Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 5 Shkurt 2024

Kompleksi Sportiv ” Shefqet Lamcja”, në funksion të sportistëve por edhe qytetarëve

 Kompleksi Sportiv “Shefqet Lamçja” së shpejti do jetë i pajisur me të gjithë infrastrukturën e nevojshme.  Sporti i vjetër, po kthehet në një kompleks sportiv i madh thuajse në qendër të qytetit, me kushte që po përmirësohen dita ditës.

 Gjatë një inspektimi të punimeve që vazhdojnë kryebashkiaku z. Gledian Llatja i shoqëruar nga trajneri i AF Elbasani Nevil Dede, si edhe administratori i AF Elbasani Mariglen Coku, e vuri theksin se ky investim shërben për t’i ofruar të gjitha mundësitë, si ekipit të parë ashtu edhe fëmijëve,me qëllim që të aktivizohen drejt sporteve dhe larg veseve e celularëve. 

“Këtu duhet një standart tjetër, pasi edhe ekipi vetë, ekipi i parë ku bëjnë stërvitjen sipas kërkesave tuaja duhet të kishte një tjetër stadart të fushës, por pse jo të certifikojmë dy fusha në Elbasan.

 Përvec stadiumit që e kemi të certifikuar që është edhe shtëpia e Elbasanit, e futbollit, edhe Sporti i Vjetër të marrë certifikimin e saj për të bërë ndeshje. 

Elbasani po kthehet aty ku ka qenë, atë besimin që kishim tek ekipi tashmë e ka i gjithë qyteti.

 Futbolli është sport masiv, na duhen investime të vazhdueshme”.  Duke u ndalur tek ekipi i Elbasanit, kryebashkiaku Llatja shpreh bindjen se ekipi vitin tjetër duhet të jetë në superiore, ” pasi jemi besimplotë që ekipi do të arrijë aty ku i takon Elbasanit”. Trajneri Dede e cilësoi këtë investim si një dashamirësi të kahershme të kreut të bashkisë duke shtuar se “dashamirësia dhe vullneti i mirë, i jep oksigjen komunitetit që ju drejtoni.

Unë jam i kënaqur, jam nostalgjik shumë vite përpara, por tani shoh që cdo gjë fryn një erë që ka dashuri brenda.

Sic qyteti në ekip na përcejll ne dashuri dhe mbështetje, por edhe ju si kryetar ju falenderoj”. Administratori Coku e cilësoi si të domosdoshëm këtë investim.

Kompleksi sportiv “Shefqet Lamçja” tashmë ka një hapësirë moderne që do t’i shërbejë jo vetëm ekipeve të moshave të Akademisë së Futbollit Elbasani, por dhe klasave sportive në programin e ri të masivizimit të sportit në shkolla.

 Ky kompleks është ndër më të mirët që ka qyteti, i cili i vjen ndihmë jo vetëm sportistëve të qytetit, por edhe njësive administrative, i cili tashmë do të shfrytëzohet lehtësisht.