Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Muaj: Janar 2025

Me qëllim zbatimin në afat të detyrimeve të Bashkisë për proçesin zgjedhor për zgjedhjet e Kuvendit të Shqipërisë

Me qëllim zbatimin në afat të detyrimeve të Bashkisë për procesin zgjedhor për zgjedhjet e Kuvendit të Shqipërisë më datë 11.05.2025, në mbështetje të ligjit nr.139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, ligjit nr. 44/2015 “Kodi i proçedurave administrative në Republikën e Shqipërisë”, ligjit nr 10019 datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i RSH” i ndryshuar , Udhëzimit nr 235, datë 10.12.2024 “ Për procedurat e hartimit të listave të zgjedhësve për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë” si dhe Udhëzimit nr 01, datë 05.12.2020 të KQZ-së “Përcaktimi i rregullave për ngritjen, caktimin dhe njoftimin e vendodhjes së qendrave të votimit dhe përgatitjen e hartës së njësisë së vetëqeverisjes vendore për zgjedhjet”, kërkojmë nga ana juaj bashkëpunimin në këtë proces, duke publikuar njoftimin në faqen e Bashkisë, lidhur me afishimin e listave zgjedhore në ambjentet e Njesive Administrative dhe Lagjeve.

Në kuadër të procesit zgjedhor për zgjedhjet e Kuvendit të Shqipërisë më datë 11.05.2025, ju njoftojmë që në ambjentet e Njësive Administrative dhe Lagjeve të Bashkisë Elbasan, janë afishuar listat emërore të zgjedhësve. Lutemi të kontrolloni emrin tuaj pranë Njesisë Administrative apo Lagjes ku jeni të regjistruar. Në rast të ndonjë problematike, drejtohuni pranë këtyre strukturave ose në zyrën e Informacionit në Bashkinë Elbasan.

Bashkia Elbasan në gjendje gatishmërie për përballimin e situatës nga reshjet e dëborës

Bashkia Elbasan ka qenë në gjendje alerti për shkak të reshjeve të dendura të dëborës që kanë përfshirë zonat malore gjatë mbrëmjes së së dielës. Institucionet përkatëse kanë qenë të angazhuara maksimalisht për të menaxhuar situatën dhe për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve.

Ekipet e Agjencisë së Shërbimeve Publike kanë punuar pa ndërprerje gjatë natës për hapjen e rrugëve të bllokuara dhe për të ndihmuar qytetarët në vështirësi. Situata paraqitet më problematike në njësinë Labinot Mal, ku trashësia e dëborës ka arritur deri në 1 metër në disa zona.

Një ndër rastet më urgjente ka qenë ndihma e ofruar për 20 persona të mbetur të bllokuar me automjetet e tyre në fshatin Griqan i Sipërm. Aktualisht, po vijon puna për hapjen e rrugëve të bllokuara dhe kriposjen e akseve kryesore për të garantuar lëvizjen e sigurt.

Bashkia Elbasan apelon qytetarët dhe drejtuesit e automjeteve të tregojnë kujdes maksimal, duke u pajisur me goma dimërore dhe zinxhirë para çdo lëvizjeje. Respektimi i rekomandimeve të autoriteteve mbetet i rëndësishëm për parandalimin e incidenteve. Çdo emergjencë mund të raportohet pranë bashkisë, policisë ose emergjencave civile.

Me angazhim dhe gatishmëri të plotë, Bashkia Elbasan siguron qytetarët se do të vazhdojë monitorimin dhe ndërhyrjet për përballimin e situatës në kohë reale.

Llatja: Elbasani nis një kapitull të ri me rivitalizimin e Kalasë dhe zhvillimin e turizmit

Në prani të Kryeministrit Edi Rama, Bashkia Elbasan, Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI) dhe Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor (MSHPV), nënshkruan sot marrëveshjen për rikualifikimin e lagjes Kala të qytetit të Elbasanit, një projekt i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, kulturor dhe turistik të qytetit.

Në fjalën e tij kreu i bashkisë së Elbasanit z. Gledian Llatja pohoi se kjo marrëveshje e firmosur sot konkludohet me një vizion të ri për qytetin, duke rritur zhvillimin e ekonomisë dhe turizmit.

“Sot është një ditë e shënuar për Elbasanin, një ditë e shumëpritur për ne të gjithë, ku një punë e madhe e bërë paraprakisht sot konkludohet me një vizion të ri. Kalaja ka pasur shumë histori, por Kalaja e historisë moderne ka pasur për ne në Elbasan një zhvillim jo fort të kënaqur, ku shumë ndërtime pas viteve ’90, shumë ndërhyrje të bëra në thelb, kanë dëmtuar shumë nga historiku jonë.

Sot ne jemi në një ditë historike për ta rikthyer kalanë e Elbasanit në vlerat e saj maksimale, për ta rikthyer identitetin, për të ruajtur historikun e saj dhe për të bërë të mundur që fëmijët tanë dhe të gjithë shqiptarët dhe turistët ta njohin kulturën, traditën që kemi ne në Elbasan, jo vetëm kulinarinë tonë, të cilën ne kemi dhe shquhemi.

Dua të falenderoj AADF për mbështetjen dhe punën e madhe që kemi bërë për konkretizimin e këtij projekti, dhe jam optimist që do të vazhdojmë në të ardhmen në një projekt fantastik për Elbasanin, rivitalizimin e Kalasë dhe turizmin e Elbasanit.

Është një fat i madh, por një punë e madhe e bërë nga Kryeministri dhe qeveria shqiptare që ne sot në Shqipëri kemi një turizëm që shënon, dhe kjo për mua si Kryetar Bashkie është një sfidë, që këta turistë të vijnë në Elbasan dhe të sjellin ekonominë në Elbasan. Bashkë me AADF, ne do të jemi motorë të zhvillimit për ruajtjen e identitetit të kalasë dhe historinë e përbashkët të qytetit të Elbasanit.

Sot është një ditë e madhe për ne pasi pas 30 vitesh vetëm është folur se do të bëhet, por sot është dita të fillojmë punën konkrete për rivitalizimin e saj, për muzetë që i kemi nisur, dhe ato që do të shtojmë, duke përfshirë shtëpinë e Lef Nosit, muzeun e Aleksandër Xhuvanit, ish-muzeun e arsimit, të cilin po e rivitalizojmë, dhe një sërë institucionesh të tjera që ne i kemi brenda Kalasë, por edhe në qytet.

Ne kemi bërë një hartë me të gjitha pikat tona potenciale që kemi, si Gjinari, Tregani dhe Funari, por kalaja e Elbasanit është magnet i fortë dhe ai xhevahir në gjerdanin tonë të Elbasanit.

Elbasan, nënshkruhet marrëveshja për rikualifikimin e Kalasë: Do të jetë një motor zhvillimi për qytetin

Në prani të Kryeministrit Edi Rama, Bashkia Elbasan, Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI) dhe Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor (MSHPV), nënshkruan sot marrëveshjen për rikualifikimin e lagjes Kala të qytetit të Elbasanit, një projekt i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, kulturor dhe turistik të qytetit.

Në fjalën e saj, nënkryetarja e Bashkisë Elbasan, Aulona Bylykbashi, theksoi rëndësinë e këtij transformimi, duke e quajtur atë një fillim të ri për qytetin. Ajo shpjegoi se Kalaja ka shërbyer historikisht si një pikë strategjike mbrojtëse, por gjithashtu ka qenë një qendër e rëndësishme tregtare dhe kulturore për Elbasanin. Bylykbashi theksoi se rikualifikimi i Kalasë është një hap i madh drejt modernizimit të qytetit dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore.

“Thonë se kalatë janë një rikthim tek e shkruara, por unë sot e shoh ndryshe. Për mua, transformimi i Kalasë do të jetë një fillim i ri jo vetëm për ata që jetojnë brenda këtyre mureve, por edhe për të gjithë qytetarët e Elbasanit. Ajo që sjellim sot këtu nuk është vetëm një akt i emancipimit mbi mënyrën si po qeverisen dhe zhvillohen qytetet tona, por është një portë e re e hapur drejt horizonteve të reja përmes jetësimit të kësaj hapësire dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore,” tha Bylykbashi.

Pas fjalës së nënkryetares, Kryeministri Edi Rama theksoi rëndësinë e projektit për zhvillimin e turizmit dhe promovimin e Kalasë si një destinacion turistik. Ai theksoi se ky projekt ka potencialin të sjellë një rritje të ndjeshme të numrit të vizitorëve në Elbasan, duke përmirësuar gjithashtu vlerën e pronave dhe mundësitë ekonomike për banorët e lagjes Kala.

“Ka një fakt që duhet adresuar dhe përmbysur. Ndërkohë që Berati ka arritur në 800 mijë vizitorë, Elbasani ka vetëm 20-25 mijë vizitorë. Këto shifra mund dhe do të përmbysen shumë shpejt me projektin e Kalasë, sepse ajo ka një histori dhe një potencial të jashtëzakonshëm për të zhvilluar turizmin,” tha Rama.

Kryeministri theksoi se kalaja e Elbasanit ka një rëndësi të veçantë për identitetin kulturor dhe fetar të qytetit, duke ofruar mundësi të reja për zhvillimin e turizmit dhe prosperitetin e komunitetit. Ai po ashtu shprehu bindjen se investimet në infrastrukturë, si ndërtimi i bajpasit të ri të Elbasanit, do ta bëjnë qytetin më të aksesueshëm dhe më tërheqës për turistët.

“Nëse ne do të arrijmë të bëjmë një projekt të Fondit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit, atëherë do të kemi absolutisht më shumë turistë. Besoj se duke shfrytëzuar gjithë këto komponentë të fshehur që ka Kalaja, ne do të arrijmë të kemi një rritje shumë të madhe të numrit të vizitorëve brenda në lagje. Kjo do të bëjë që vlera e pronës, e shtëpive në lagje të rritet eksponencialisht”, shtoi Rama.

“Kalaja e Elbasanit ka potencial të jashtëzakonshëm dhe me një projekt të suksesshëm, do të kemi një rritje të madhe të vizitorëve dhe një zhvillim të qëndrueshëm për qytetin,” përfundoi Kryeministri Rama.

Gjithashtu, Blendi Gonxhja, ministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, theksoi rëndësinë e këtij projekti për transformimin ekonomik dhe turistik të Elbasanit. Ai përmendi projektin ambicioz të “Auto Moto Park Albania”, që do të bëhet qendra kryesore e automotorizimit në Shqipëri, duke kontribuar në edukimin mbi sigurinë rrugore dhe zhvillimin e motosportit, me standardet për gara të Formula 1. Gonxhja gjithashtu theksoi se ky projekt do të kontribuojë në zhvillimin e Elbasanit, duke e bërë atë një destinacion tërheqës për turistët dhe investitorët.

“Me projektet e reja, Elbasani do të shndërrohet në një destinacion të fuqishëm turistik, me mundësi për investime dhe zhvillim të qëndrueshëm për të gjithë qytetin,” tha Gonxhja.

Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes, ishte i pranishëm gjithashtu Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, i cili u shpreh se projekti do të sjellë një transformim të dukshëm për Elbasanin, duke bërë të mundur që, në dy ose tri vitet e ardhshme, qyteti të tërheqë 1 milion turistë.

“Sot nisim këtë rrugëtim, dhe jam i sigurt se ky transformim do të jetë një sukses për Elbasanin, duke e bërë qytetin një destinacion tërheqës për turistët dhe duke rritur mundësitë për banorët e tij,” tha Mazniku.

“Kemi filluar punën për rikonceptimin dhe rivitalizimin e të gjithë Metalurgjikut, si një zonë logjistike dhe zhvillimi të kompanive dhe të zhvillimit të territorit, ҫka gjithashtu krijon një pol shumë të rëndësishëm mes 3 akseve të rëndësishme. Rruga e re që ka nisur nga Lekaj në Elbasan, By pass-i i Elbasanit e lidhur me unazën e vendos këtë zonë në një pikë shumë të rëndësishme logjistike, duke krijuar një pol të rëndësishëm të një zhvillimi alternativ. Sot aty kemi më shumë se 30-40 kompani, të cilat punësojnë më shumë se 4 mijë veta dhe vetëm taksa paguajnë rreth 40 milionë euro taska në vit. pra kemi një ekonomi goxha të gjallë, e cila mund të 2-fishohet, 3-fishohet kollaj. Dhe në këtë mënyrë, midis Kalasë, midis Automootparkut dhe rikonceptimit të Metalurgjikut krijojmë tre pole të zhvillimit ekonomik të qytetit, ҫka e vendosin ashtu siҫ duhet në fakt Elbasanin, që nuk është thjesht gjeografikisht në kërthizë të Shqipërisë, por e vendosin në fokus të një zhvillimi shumë të rëndësishëm ekonomik për të ardhmen”, tha Mazniku.

Ky projekt është një hap i rëndësishëm për zhvillimin e Elbasanit dhe për forcimin e lidhjeve ekonomike dhe kulturore me rajonin dhe më gjerë.

Memorandum i Mirëkuptimit: Elbasani po transformohet përmes rikualifikimit të lagjes Kala

Sot, në një ngjarje të rëndësishme për qytetin e Elbasanit, është nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi mes Bashkisë Elbasan, Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI) dhe Ministrisë së Shtetit për Pushtetin Vendor (MSHPV). Ky Memorandum ka si qëllim rikualifikimin e lagjes Kala të qytetit, një zonë me vlera të pasura kulturore, historike dhe me potencial të madh për zhvillimin ekonomik dhe turistik të Elbasanit.

Rikualifikimi i lagjes Kala është vlerësuar si një ndërhyrje me interes publik dhe një mundësi e shkëlqyer për rritjen e turizmit dhe zhvillimin e bizneseve lokale. Ky projekt ka për qëllim ruajtjen e trashëgimisë kulturore të qytetit dhe përmirësimin e kushteve të jetesës për banorët dhe bizneset në zonë.

Memorandumi i Mirëkuptimit u firmos nga,Kryetari i Bashkisë Elbasan, z. Gledian Llatja, Bashkëdrejtorët Ekzekutivë të AADF-së, z. Aleksandër Sarapuli & z. Martin Mata, Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, z. Blendi Gonxhja, si edhe Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, z. Arbjan Mazniku

Kryetari i Bashkisë Elbasan, z. Gledian Llatja, theksoi rëndësinë e këtij projekti për qytetin, duke e konsideruar si një mundësi të shkëlqyer për zhvillimin e Elbasanit si një destinacion turistik të rëndësishëm. Ai u shpreh se ky projekt do të sjellë përfitime të mëdha për komunitetin dhe do të krijojë mundësi të reja pune dhe zhvillimi ekonomik.

“Puna jonë e përditshme, e dedikuar terësisht për qytetin dhe qytetarët pa dallim është shënjim i një vale të re transformimesh për qytetin, ku historia dhe progresi ndërthurren për të sjellë mundësi të reja duke e kthyer Elbasanin në një pikë referimi të asaj çka sjell puna e njerëzve të zakonshëm në të mirë të vendit”.

Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) do të kontribuoj me mbështetje financiare dhe përvojën e tij të pasur në realizimin e projekteve të ngjashme në qytete të tjera të Shqipërisë si Shkodra, Korça, Berat, Kruja, Gjirokastra dhe Vlora. Ky angazhim do të sigurojë një plan të mirëfilltë dhe një ndërhyrje të suksesshme për revitalizimin e lagjes Kala.

 AADF ka pasur një impakt të dukshëm në zhvillimin e biznesit dhe turizmit në disa qytete të Shqipërisë. Disa nga rezultatet e suksesshme të projekteve të realizuara përfshijnë mbështetje për më shumë se 1,050 biznese, rritje të vizitave turistike me mbi 110% dhe një vlerë të shtuar prej 120 milionë dollarë në zonat e zhvilluara.

Objektivat kryesore të projektit përfshijnë, rikualifikimin e lagjes Kala të Elbasanit dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore. Krijimin e një koncepti zhvillimi dhe një modeli administrimi duke bashkëvepruar me bizneset dhe banorët e zones. Promovimin e Elbasanit si destinacion turistik dhe ofrimin e mundësive për sipërmarrësit lokalë.

Faza e parë e projektit do të përfshijë analizën e të dhënave dhe përgatitjen e një koncepti zhvillimi, si dhe të një projekti teknik për dy zona kryesore të lagjes Kala.

Ky projekt përfaqëson një hap të rëndësishëm në zhvillimin e qytetit dhe përmirësimin e kushteve të jetesës për banorët e lagjes Kala, duke ofruar mundësi të reja për të gjithë ata që kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të zonës.

“Fit për Jetën” në Elbasan:  Kujdes dhe mbështetje për 350 të moshuar

 Viti 2025 ka nisur me një tjetër arritje të rëndësishme për qytetarët e Elbasanit!

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, dhe ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, znj. Albana Koçiu, kanë nënshkruar një marrëveshje e cila sjell në Elbasan shërbimin inovativ “Fit për Jetën”, një projekt pjesë e Fondit Social që synon të transformojë kujdesin për të moshuarit në komunitet.

Me krijimin e 5 qendrave të reja komunitare, Bashkia Elbasan i jep përparësi mbështetjes së të moshuarve, duke ofruar fizioterapi, mbështetje psikologjike dhe aktivitete sociale që promovojnë një jetë më aktive, të sigurt dhe të shëndetshme.

Këto qendra do të shërbejnë për 350 të moshuar, duke i ndihmuar ata të ndihen pjesë aktive e komunitetit, me një fokus të veçantë te mirëqenia dhe cilësia e jetës së tyre.

“Fit për Jetën” nuk është vetëm një projekt, por një dëshmi e angazhimit tonë për një shoqëri që kujdeset për të gjithë qytatarët e saj, duke përfshirë dhe respektuar çdo brez. Kjo është vetëm fillimi i përpjekjeve tona për një Elbasan më të mirë për të gjithë”, tha kreu i bashkisë z. Gledian Llatja.

Dru zjarri  në ndihmë të shtresave në nevojë me çmim të ulët dhe pa ndërmjetës


Edhe këtë vit, Bashkia e Elbasanit ka ndërmarrë iniciativa në ndihmë të shtresave në nevojë. Në kuadër të këtyre nismave, Bashkia do të ofrojë lëndë drusore për familjet në vështirësi, me kosto shumë më të ulët se sa në treg.

Kreu i Bashkisë, Z. Gledian Llatja, ka vizituar fushën e druve, ku është shprehur se “Bashkia e Elbasanit ka shumë vite që ofron shfrytëzimin e fondit pyjor për qytetarët në nevojë, duke dhënë të gjithë materialin drusor për ta, dhe jo për palët e treta.”

Ai ka theksuar se Bashkia e Elbasanit, fillimisht, siguron lëndën drusore për qytetarët në qytet dhe më pas për njësitë administrative që nuk kanë fond pyjor për shfrytëzim. Ky material përdoret kryesisht për ngrohje në dimër dhe ka një çmim shumë herë më të ulët se sa ai i tregut.

“Ky proces kryhet plotësisht nga Bashkia e Elbasanit për të ardhur në ndihmë familjeve në nevojë, për pensionistët dhe ata që kanë nevojë për dru zjarri. Më pas, do të vijojmë me furnizimin për fshatrat si Bradashesh, Labinot, Fushë, Gjergjan, Shirgjani dhe të gjitha njësitë administrative të tjera që janë në nevojë për dru zjarri,”  shtoi Llatja.

Faza e parë e këtij projekti është përmbyllja e nevojave për ngrohje në kopshte, çerdhe dhe shkolla, përfshirë ato në qytet dhe në disa njësive administrative. Shumë shkolla janë pajisur me sisteme ngrohjeje me pelet, ndërsa në disa zona rurale ngrohja realizohet me dru.

“Ne do të vazhdojmë me shpërndarjen e druve për qytetarët dhe shtresat në nevojë, pasi çmimi që ofron Bashkia është 20% më i ulët sesa çmimi në tregun e Elbasanit,”  përfundoi ai.

Ky program ka pasur interes të madh nga qytetarët, të cilët janë përpjekur të sigurojnë drutë për ngrohje gjatë muajve të dimrit, duke përfituar kështu nga mundësitë e ofruara nga Bashkia.

Rruga “Ahmet Gashi” në Lagjen Skënderbej po i nënshtrohet një transformimi të plotë pas 30 vitesh

Rruga “Ahmet Gashi” në Lagjen Skënderbej është duke kaluar një proces tërësor ristrukturimi, pas më shumë se 30 vitesh pa asnjë ndërhyrje. Aktualisht, e gjithë rruga është shtruar me asfalt, dhe kanë mbetur vetëm disa punime të vogla për t’u përfunduar plotësisht.

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, ka inspektuar nga afër këtë investim të rëndësishëm në një nga lagjet më të mëdha të qytetit, duke theksuar se asfaltimi ishte një nevojë imediate për banorët.

Kjo lagje ka qenë prej kohësh në qendër të vëmendjes së Bashkisë Elbasan. Tre vite më parë, Bashkia ndërhyri me një investim total në rrugën “Iljaz Kosova”, ndërsa më pas vijoi me projekte për kanalizimet, ujësjellësin dhe zgjidhjen e problematikave të tjera. Në këtë vijë investimesh, projekti i fundit për ristrukturimin e rrugës “Ahmet Gashi” është një hap tjetër drejt urbanizimit të plotë të kësaj zone.

Sipas kryetarit Llatja, rruga “Ahmet Gashi” lidhet me Kombinatin e Drurit, i cili është shpallur Zonë e Lirë Ekonomike. Ai theksoi se, paralelisht, Bashkia po përgatitet të nisë një tjetër investim në këtë zonë për të vijuar procesin e formalizimit të zonave informale.

Ky investim është mirëpritur nga banorët e zonës, të cilët prej dekadash nuk kishin parë ndërhyrje të kësaj natyre në infrastrukturën rrugore. Kryetari i Bashkisë premtoi se çdo rrugë në qytet dhe zonat informale do të përfshihen në projekte investimi, por gjithçka kërkon kohë për shkak të madhësisë të Bashkisë Elbasan, që përfshin edhe një numër të madh fshatrash.

“Ne jemi të vendosur të vazhdojmë investimet në të gjitha lagjet dhe fshatrat e Elbasanit. Edhe pse gjithçka kërkon kohën e saj, e ardhmja do të sjellë më shumë projekte dhe transformime për qytetarët tanë,” përfundoi Llatja.

Urbanizim dhe Transformim: Gledian  Llatja përfundon investimin strategjik në Lagjen ‘5 Maji'”

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja shoqëruar nga deputetja Evis Kushi inspektoi përfundimin e punimeve në rrugët “Anastas Paparisto” dhe “Hasan Dylgjeri”, që lidhin lagjen “5 Maji” me fshatin Mengël të Njësisë Administrative Labinot Fushë. Kjo lagje, e cila prej më shumë se 30 vitesh nuk kishte përfituar asnjë ndërhyrje, është transformuar rrënjësisht me asfaltimin e një segmenti prej 1.5 km. Nga një zonë informale, ajo tashmë ka kaluar në një zonë urbane me standarde të reja.

“Kjo zonë ka shumë ndërtime të reja. Para disa kohësh ne ndërhymë në KUZ dhe në furnizimin me ujë të pijshëm, ndërsa sot kemi realizuar edhe asfaltimin e dy rrugëve kryesore. Segmenti 1.5 km e ka kthyer këtë lagje në një pjesë integrale të qytetit dhe shumë shpejt do të vendosim edhe sistemin e ndriçimit”, deklaroi kryebashkiaku Llatja.

Rruga ka formën e një unaze, duke përshkuar të gjithë zonën nga Hotel Mondial deri te Teqeja e Madhe dhe më pas vijon drejt Mengëlit. Kjo lidhje ka një ndikim të madh ekonomik dhe i shërben mbi 500 familjeve dhe rreth 3000 banorëve që tani kanë akses të lehtësuar dhe kushte shumë më të mira.

Gjatë inspektimit, kryetari Llatja theksoi rëndësinë e këtij investimi për përmirësimin e jetesës së banorëve të zonës. “Kjo zonë ishte një premtim i bërë një vit e gjysmë më parë, dhe sot premtimi është mbajtur, duke sjellë gëzim për banorët. Kujtoj se katër vite më parë, kur erdhëm këtu, shihnim vetëm përmbytje dhe gardhe të prishura. Sot, falë këtij investimi, lagjja është transformuar, duke reflektuar një standard të ri urbanizimi. Nuk do të ndalemi këtu, por do të vazhdojmë të përmbushim çdo kërkesë të qytetarëve”, tha ai.

Deputetja e zonës, Evis Kushi, falënderoi kryetarin e bashkisë për miratimin e buxhetit të vitit 2025, që sipas saj reflekton prioritetet dhe nevojat kryesore të banorëve të Elbasanit. “Në një periudhë të shkurtër kohe, kjo zonë ka përfituar një infrastrukturë cilësore dhe investimet nuk do të ndalen këtu”, tha ajo.

Ndërkohë, kryetari Llatja nënvizoi se buxheti i vitit 2025 ka një rritje prej 5.8%, duke u fokusuar te një sërë projektesh të reja, falë edhe mbështetjes së qeverisë. “Një nga prioritetet tona mbetet lehtësimi i trafikut në qytet, i cili është bërë më i rënduar kohët e fundit për shkak të shtimit të mjeteve. Ne po punojmë për t’u dhënë përparësi rrugëve dhe infrastrukturës moderne”, theksoi ai.

Lagjja “5 Maji” ka përfituar jo vetëm një rrugë të re, por edhe një rritje të cilësisë së jetesës. Në këtë zonë ndodhen objekte kulti, si xhamia dhe teqeja, si dhe një ambulancë që u shërben banorëve.

Kryetari i Bashkisë, Gledian Llatja, u shpreh se ky është vetëm një nga projektet e shumta që do të transformojnë qytetin dhe fshatrat përreth, duke sjellë mundësi më të mira për të gjithë qytetarët.