Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 20 Shtator 2024

Kryeministri Edi Rama në Elbasan/ Me arsim profesional puna e garantuar

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar nga Elbasani se arsimi profesional është instrumenti i garancisë që fëmijët e shqiptarëve të mos mbeten pa punë.

I shoqëruar nga ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, dhe kryetari i bashkisë Gledian Llatja, Rama ka vizituar Shkollën Profesionale të qytetit të Elbasanit ku aktualisht studiojnë 1400 nxënës dhe ku është shprehur se po thyhet mentaliteti që shqiptarët kanë pasur kryesisht ndaj arsimit profesional.

Kryeministri Rama vlerësoi se këto shifra optimiste flasin për thyerjen e mentalitetit se arsimi profesional është i kategorisë së dytë.

“Lajmi i mirë është se po thyhet mentaliteti se arsimi profesional është kategori e ulët. Arsimi profesional është garanci absolute për të pasur një instrument në dorë që të mos ngelet pa punë. Po ashtu kush bën arsim profesional nuk e ka të mbyllur derën e universitetit, por ndryshe nga ata që mbarojnë arsimin e përgjithshëm ka edhe një zanat që edhe e përdor për të punuar gjatë universitetit apo pas universitetit për të bërë sipërmarrjen e vetë”, shtoi Rama.

Sipas kryeministrit, është një ndryshim i madh edhe për faktin se sipërmarrjet tani nuk kanë ku shkojnë pa punonjës të kualifikuar, ndaj duhet ta kuptojnë se duhet paguar puna ashtu si e meriton.

“Tani pagat janë rritur dhe nevoja për punonjës të kualifikuar është bërë alarmante. Të gjithë ata që synojnë në arsim profesional e kanë të garantuar se do të gjejnë punë”, shtoi Rama.

Kryeministri theksoi se ndikim ka edhe faktori i rritjes ekonomike.

“Ekonomia rritet dhe rritet nevoja për punonjës të kualifikuar sidomos në fushën e teknologjisë. Me aftësi në teknologji ti punësohesh jashtë shtetit pa lëvizur nga shtëpia dhe merr paga që janë shumë të larta në varësi të asaj që ti ofron. Janë 17-18 vjeç që i kanë pagat sa gjithë familja bashkë”, tha Rama.

Kryeministri Rama theksoi se “kur pranojnë të bashkëpunojnë me sipërmarrës në shkelje të ligjit dhe të deklarohet një pagë më e ulët dhe një pjesë tjetër të merret nën dorë për të mos paguar sigurimet shoqërore, faktikisht i japin sipërmarrësit mundësinë që padrejtësisht të marri nga pensioni i gjyshes dhe i gjyshes”.

“Sigurimet shoqërore që secili e paguan për pensionin e vetë, aktualisht shkojnë në arkën e sigurimeve shoqërore dhe paguhen pensionet. Në këtë pikë duhet të kemi shumë më tepër vetëdije dhe të vendosim barrikadën që ‘pagën e dua të plotë, të pastër me sigurimet shoqërore dhe shëndetësore sepse pastaj është e kotë të kërkohet rritja e pensioneve. Kjo ndodh kur të gjithë bashkë kontribuojmë për sigurimet shoqërore”, shtoi Rama.

Shkolla profesionale e Elbasanit ka një larmi programesh studimi që i përgjigjen nevojave të tregut të punës; si TIK, Hoteleri-Turizëm, Ekonomi Biznes, Termohidraulike, Tekstil Konfeksione, Shërbime Mjete Transporti, Mekanikë, Elektroteknikë etj. Ajo po zbaton dhe Sistemin Dual, ku aktualisht janë rreth 300 biznese që ofrojnë praktikë mësimore për të gjithë nxënësit.