja efektive me sfidat është përparësi dhe ne presim me padurim të angazhohemi në diskutime të hapura, të orientuara drejt zgjidhjeve, me partnerët tanë të shquar dhe ekspertët e fushës.

Këtu, në Elbasan, zotërojmë potencialin për t’u kthyer në udhëheqës të neutralitetit klimatik në Ballkanin Perëndimor, sidomos përmes zbatimit të një larmie nismash të qëndrueshme. Programi “Qytetet neutrale ndaj klimës dhe inteligjente” jo vetëm cakton objektiva ambicioze, por, po ashtu, nxjerr në pah rëndësinë e veprimeve konkrete dhe praktike. Ne jemi të vetëdijshëm që, për t’u arritur, këto objektiva kanë nevojë për burime financimi nga drejtime të ndryshme, si nga sektori privat, ashtu edhe ai publik dhe ne jemi tërësisht të përkushtuar për t’i siguruar ato, që t’i kthejmë aspiratat tona në realitet.

Bashkia e Elbasanit ka një përkushtim të plotë dhe angazhim aktiv drejt këtij objektivi ambicioz. Dedikimi ynë shfaqet qartë në përgatitjet që vazhdojnë për një raport i cili do të paraqesë gjetjet tona lidhur me aktorët, përfshirjen qytetare, parashikimet financiare dhe ekonomike, si dhe përparësitë kryesore që do të drejtojnë hapat tona në të ardhmen.

Bashkia e Elbasanit ka marrë një sërë masash themelore, për të rritur efikasitetin dhe për të siguruar një bashkërendim efektiv. Në bashki, kemi ngritur një grup pune për këtë mision. Po përcaktojmë në mënyrë aktive rolet dhe kompetencat e këtij grupi, për të siguruar zbatimin e masave pa asnjë pengesë. Po kështu, jemi të kënaqur që kemi mbështetjen e Institutit të Studimeve Urbane, një institucion i njohur për përvojën e pasur që zotëron me nismat për ndryshimin e klimës, përpjekjet për ruajtjen e mjedisit dhe zhvillimin e infrastrukturës kryesore teknike.

Ashtu si shumë qytete të tjera në Ballkanin Perëndimor, Elbasani përballet me kufizime në fonde, kur vjen fjala për financimin e projekteve të klimës nga të ardhurat e veta. Megjithatë, përkushtimi ndaj zbatimit të këtyre nismave mbetet i palëkundur. Përveç partneritetit me programin, jemi përfshirë në mënyrë aktive në përpjekje bashkëpunimi me donatorë të nderuar, përfshi programe të tjera të BE-së, si dhe për të siguruar fonde në bazë të meritës nga qeveria qendrore. Këto partneritete shërbejnë si burime themelore të mbështetjes financiare, që është jetike për realizimin e ndryshimeve të nevojshme.

Ne jemi angazhuar në mënyrë aktive në përpjekjen komplekse për përballimin e sfidave mjedisore dhe që lidhen me klimën. Këto përpjekje të mbështetura nga disa donatorë përfshijnë projekte për rritjen e rezistencës brenda ekosistemit lokal për të luftuar efektet e ndryshimit të klimës, hartimin e planeve të veprimit për klimën dhe energjinë e qëndrueshme, me qëllim uljen e emetimeve, identifikimin dhe përcaktimin e hartës së zonave të nxehta mjedisore, për të luftuar ndotjen dhe për të përmirësuar shëndetin publik,  nxitjen e zbatimit të lëvizjes me mjete elektrike me karbon të ulët dhe nxitjen e praktikave të menaxhimit të qëndrueshëm të burimeve natyrore, duke u përqendruar veçanërisht te forcimi i ekonomisë lokale duke e bërë sektorin turistik më të qëndrueshëm përmes zhvillimit të infrastrukturës dhe institucionalizimit. Këto projekte dëshmojnë përkushtimin që ka Elbasani ndaj qëndrueshmërisë, ruajtjes së mjedisit dhe uljes së emetimeve, çka nxjerr në pah vendosmërinë e tij për një të ardhme më rezistente dhe miqësore me ekosistemin.

Sidoqoftë, ne e dimë se nuk mund të ecim të vetëm në rrugën tonë drejt një të ardhmeje më të qëndrueshme. Është përpjekja e përbashkët, angazhimi i patundur i gjithë komunitetit tonë dhe përfshirja aktive e aktorëve që do të nxitë ecjen tonë përpara. Ne jemi gati të bashkëpunojmë dhe ftojmë të gjithë qytetarët, bizneset, organizatat dhe partnerët tanë të bëhen aktorë të pandarë të këtij misioni transformues. Ne jo vetëm i çmojmë pikëpamjet, idetë dhe kontributet tuaja, por ato janë vetë thelbi i përparimit tonë. Ju ftojmë të jeni aktivë, të ndani pikëpamjet tuaja të vlefshme dhe të bëhemi bashkë ndërsa nisim këtë rrugëtim entuziazmues. Së bashku, mund të ndërtojmë një të ardhme më rezistente e miqësore me mjedisin për Elbasanin.

Në mbyllje, Elbasani është plotësisht i vendosur për të dhënë një kontribut të rëndësishëm në Misionin për Qytete me Ndikim Asnjanës në Klimë dhe Qytete Inteligjente. Përmes bashkëpunimit, novacionit vendosmërisë së përbashkët, synojmë të udhëheqim rrugën drejt qyteteve të qëndrueshme dhe me ndikim asnjanës në klimë. Ju bëj thirrje të gjithëve ju pjesëmarrësve në takim të jeni aktivë, të ndani idetë tuaja të vlefshme dhe të bashkoheni me ne në këtë udhëtim entuziazmues.

Çdonjëri këtu ka një rol jetik për të luajtur. Përfshihuni, jepni kontribut dhe ndani ekspertizën tuaj ndërsa punojmë së bashku për t’i dhënë formë një të ardhmeje të qëndrueshme, rezistente dhe të ndërgjegjshme për mjedisin. Duke bashkuar forcat, mund të transformojmë jo vetëm Elbasanin, por edhe të tjera qytete të Ballkanit Perëndimor në qytete me ndikim klimatik asnjanës.

Ju falemnderit që jeni këtu dhe uroj për të gjithë ne një takim produktiv e transformues.

Ju falemnderit.