Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Muaj: Shtator 2024

Asnjë punonjës i Kurum nuk do të mbetet pa marrë atë që i takon!

Pas takimit me drejtuesit e kompanisë, të cilëve u kërkova më shumë shpjegime në lidhje me situatën e krijuar, mora garancinë e plotë nga drejtuesit se angazhimi i tyre do të jetë maksimal për t’i garantuar siguri maksimale çdo punonjësi.

Kam folur personalisht me punonjësit, jam njohur me ankesat e tyre të drejta dhe i kam bërë me dije se mbrojtja e interesave të tyre mbetet objektiv parësor dhe i panegociueshëm!

✅Punëtorët do të paguhen 100%.

✅Do të paguhen dietat ushqimore

✅Punëtorët që do të qëndrojnë në shtëpi, do të paguhen deri në rifillimin e prodhimit.

Jemi duke e ndjekur me shqetësim këtë situatë duke pritur gjithashtu një reagim zyrtar nga kompania. Kundrejt çdo vendimi, çdo punonjës do të ketë gjithë mbështetjen dhe vëmendjen tonë maksimale.

 Elbasani feston 115-vjetorin e Kongresit të Arsimit me një ekspozitë historike.         

“Kongresi i Arsimit Mbarëkombëtar Shqiptar” ishte tema e ekspozitës së hapur në ambientet e ish shkollës “Normale”, me rastin e 115-vjetorit të Kongresit të Elbasanit, i cili i la qytetit një trashëgimi të çmuar në arsim dhe kulturë.

Ekspozita, që paraqet rrugëtimin historik të shkrimit të gjuhës shqipe dhe momente kyçe nga Kongresi i Elbasanit dhe hapja e shkollës së parë kombëtare shqipe “Normale”, u organizua nga Muzeu Historik Kombëtar dhe Bashkia Elbasan. Ky event u përshëndet nga përfaqësuesit më të rëndësishëm lokalë, deputetët e Elbasanit, personalitete të shquara të gjuhës dhe historisë.

Gjatë këtij eventi u përshkruan zhvillimet e kongresit, duke u cilësuar si një kongres i formuar nga elitat që luajtën rol vendimtar në vendimmarrjen historike. Në fjalën e tij, kryetari i bashkisë, z. Gledian Llatja, e quajti 115-vjetorin e Kongresit si një vit jubilar, duke theksuar se Bashkia Elbasan është e angazhuar për të promovuar këtë aktivitet mbarëkombëtar. “Ashtu siç nisëm me hapjen e shkollës ‘Kostandin Kristoforidhi’ në Athinë para disa kohësh, do të vazhdojmë me aktivitete të tjera në kuadër të 115-vjetorit të shkollës ‘Normale’,” tha ai.

Kongresi i Elbasanit u mbajt nga data 2 deri më 9 shtator, një vit pas Kongresit të Manastirit. Ai u cilësua si mbarëkombëtar, pasi së pari, morën pjesë përfaqësues nga të gjitha trevat shqiptare, dhe së dyti, për shkak të vendimeve që u morën. Ndër 15 vendimet e marra, dy ishin më të rëndësishmet: organizimi dhe hapja e shkollës shqipe “Normale” dhe vendosja e një standardi të gjuhës shqipe, ku dialekti i Elbasanit u vendos si dialekti i përbashkët.

Elbasani hapi dyert për Kongresin, dhe jo vetëm delegatët, por edhe qytetarët e tjerë u angazhuan në organizimin dhe detajet e kongresit. Dyert e arsimit në Elbasan u hapën fillimisht me Kongresin e Elbasanit dhe më pas me shkollën “Normale”tha z. Llatja.

Në këtë event kumtuan edhe studiues dhe përfaqësues të pushtetit lokal, duke vlerësuar punën e madhe të këtij Kongresi. Vendimet e Kongresit të Elbasanit i dhanë një hov të mëtejshëm lëvizjes kombëtare, duke vendosur themelimin në Elbasan të një shkolle të mesme pedagogjike (normale) shqipe me gjashtë klasa, që do të përgatiste mësues për shkollat fillore shqipe dhe do të mbahej me kontributin e të gjitha klubeve dhe shoqërive shqiptare.