Investimet në infrastrukturë avancojnë në Rajonin Nr. 3 të lagjes “Skënderbej”
Investimet në infrastrukturë në rajonin nr. 3 të lagjes “Skënderbej” po avancojnë me ritme intensive. Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, së bashku me drejtuesin politik të qarkut, Arbjan Mazniku, inspektuan sot nga afër punimet në këtë zonë, ku një sërë rrugësh dhe rrugicash po transformohen plotësisht.
Në fillim, u përfunduan investimet në rrugën kryesore “Iljaz Kosova,” e cila shërben si arteria lidhëse e zonës. Pas kësaj, u hap rruga për investime të tjera, përfshirë rrugën “Ahmet Gashi,” e cila tashmë është përfunduar. Aktualisht, Bashkia Elbasan ka fokusuar energjitë në asfaltimin e tre rrugëve të tjera: “Agim Hoxha,” “Florenc Balla,” dhe “Hysen Dakli.”
Kryetari Llatja theksoi se këto rrugë ishin prej kohësh një shqetësim madhor për banorët, pasi shpesh mbusheshin me baltë dhe kërkonin mirëmbajtje rutinë me çakull. Tani, falë këtij investimi, këto rrugë po transformohen në standarde moderne, duke zgjidhur përfundimisht problemet infrastrukturore.
“Pasi kemi përfunduar një sërë investimesh në kanalizimet e ujërave të zeza dhe furnizimin me ujë të pijshëm, kemi nisur një aksion për asfaltimet, jo vetëm në qytet, por edhe në zonat rurale,” tha kryetari Llatja. Ai shtoi se falë bashkëpunimit me Fondin Shqiptar të Zhvillimit dhe mbështetjes së qeverisë shqiptare, një pjesë e projekteve janë adresuar dhe të tjera do të vazhdojnë në mënyrë të planifikuar.
Nga ana e tij, drejtuesi politik i qarkut, Arbjan Mazniku, vlerësoi punën e bërë, duke theksuar rëndësinë e këtyre investimeve për përmirësimin e jetës së banorëve në zonat periferike dhe të pajisura më parë me infrastrukturë informale. Deputeti Florenc Stafa, i pranishëm në inspektim, falënderoi Bashkinë Elbasan për këtë projekt të rëndësishëm, duke nënvizuar se rajoni nr. 3 është një nga lagjet me shtrirjen më të gjerë në qytet dhe këto investime janë jetike për banorët e saj.
Banorët e zonës shprehën mirënjohjen e tyre për realizimin e një kërkese të kahershme dhe pritjet e tyre për përmirësime të tjera në të ardhmen.