Marrëveshje për bibliotekën ambulante midis Bibliotekës së Elbasanit dhe Drejtorise së Përgjithshëm të Burgjeve
Në prani të Kryetarit të Bashkisë së Elbasanit dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, u lidh sot një marrëveshje bashkëpunimi midis Bibliotekës së Elbasanit ” Qemal Baholli” dhe Bibliotekës së Institucionit të Paraburgimit. Kjo marrëveshje synon krijimin e një biblioteke ambulante, e cila do t’u mundësojë të paraburgosurve akses të lehtë dhe të vazhdueshëm në libra dhe literaturë.
Kryetari i Bashkisë, gjatë fjalës së tij, vlerësoi këtë bashkëpunim duke theksuar rëndësinë e rehabilitimit dhe edukimit.
“Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale ka pasur gjithmonë një bashkëpunim të mirë me Bashkinë e Elbasanit. Falënderoj drejtorin dhe stafin për përkushtimin e tyre në rehabilitimin dhe përmirësimin e kushteve për personat që vuajnë dënimin. Kjo është hera e parë që ne krijojmë një bibliotekë të lëvizshme brenda territorit tonë. Ne kemi pasuruar bibliotekat e shkollave tona dhe bibliotekat e tjera të qytetit, përfshirë bibliotekën e rinisë, dhe tashmë edhe atë të paraburgimit në Elbasan. Falënderoj të gjithë për bashkëpunimin në këtë iniciativë që u vjen në ndihmë këtyre personave, duke u ofruar mundësinë të kalojnë kohën brenda institucionit sa më afër librave dhe botimeve më të
Nga ana tjetër, Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve falënderoi për këtë nismë duke e cilësuar si një risi për institucionin dhe një kontribut të rëndësishëm në procesin e rehabilitimit.
“Kjo nismë është një risi, pasi është hera e parë që kemi një bibliotekë ambulante në një institucion të paraburgimit në vend. Për personat e paraburgosur, kjo është një pjesë e procesit të rehabilitimit dhe integrimit në shoqëri, pasi këta individë nuk konsiderohen fajtorë deri sa të marrin një vendim gjyqësor. Shoqëria jonë duhet të jetë e para që t’i mbështesë ata, jo vetëm me libra, por në të gjitha format më të mira për rehabilitimin e tyre. Libri ofron dije dhe përmes tij, këta individë do të jenë më pranë familjeve, shoqërisë dhe vazhdimit të jetës.”
Në përfundim të takimit, të dy palët shprehën dëshirën e tyre që ky bashkëpunim të shtrihet edhe në institucione të tjera, duke shërbyer si një shembull për të gjitha bashkitë në vend.