Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 9 Shtator 2024

Shkolla “Onufri” mirëpret vitin e ri shkollor me investime të reja, Llatja dhe Mazniku urojnë nxënësit

Viti i ri shkollor ka nisur në të gjitha shkollat e qytetit të Elbasanit. Për të siguruar mbarëvajtjen e procesit mësimor gjatë gjithë vitit, janë angazhuar të gjitha nivelet dhe sektorët e arsimit.

Për herë të parë këtë vit, shkolla artistike “Onufri” do të zhvillojë një proces mësimor në kushte komode dhe me standarde të reja, falë një investimi të kryer nga Bashkia e Elbasanit në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit.

Në këtë kuadër, kreu i Bashkisë, z. Gledian Llatja, Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku së bashku me deputetët e Elbasanit, zgjodhën të urojnë nxënësit e kësaj shkolle, e cila është transformuar në një godinë moderne për artistët e rinj të qytetit. Gjatë fjalimit të tij, z. Llatja uroi nxënësit, mësuesit dhe prindërit për vitin e ri shkollor, ndërsa një urim të veçantë e bëri për fëmijët që ulen për herë të parë në bankat e shkollës. Ai theksoi rëndësinë e investimit në shkollën “Onufri”, duke shtuar ambiente të reja dhe modernizuar ato ekzistuese.

“Jo të gjitha shkollat janë si ‘Onufri’, por ne po përgatitemi që shumë shpejt të përfundojmë edhe shkollën ‘Kostandin Kristoforidhi’. Kur kemi ardhur para dy vitesh në këto ambiente, mësuesit dhe artistët kërkonin vetëm një gjë: të investonim në ‘Onufri’, pasi kjo shkollë është baza e artit në Elbasan. Sot ju uroj suksese dhe i nxis mësuesit për përkushtim të plotë, që ky vit shkollor të jetë sa më i mbarë,” tha z. Llatja.

Një urim për fillimin e vitit të ri shkollor ka dhënë edhe Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, i cili sapo është emëruar drejtues politik i qarkut të Elbasanit.

“Kjo shkollë është e jashtëzakonshme, jo vetëm për ambientet e saj, por më të suksesshme e bëjnë mësuesit dhe nxënësit e saj. Në këtë shkollë mund të kemi talente si Dua Lipa apo Ermonela Jaho e ardhshme, që do të na zbardhin faqen jo vetëm në Elbasan, por në mbarë Shqipërinë. Detyra jonë, si Bashki dhe Ministri, ka qenë të krijojmë kushte të mira për mësim, dhe Bashkia e ka përmbushur detyrën e saj. Por suksesi më i madh është ai që do të vini ju, duke arritur rezultate të larta,” theksoi z. Mazniku.

Në ambientet e shkollës “Onufri” u zhvillua gjithashtu një ekspozitë nga artistët e shkollës, si dhe një koncert festiv.