Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 13 Korrik 2023

Ceremonia e diplomimit të maturantëve: Llatja- E ardhmja e rinisë është në vendin e tyre

Për herë të parë në Elbasan me mbështetjen e Kryetarit të Bashkisë Z. Gledian Llatja është organizuar ceremonia e diplomimit të maturantëve të qytetit.

Qindra maturantë mes emocionesh mbushën kalanë e Elbasanit ndërsa shprehën mirënjohje për mësuesët e tyre, prindërit e padyshim për Bashkinë e Elbasanit e cila çdo ditë e më shumë punon për përmirësimin e infrastrukturës së shkollave, jetës në qytet dhe ka një vëmendje të shtuar në angazhimin e të rinjve në vendimmarjet e rëndësishme.

Në ceremoninë e diplomimit të maturantëve të Elbasanit morën pjesë Kryetari i Bashkisë Z. Gledian Llatja, Ministrja e Arsimit dhe Sportit Znj. Evis Kushi, Sekretari i Përgjithshëm i PS Z. Damian Gjiknuri, deputetë, mësues, prindër, miq e të ftuar të veçantë të maturantëve.

Në fjalën e tij Kryetari i Bashkisë Z. Llatja uroi maturantët për tejkalimin me sukses të sfidës së tyre të parë, duke i ftuar të zgjedhin me zemër dhe përgjegjësi, tashmë si të rritur, rrugën e tyre të jetës.

“Ju jeni e ardhmja e këtij qyteti, tha Llatja, mes jush janë mjekët e rinj, inxhinierët, mësuesët, juristët, politikanët, pikërisht këtu është e ardhmja e qytetit të Elbasanit. Unë jam i bindur se ju nuk do ta braktisni këtë qytet, por do të punoni me dashuri dhe pasion për ta zhvilluar më tej.

Pikërisht angazhimi dhe puna jonë e përditshme synon të krijojë një vend më të mirë për ju, një të ardhme më të mirë, mision të cilin ju takon ju ta vijoni më tej” vijoi Llatja.

Ministrja e Arsimit Znj. Evis Kushi teksa uroi maturantët, mësuesët dhe prindërit, falenderoi Bashkinë e Elbasanit për këtë organizim i cili pritet të kthehet në traditë.

“Ju jeni frymëzim, tha Kushi, jeni pikërisht motivi për të cilin ne punojmë çdo ditë.

Jam e bindur që në rrugëtimin tuaj, më të rëndësishëm tashmë, do të dini të ktheni kokën pas dhe të mos harroni qytetin tuaj, por të punoni dhe të kontribuoni për të.

Ju ftoj që në zgjedhjen tuaj të vlerësoni universitetet shqiptare të cilat tashmë ofrojnë diploma njësoj si universitetet prestigjoze europiane.

Gjithashtu jam e bindur që do të përfitoni nga programet prioritare duke përfituar edhe pagesë mujore sa paga minimale. Programet e shpallura prioritet kombëtar e kanë të garantuar tregun e punës dhe ju do të dini të zgjidhni me mençuri” shtoi ndër të tjera Kushi.

Sekretari i Përgjithshëm i PS, Z. Damian Gjiknuri ftoi të rinjtë të ndjekin zemrën dhe instiktet e tyre si rruga e vetme për të qenë të suksesshëm.