Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 22 Nëntor 2024

Elbasani nderon kontributin e Gjuhës Shqipe në ditën e Alfabetit

Në përvjetorin e 116-të të Kongresit të Manastirit dhe miratimit të alfabetit të gjuhës shqipe,Elbasani nën kujdesin e vecantë të kryetarit të bashkisë Gledian Llatja ka shënuar një aktivitet të rëndësishëm, ku u vlerësua kontributi i qytetit në zhvillimin dhe ruajtjen e gjuhës shqipe.

Në ngjarjen, e cila u mbajt me rastin e 116-vjetorit të miratimit të alfabetit të gjuhës shqipe nga Kongresi i Manastirit, morën pjesë Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, z.  Arbjan Mazniku si dhe elitat e qytetit, akademikë dhe mësues të shquar. Ata theksuan rëndësinë e këtij momenti historik dhe vlerësuan përpjekjet e qytetarëve dhe intelektualëve elbasanas për përhapjen dhe forcimin e gjuhës shqipe, e cila është një faktor kyç për bashkimin dhe identitetin kombëtar.

Në fjalimin e tij, kryetari i bashkisë Gledian Llatja theksoi rëndësinë e Elbasanit në historinë e gjuhës shqipe, duke kujtuar që qyteti ka qenë dhe mbetet një qendër e rëndësishme e zhvillimit të arsimit dhe kulturës shqipe. “Elita e qytetit ndodhet sot këtu, mësuesit, pedagogët, ata që punojnë pa fund për të lartësuar gjuhën shqipe dhe për të edukuar breza të rinj për të ardhmen e vendit tonë,” tha ai.

 Llatja shtoi gjithashtu se Elbasanin e lidhim këtë ditë me Normalen, me Universitetin dhe me qytetin tonë. Edhe pse në Elbasan nuk ka pasur mësim shqip dhe mësues vetëm pas vitit 1909, ne i kemi fillimet më përpara me shkollat shëtitëse. Ne jemi duke u përgatitur për të ristrukturuar Muzeun e Arsimit brenda në Kala, me qëllimin që ta lëmë këtë trashëgimi për brezat e rinj dhe ta përcjellim për të gjithë ata që vijnë në Elbasan. Kjo është një histori e lidhur ngushtë me gjuhën shqipe.

Duam të kujtojmë shkollat shëtitësem mësuesit shëtitës të Elbasanit, pasi ato kanë qenë të lidhura me gjuhën, patriotizmin dhe Rilindjen Shqiptare. Ne jemi të nderuar që Elbasani ka dhënë dhe vazhdon të japë shumë për gjuhën shqipe dhe trashëgiminë tonë. Detyra jonë sot është ta çojmë këtë trashëgimi në një nivel tjetër, ta përcjellim tek rinia dhe ta mbajmë fort gjuhën shqipe, pa ndikuar nga gjuhët e tjera.

Po punojmë për restaurimin e Muzeut Etnografik të Elbasanit dhe për kthimin e shtëpisë së Aleksandër Xhuvanit në një ambient të përshtatshëm për artin dhe kulturën. Po ashtu, kemi një projekt për vitin e ardhshëm për të kthyer shtëpinë e Lef Nosit në një ambient për rininë e Elbasanit, ku do të lidhen edhe me teknologjinë. Këtë vit, në qendër të Athinës ne hapëm Mësënjtoren Kostandin Kristoforidhi dhe po punojmë që në vitin 2025 ta hapim edhe në Selanik”.

Ai shtoi se “ne duam të vazhdojmë të përçojmë traditën e mirë që lidhet me gjuhën, e cila ka qenë themeli i kombit tonë dhe ka mbajtur gjallë identitetin shqiptar. Për ne, si Elbasan, kjo është një ditë e shënuar, sepse këtu kanë qenë fillesat e Kongresit të Elbasanit dhe zhvillimi i madh gjuhësor që ka pasur ky qytet.”

Akademikët Natasha Porocani, Teuta Toska dhe Evis Kushi referuan gjatë aktivitetit, duke bërë një përmbledhje të rëndësishme të njësimit të alfabetit dhe ngjarjeve të Kongresit të Manastirit të vitit 1908. Ata nënvizuan se ky kongres ishte një moment historik që shënoi bashkimin e shqiptarëve përmes gjuhës.

Ministri Mazniku, në fjalën e tij, vuri në dukje se Elbasani është djepi i zhvillimit të gjuhës shqipe dhe një nga qytetet që ka luajtur një rol të madh në forcimin e identitetit kombëtar shqiptar. Ai theksoi se rilindësit shqiptarë, me aftësinë e tyre të jashtëzakonshme, kanë krijuar një komb të bashkuar rreth gjuhës shqipe, dhe se abetarja dhe alfabeti janë simbol i bashkimit të shqiptarëve.

“ Rilindasit tanë kanë qenë të jashtëzakonshëm në nivel global, sepse krijuan strukturën e kombit shqiptar, duke e bazuar atë në gjuhën shqipe. Ne flasim rregullisht për rëndësinë që ka abetarja, por ka një rëndësi edhe më të madhe për të gjithë kombin, sepse ajo na mundëson të kuptojmë të njëjtën gjuhë, të shohim të njëjtat simbole dhe, më pas, të bëhemi pjesë e një ndjesie të përbashkët.

Abetarja dhe alfabeti janë fijet që mbajnë bashkë kombin shqiptar, janë fije të jashtëzakonshme historike. Sa herë që flasim për Elbasanin, për Normalen, për historinë, kujtojmë se ky qytet ka pasur ata njerëz që kanë endur fijën e kombit shqiptar, që na kanë dhënë mundësinë të jemi të bashkuar si komb. Elbasani ka qenë një gur themeli i kombit shqiptar dhe ka mundësuar ruajtjen e pemës së kombit, duke mbajtur gjallë traditën dhe kulturën.

Prandaj, gjuha shqipe duhet të fuqizohet dhe të mirëmbahet çdo ditë. Elbasani ka qenë dhe mbetet vendi ku, gjatë 100 viteve të fundit, është formuar dhe zhvilluar mësimdhënia. Për këtë arsye, ju jam mirënjohës të gjithëve ju që kontribuoni për këtë arritje të rëndësishme”.

Në përfundim të aktivitetit, Bashkia e Elbasanit nderoi disa personalitete të shquara të qytetit, duke u dorëzuar atyre certifikata Mirënjohja e Qytetit, me motivacionin “ Për kontributin në ruajtjen e vlerave gjuhësore kombëtare, dhe edukimin e brezave me dashuri për gjuhën shqipe”. Titujt e mirënjohjes u dorëzuan për zonjat e nderuara Tatjana Mani Manjola Hatellarin, dhe Entela Seiti.

Ky aktivitet shënoi një ditë të veçantë për Elbasanin, duke kujtuar rëndësinë e gjuhës shqipe dhe ruajtjen e pasurisë së saj kulturore.

Festimet për Ditën e Alfabetit janë një mundësi për të pasuruar ndërgjegjësimin e brezave të rinj për rëndësinë e ruajtjes së gjuhës dhe kulturës shqiptare.