Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 23 Korrik 2024

Turizmi në Mollagjesh, një përvojë unike në natyrë

Në bujtinën “Deliu”, një nga destinacionet më të njohura të turizmit rural në Mollagjesh, kryetari i bashkisë z. Gledian Llatja zhvilloi një bisedë me familjarët e kësaj bujtine dhe një turist anglez. Kjo bujtinë, e cila ka parë një rritje të ndjeshme të vizitorëve këtë sezon, ka bllokuar të gjitha datat për rezervime.

“Kemi bllokuar të gjitha datat,” thotë e zonja e bujtinës. “Një person që vjen, mund të rrijë dy-tre ditë, por maksimumi nuk mund të qëndrojë më tepër. Por, duke pasur aktivitete të shumta rreth e përqark, i shtojnë më tepër ditët e qëndrimit, gjë që është më interesante për bujtinat që të kenë më shumë netë fjetjeje.”

Aktivitetet në natyrë si xhiro me varka, kuaj, biçikleta dhe vizita në shpella janë disa nga atraksionet që i bëjnë turistët të qëndrojnë më gjatë. Ish mësuesja, ka punuar për 36 vjet në Mollagjesh, tani merret me turizmin pas daljes në pension dhe përpiqet t’u mësojë shqipen turistëve që vijnë.

Turistët vijnë nga e gjithë bota për të shijuar natyrën e bukur të zonës. “Francezë, anglezë, rumunë, çekë, sllovakë, të gjithë vijnë,” thotë ajo. “Natyra është shumë e bukur, janë shumë të kënaqur.”

Kryetari i bashkisë, i pranishëm në bisedë, thekson se promovimi i destinacioneve turistike dhe investimet në infrastrukturë janë kyçe për zhvillimin e zonës. “Investuam tek rruga e Funarit dhe qendra e informacionit, sepse është e rëndësishme të informohen mbi zonën, gatimet, destinacionet dhe aktivitetet që ofron zona,” thotë ai.

Një turist anglez, i cili kishte rezervuar fillimisht për një javë, vendosi të zgjaste qëndrimin e tij pas përvojës së mrekullueshme që pati. “Unë vij nga Londra, por kam jetuar në Zelandën e Re dhe Australi për një kohë të gjatë. Vendosa se nuk doja të largohesha më nga ky vend,” thotë ai. “Unë po punoj për startup-in tim këtu dhe është një vend i bukur ku mund të punosh pa presion.”

Turizmi rural në Mollagjesh po përjeton një rigjallërim të madh, duke tërhequr gjithnjë e më shumë vizitorë që kërkojnë përvoja autentike dhe të veçanta. Bujtina “Deliu” është një shembull i shkëlqyer i mikpritjes dhe bukurisë së kësaj zone.