Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 10 Nëntor 2024

“Elbasani 2030”, vizioni kulturor diskutohet me artistët e qytetit

Bashkia Elbasan nisi procesin e konsultimeve për projektin kulturor “Elbasani 2030,” një program strategjik që synon ta shndërrojë qytetin në një qendër kulturore dhe artistike të Shqipërisë deri në vitin 2030. Në tryezën e parë të diskutimeve, ku morën pjesë artistë dhe personalitete të kulturës, kryetari i bashkisë Gledian Llatja, Ministri i i Shtetit për Pushtetin Vendor Arbian Mazniku dhe nënkryetarja e bashkisë Aulona Bylykbashi, u angazhuan për të krijuar një plan afatgjatë që integron trashëgiminë kulturore me zhvillimin ekonomik të qytetit.

Duke e cilësuar “Elbasani 2023” një angazhim të përbashkët për një qytet të rilindur,kryetari i bashkisë, Gledian Llatja, u shpreh se takimi është një hap i rëndësishëm për të ndërtuar një vizion të përbashkët për Elbasanin si qendër e kulturës, arsimit dhe dijes. “Ne po krijojmë një seri angazhimesh që do të sjellin Elbasanin në vitin 2030 si një qytet që krenohet me trashëgiminë e tij kulturore dhe traditat e tij, por që gjithashtu gërsheton kulturën me zhvillimin ekonomik,” deklaroi Llatja.

 Ai vuri në dukje se një sërë projektesh madhore, si rikonstruksioni i Muzeut Etnografik, i Muzeut të Arsimit dhe i Galerisë së Arteve, janë në proces, duke përmendur edhe potencialin ekonomik që do të krijojë një Elbasan që investon në art, kulturë dhe turizëm.

Ministri i i Shtetit për  Pushtetin Vendor Arbian Mazniku theksoi rëndësinë e këtij programi, duke e cilësuar si një model për gjithë Shqipërinë.   

 “Një qytet pa kulturë nuk ka vizion dhe aspirata,” tha ministri, duke shtuar se ky projekt është thelbësor për vizionin e qarkut dhe të Shqipërisë drejt vitit 2030. Ai përmendi rolin e rëndësishëm të procesit të integrimit evropian, që brenda vitit 2027 mund të sjellë një valë të re investimesh përmes programeve të BE-së. Fondet strukturore dhe ato të kohezionit social do të jenë të aksesueshme, duke u bërë mundësi për projekte të mëdha zhvillimore që do të përfshijnë fusha të ndryshme, përfshirë kulturën, shëndetësinë, bujqësinë dhe turizmin.

Si mbështetësi kryesor i këtij procesi, Arbian Mazniku, nën cilësinë edhe të drejtuesit politik të qarkut të Elbasanit, theksoi nevojën për bashkëpunim të gjithanshëm për të arritur vizionin e përbashkët të qytetit dhe qarkut të Elbasanit. “Kjo tryezë dhe tryeza të tjera që do të zhvillohen synojnë të krijojnë një platformë bashkëpunimi ku ne mund të dakordësojmë axhendën tonë dhe të zhvillojmë objektiva të qarta për vitin 2030,” theksoi Mazniku, duke nënvizuar se Elbasani ka potencialin të bëhet jo vetëm një qendër ekonomike për Shqipërinë, por edhe një pikë e rëndësishme tërheqëse për turistët me vlerat kulturore që ofron.

Si koordinatore e programit, Aulona Bylykbashi e përshkroi Elbasanin 2030 si një qendër të re kulturore me një kalendar të pasur aktivitetesh që do të lidhin traditën me kulturën bashkëkohore. “Synimi ynë është të promovojmë artistët e rinj dhe profesionistë, vendas e të huaj, duke zhvilluar kulturën dhe ekonominë e qytetit përmes një infrastrukture moderne,” tha Bylykbashi. Ajo shtoi se programi do të ndikojë në zhvillimin ekonomik dhe të turizmit të Elbasanit.

Programi “Elbasani 2030” pritet të përfshijë një numër të madh projektesh të rëndësishme, që do të realizohen në bashkëpunim me artistë dhe grupe të interesit në fusha të ndryshme, me synimin që Elbasani të bëhet një pikë referimi kulturore dhe ekonomike për gjithë vendin dhe më gjerë.