Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 2 Korrik 2024

Investimi në infrastrukturë në zonën  e Rrapishtës, një tjetër premtim i mbajtur                                                        

Një tjetër premtim i mbajtur nga Bashkia e Elbasanit lidhur me përmirësimin e infrastrukturës në lagjen ” 5Maji” në Elbasan. Bëhet fjalë për zonën e Rrapishtës, në rrugën ” Petër Dodbiba”  ku jeton një pjesë e konsiderueshme e komunitetit rom. Investimi i fundit në këtë zonë është asfaltimi i rrugës, një projekt që përfundoi së fundmi.

Gjatë inspektimit të përfundimit të punimeve, kreu i bashkisë Gledian Llatja së bashku me drejtuesin politik të qarkut Damian Gjiknuri, shprehën bindjen se të gjitha zonat informale do të kthehen në zona formale dhe se të gjitha premtimet do të përkthehen në investime konkrete.

Kreu i bashkisë duke bërë edhe një përmbledhje të investimeve të kryera në këtë zonë u shpreh se  “ përfunduam të gjithë tubacionet e ujit të pijshëm në këtë bllok lagjeje në “5 Maji”, e cila konsiderohej si një lagje periferike, sepse është një lagje e urbanizuar pas viteve ’90 me probleme të mëdha infrastrukturore, por që me ndërhyrjet e vazhdueshme që janë bërë që para një viti në disa segmente rrugore, tashmë i gjithë blloku i rrugëve në shkollën “Hamit Mullisi”, që është shkolla kryesore e zonës së Rrapishtës, është përfunduar. Ky investim është pritur mjaft mirë edhe nga stafi i shkollës.”

Gjatë procesit të buxhetimit me pjesëmarrje, kjo ishte një kërkesë e madhe nga banorët. Tashmë është gjetur edhe zgjidhja për shkollën, e cila pasi të largohet Drejtoria e Targave dhe Patentave pranë Auto Moto Parkut, godina do të kthehet në shkollë. Kërkesa e dytë ishte rruga. “Pavarësisht se është zonë informale, ne e kemi në vëmendje të veçantë për infrastrukturën”, shtoi Llatja.

Mësuesit e shkollës u  shprehën se prej vitesh askush nuk kishte ndërhyrë në këtë zonë, dhe ky është një investim shumë i madh sa i përket infrastrukturës, duke ofruar edhe komoditet për nxënësit.

Drejtuesi politik i qarkut, Damian Gjiknuri,  edhe një herë vuri në dukje një sërë premtimesh të mbajtura nga kreu i bashkisë si edhe qeveria shqiptare e cila ka një vëmëndje të vecantë për Elbasanin.  “Premtimi i dhënë është fjalë e mbajtur. Kryetari e dha fjalën me projektet dhe qeveria e mbështeti nëpërmjet FSHZH, pasi shkolla është një nga institucionet më të rëndësishme të këtij komuniteti. Elbasani përditë po ndryshon. Gjatë këtij sezoni veror janë hapur shumë kantiere në ujësjellës, kanalizime, asfaltim dhe ndriçim të infrastrukturës publike, duke e bërë Elbasanin një qytet më të mirë. Ky investim në këtë bllok është një ndryshim i rëndësishëm për banorët, pasi prej vitesh nuk ishte vënë dorë.”

Elbasani po ndryshon çdo ditë për mirë. Me investime të shumta në infrastrukturë, shërbime publike dhe projekte zhvillimore, qyteti po bëhet një vend më i mirë për të gjithë banorët e tij.