Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 14 Janar 2025

Elbasani bëhet qendër bashkëpunimi për zhvillimin e qëndrueshëm

Sot, në Bashkinë e Elbasanit, kryetari Gledian Llatja mirëpriti delegacionin e Forumit të Partneritetit të Gap Fund, një iniciativë e rëndësishme që mbështet zhvillimin e qëndrueshëm dhe përballjen me sfidat klimatike.

Në delegacion ishin përfaqësues të Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, Qeverisë së Luksemburgut, GIZ, Bankës Europiane të Investimeve dhe Bankës Botërore.

Gjatë takimit u diskutua për projektin e ndriçimit inteligjent të rrugëve dhe rritjen e efiçencës së energjisë në ndërtesat publike, dy iniciativa që synojnë përmirësimin e jetesës së qytetarëve dhe mbrojtjen e mjedisit.

“Falenderojmë Gap Fund dhe European Investment Bank për mbështetjen e tyre në këtë rrugëtim. Elbasani po tregon se mund të jetë model për zhvillimin e qëndrueshëm dhe efikasitetin energjetik në rajon,” u shpreh kryetari Llatja.

Ky bashkëpunim është dëshmi e angazhimit të qytetit për një të ardhme më të gjelbër dhe inovative, duke e pozicionuar Elbasanin si një pikë referimi për politikat e qëndrueshme në rajon.

Me qëllim zbatimin në afat të detyrimeve të Bashkisë për proçesin zgjedhor për zgjedhjet e Kuvendit të Shqipërisë

Me qëllim zbatimin në afat të detyrimeve të Bashkisë për procesin zgjedhor për zgjedhjet e Kuvendit të Shqipërisë më datë 11.05.2025, në mbështetje të ligjit nr.139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, ligjit nr. 44/2015 “Kodi i proçedurave administrative në Republikën e Shqipërisë”, ligjit nr 10019 datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i RSH” i ndryshuar , Udhëzimit nr 235, datë 10.12.2024 “ Për procedurat e hartimit të listave të zgjedhësve për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë” si dhe Udhëzimit nr 01, datë 05.12.2020 të KQZ-së “Përcaktimi i rregullave për ngritjen, caktimin dhe njoftimin e vendodhjes së qendrave të votimit dhe përgatitjen e hartës së njësisë së vetëqeverisjes vendore për zgjedhjet”, kërkojmë nga ana juaj bashkëpunimin në këtë proces, duke publikuar njoftimin në faqen e Bashkisë, lidhur me afishimin e listave zgjedhore në ambjentet e Njesive Administrative dhe Lagjeve.

Në kuadër të procesit zgjedhor për zgjedhjet e Kuvendit të Shqipërisë më datë 11.05.2025, ju njoftojmë që në ambjentet e Njësive Administrative dhe Lagjeve të Bashkisë Elbasan, janë afishuar listat emërore të zgjedhësve. Lutemi të kontrolloni emrin tuaj pranë Njesisë Administrative apo Lagjes ku jeni të regjistruar. Në rast të ndonjë problematike, drejtohuni pranë këtyre strukturave ose në zyrën e Informacionit në Bashkinë Elbasan.