Projekti “Nënat të parat” organizuar nga Qendra e Gruas Elbasan WCDCA me mbështetjen e Ambasadës Amerikane, organizoi në Elbasan takimin përmbyllës, me pjesëmarrjen e grave të qyteteve Elbasan, Fier, Berat dhe Lushnjë, të angazhuara në këtë projekt.
Qëllimi i këtij aktiviteti ishte promovimi i klubeve të nënave të krijuara gjatë projektit për të trajtuar sfidat, nevojat dhe perspektivat për angazhimet e tyre në çështjet e parandalimit të fenomeneve si ekstremizmi i dhunshëm, sjelljet devijante dhe rolin e nënave për të ndërtuar komunitete të qëndrueshme.
Në mbyllje të këtij projekti kanë qenë të pranishëm kreu i bashkisë Gledian Llatja, prefektja e qarkut Majlinda Perriu, deputetja e Partisë Socialiste Desantila Tahiraj, si edhe përfaqësues të arsimit dhe Këshillit të Qarkut.
Në fjalën e tij, kryetari i bashkisë Gledian Llatja e vuri theksin tek mbështetja maksimale që institucioni i bashkisë ka dhënë dhe jep për forcimin e rolit të gruas dhe vajzave në familje e shoqëri.
Kryebashkiaku është ndalur së pari tek Këshilli i Sigurisë Vendore të Bashkisë së Elbasanit, i cili është një nga këshillat funksional në Shqipëri, pasi ka gjithëpërfshirjen në thelb të tij, si edhe shoqatave që merren me të drejtat e grave.
Sipas tij, bashkia e Elbasanit ka dhënë një mbështetje të vazhdueshme për të gjitha gratë por më së shumti për gratë e vetmuara.
“Të rrisësh një brez të shëndetshëm nuk është shumë e lehtë. Ndaj, duhet të jemi të gjithë bashkë, të bashkëpunojmë me njëri tjetrin për të ndarë eksperienca të mira. Në bashkinë e Elbasan ne kemi një qendër për fëmijët të cilët trafikohen, për gratë e dhunuara, e para qendër që mbështetet nga pushteti vendor, kemi një qendër për nënat e dhunuara që strehohen bashkë me fëmijët e tyre. Janë edhe një sërë politikash sociale shumë të mira si bonusi i qerasë, ku kemi pasur gjatë tre viteve të fundit shumë nëna të vetme të cilat marrin bonusin e qerasë. Politikat janë të shumta, ndaj ajo që ne duhet të bëjmë është luftimi i fenomeneve të rrezikshme të shoqërisë sonë, sidomos për fëmijët tanë, radikalizimi është një nga këto, duke nisur nga radikalizimi i vartësive, me largimin e fëmijëve dhe brezit të ri nga fenomenet negative, siç është alkooli, droga. Mesazhi që ne duhet të japim si kryetar bashkish por edhe si shoqëri civile, është se asnjëra nga gratë nuk është vetëm. Gjatë pandemisë ne si bashki i kemi qëndruar të gjithave në mbështetje por edhe do të vazhdojmë ti mbështesim”, nënvizoi Llatja.
Rudina Çollaku, Drejtore ekzekutive e WCDCA theksoi se ” rëndësia e angazhimit dhe njohja e rolit të nënave në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm, është një domosdoshmëri dhe nevojë e përbashkët në ndërtimin dhe zhvillimin e komunitetit”.
Projekti “Nënat të parat” i cili nisi në muajin shtator të vitit 2021 dhe përfundoi në fund të muajit qershor të këtij viti, synon fuqizimin e rolit të grave dhe nënave aktive në shoqëri, nëpërmjet edukimit të tyre prindëror, angazhimit proaktiv, të iniciativave të hartuara nga vetë nënat aktive në projekt.