Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Muaj: Mars 2025

Elbasani vishet me ngjyrat e Ditës së Verës, festime në çdo cep të qytetit

Elbasani po zbukurohet çdo ditë e më shumë në pritje të Ditës së Verës. Rrugët, sheshet dhe parqet janë veshur me një dekor të veçantë ku mbizotërojnë e kuqja dhe e bardha – ngjyrat simbol të pranverës, të cilat sjellin gëzim dhe ngrohtësi në çdo cep të qytetit. Lule shumëngjyrëshe dhe shirita festivë valëviten në rrugët kryesore, duke krijuar një atmosferë magjike që paralajmëron ardhjen e festës më të dashur për elbasanasit.

Në Parkun Rinia, fëmijët kanë nisur tashmë koncertet e tyre, duke sjellë gjallëri dhe emocion me këngë e valle festive. Zëri i tyre kumbon në gjithë parkun, duke tërhequr kalimtarë e familjarë që ndalen për të shijuar atmosferën. E gjithë zona është e mbushur me të qeshura fëmijësh, lodra dhe tullumbace shumëngjyrëshe, duke e bërë parkun një nga epiqendrat e festimeve.

Në çdo cep të qytetit, aroma e ballokumeve të sapopjekura ka nisur të përhapet, duke ngacmuar kujtimet e festave të shkuara. Dyqanet e ëmbëlsirave janë mbushur me tabaka plot me këtë ëmbëlsirë tradicionale, ndërsa tregtarët i ofrojnë me krenari si pjesë të pandashme të festës.

Nga sheshi kryesor e deri në rrugicat e lagjeve, Elbasani po jeton plotësisht atmosferën e Ditës së Verës. Festimet kanë nisur dhe qyteti po përgatitet për kulmin e festës, duke ruajtur një traditë shekullore që e bën këtë ditë të paharrueshme për të gjithë.

Vreshtan, nis asfaltimi i unazës së fshatit.  Së shpejti investime edhe në kanalizime

Në fshatin Vreshtan të Njësisë Administrative Shushicë ka nisur shtrimi me asfalt i unazës së fshatit, një investim i shumëpritur nga banorët. Ndërkohë, Bashkia Elbasan ka në plan të nisë së shpejti edhe ndërtimin e rrjetit të kanalizimeve të ujërave të zeza në lagjet e tjera të zonës.

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, gjatë inspektimit të këtij investimit, u shpreh se ky projekt është realizuar si përgjigje ndaj kërkesave të banorëve edhe gjatë takimeve të Buxhetimit me Pjesëmarrje, si një problem i trashëguar për ta, dhe është pjesë e një vëmendjeje të shtuar ndaj Njësisë Administrative Shushicë.

“Ky investim ka qenë një kërkesë e vazhdueshme e banorëve, por puna nuk ndalet këtu. Do të vijojmë me ndërtimin e rrjetit të kanalizimeve të ujërave të zeza edhe në lagje të tjera të Vreshtanit, për të përmirësuar më tej infrastrukturën e kësaj zone,” deklaroi Llatja.

Sipas tij, investimet në këtë njësi administrative do të vazhdojnë, pasi fshatrat pranë qytetit kërkojnë urbanizim të ngjashëm me lagjet periferike të Elbasanit.

Nga ana e tij, kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, theksoi se kjo njësi e madhe administrative ka marrë një vëmendje të veçantë nga bashkia vitet e fundit, jo vetëm për shkak të numrit të madh të banorëve, por edhe për problematikat infrastrukturore.

 ” Në Vreshtan kemi ndërhyrë fillimisht në rrugën e shkollës, duke e zgjidhur këtë problem një vit më parë për nxënësit dhe banorët e zonës. Më pas kemi vijuar me investime në lagjen Kodër, e cila ka pasur vështirësi për shkak të terrenit malor dhe rrezikut nga reshjet”, shtoi ai.

Ky projekt është realizuar në bashkëpunim mes Bashkisë Elbasan dhe Këshillit të Qarkut, duke sjellë përfitime për mbi 500 banorë të zonës. Në vijim, pritet të nisë puna për zgjerimin e rrjetit të kanalizimeve dhe ndërhyrje të tjera infrastrukturore.

Bashkia, njofton kufizimin e përkohshëm të qarkullimit të mjeteve në kuadër të festimeve të Ditës së Verës nga data 12- 16 mars

Në kuadër të festimeve që Bashkia Elbasan organizon me rastin e festës tradicionale të Ditës së Verës, në disa akse rrugore do të ketë kufizim të përkohshëm të qarkullimit të mjeteve dhe vendqëndrimit të tyre.

Sa më sipër, Bashkia Elbasan njofton qytetarët për organizimin e një sërë aktivitetesh festive dhe sportive në datat 12-16 mars 2025.

Programi i Aktivitetevet:

✅12-13 Mars 2025

Aktivitete festive në segmentin nga Teatri “Skampa” deri te rrethrrotullimi i “1 Majit”. (aksi bllokohet 24 orë)

Qytetarët do të mund të shijojnë muzikë, valle dhe ushqime tradicionale në një atmosferë festive.

✅14 Mars 2025

Dita e Verës, një festë tradicionale shqiptare që simbolizon rigjenerimin e natyrës dhe ardhjen e pranverës.

Aktivitetet do të zhvillohen në segmentin nga Stadiumi “Elbasan Arena” deri te rrethrrotullimi i “1 Majit”. (aksi rrugor qëndron i bllokuar 24 orë)

Qytetarët do të festojnë me muzikë, valle dhe ushqime tradicionale, ku ballokumja mbetet ëmbëlsira simbol e festës.

✅15 Mars 2025

Panairi “Retro Bazzar”, një ekspozitë e makinave klasike që rikthen atmosferën e viteve të kaluara.

Aktivitetet do të zhvillohen në segmentin nga Teatri “Skampa” deri te rrethrrotullimi i “1 Majit”. (aksi bllokohet 24 orë)

Ky panair ka tërhequr gjithmonë vëmendjen e qytetarëve dhe vizitorëve, duke ofruar një shfaqje unike të automjeteve historike të ruajtura me kujdes.

✅16 Mars 2025 (ora 08:00 deri në përfundimin e aktivitetit)

Gara çiklistike “Trofeu Dita e Verës”, e organizuar nga Federata Shqiptare e Çiklizmit në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar dhe Bashkinë Elbasan.

Në këtë garë do të marrin pjesë 90 çiklistë nga klube të ndryshme, të cilët do të ndjekin itinerarin e mëposhtëm:

• Starti: Bulevardi “Aqif Pasha”

• Xhiro cirkuit (10 xhiro) për kategoritë Junior/U23/Elitë — ora 10:00

• Distanca totale: 59.2 km

Kufizime të qarkullimit më 16 mars:

Për të garantuar mbarëvajtjen dhe sigurinë e aktivitetit, do të ketë kufizime të qarkullimit në këto rrugë prej orës 08:00 deri në përfundim të aktivitetit:

• Bulevardi “Aqif Pasha”

• Rruga “Muhamet Karadaku”

• Rruga “Ismail Zyma”

• Rruga “Shën Thanasi”

• Rruga “Papa Jorgji Theofari”

• Rruga “Abedin Caushi”

• Rruga “Kozma Naska”

• Rruga “Kamber Sejdini”

Policia Rrugore Elbasan në bashkëpunim me Policinë Bashkiake do të marrin masa të plota sigurie për mbylljen e kryqëzimeve dhe degëzimeve me risk, si dhe do të sigurojë shoqërimin e çiklistëve gjatë gjithë garës.

Ftojmë qytetarët dhe vizitorët të bëhen pjesë e këtyre festimeve dhe aktiviteteve, të cilat synojnë të sjellin një atmosferë të gjallë dhe festive në qytetin e Elbasanit.

📍Për më shumë informacion, kontaktoni Bashkinë Elbasan në:

📞Tel: +355 54 400152

📧Email: bashkiaelbasan@elbasani.gov.al

🌍Ëeb: http://xn--cdaaa.elbasani.gov.al/

Bashkia Elbasan falënderon qytetarët për mirëkuptimin dhe mbështetjen e tyre.

NJOFTIM PËR QYTETARËT

Parkimi i mjeteve gjatë aktiviteteve festive dhe sportive në Elbasan

Në kuadër të organizimit të aktiviteteve festive dhe sportive për Ditën e Verës në datat 12-16 mars 2025, Bashkia Elbasan dhe Policia Rrugore njoftojnë qytetarët dhe vizitorët për masat e marra në lidhje me qarkullimin dhe parkimin e mjeteve.

Për të shmangur trafikun dhe për të siguruar një lëvizje sa më të lehtë gjatë festimeve, ndalohet parkimi i mjeteve në qendër të qytetit dhe përgjatë bulevardit “Aqif Pasha”. Për këtë arsye, janë përcaktuar hapësira të veçanta parkimi për mjetet që vijnë nga drejtime të ndryshme:

🚗Për mjetet që vijnë nga lindja (Ura e Ballallit):

👉Parkimi te Parku i Mallrave

🚗Për mjetet që vijnë nga jugu (Kryqëzimi i Cërrikut):

👉Parkimi te Shkolla e Formimit Profesional

🚗Për mjetet që vijnë nga perëndimi (Kryqëzimi i Luleve):

👉Parkimi te Shkolla Profesionale “Sali Ceka” dhe në afërsi të Doganës

👮Policia Rrugore do të monitorojë trafikun dhe do të drejtojë mjetet drejt zonave të parkimit të përcaktuara.

Ftojmë qytetarët të respektojnë këto rregullime për të garantuar një festë të sigurt dhe të qetë për të gjithë.

📍Për më shumë informacion, kontaktoni Bashkinë Elbasan në:

📞Tel: +355 54 400152

📧Email: bashkiaelbasan@elbasani.gov.al

🌍Ëeb: http://xn--cdaaa.elbasani.gov.al/

Ju falënderojmë për bashkëpunimin!

Elbasani nis festimet për Ditën e Verës: Një javë e mbushur me ngjyra, muzikë dhe traditë.

 Kryeqyteti i pranverës ka nisur sot festimet për Ditën e Verës, duke e kthyer qytetin në një skenë të gjallë plot muzikë, ngjyra dhe atmosferë festive. Si çdo vit, Elbasani mirëpret mijëra vizitorë nga e gjithë Shqipëria, të cilët bashkohen në një festë që mishëron traditën, kulturën dhe gëzimin e ardhjes së pranverës.

Festimet u hapën me aktivitetin “Trashëgimia në duart e vogla”, ku fëmijët e kopshteve të qytetit shfaqën talentin e tyre përmes lojërave tradicionale, punimeve artistike dhe këngëve festive.

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, në fjalën e tij përshëndeti të pranishmit dhe theksoi se këtë vit festimet do të zgjasin një javë, me një program të pasur që kulmon më 15 Mars, kur qyteti do të kthehet në një arenë të madhe festive.

“Elbasani e jeton ndryshe Ditën e Verës dhe këtë vit kemi zgjeruar aktivitetet për ta bërë këtë festë edhe më të veçantë. Nga defiletë e kostumeve tradicionale, koncertet e mëdha, ekspozitat dhe panairet e kulinarisë, deri tek aktivitetet për fëmijë dhe të rinj, Elbasani do të jetë epiqendra e festimeve pranverore.”

Një javë festive plot surpriza

Mbrëmjen e 12 Marsit rikthehet Defileja e Kostumeve Tradicionale, një paradë që do të sjellë në skenë kulturën dhe folklorin e trevave shqiptare.

13 Marsi do të sjellë atmosferën e zjarrtë të Natës së Verës, ku koncertet dhe performancat artistike do të zgjasin deri në orët e para të mëngjesit.

Në 14 Mars, një program i pasur me aktivitete do të kulmojë me super koncertin e mbrëmjes, ndërsa më 15 dhe 16 Mars festimet do të vijojnë me aktivitete për fëmijë, panaire tradicionale dhe evente kulturore.

“Këtë vit, Elbasani është gati të mirëpresë të gjithë ata që duan ta jetojnë këtë festë në zemër të traditës.  Ju ftoj të gjithë, kudo që ndodheni, të vini në Elbasan dhe të festojmë së bashku këtë trashëgimi të bukur, duke sjellë energji, gëzim dhe dashuri për një pranverë të mbarë”, tha Llatja.

Gëzuar 7 Marsin, Mësues të dashur!

Kjo është dita kur festojmë rolin tuaj të paharrueshëm në jetët tona. Është një ditë e veçantë për të nderuar përkushtimin tuaj, pasi ju keni shndërruar njohuritë në pasione, sfidat në suksese dhe çdo ditë në një mundësi për rritje.

Kënaqësia më mbushet të filloj ditën me një takim të veçantë me ju, mësuesit që, prej vitesh, keni formësuar karakterin e brezave dhe keni edukuar qytetarë të mirë e të zotë. Çdo fjalë, çdo mësim dhe çdo përpjekje e juaj ka qenë një gur themelor në ndërtimin e të ardhmes sonë. Ju keni qenë udhërrëfyesi dhe frymëzuesi ynë në çdo hap të rrugëtimit, duke na dhënë besimin që çdo sfidë mund të tejkalojë me durim dhe përkushtim.

Mirënjohja ime është pak për ju, heronjtë e heshtur që çdo ditë na mësoni si të përmirësohemi dhe të lartësohemi. Faleminderit që na keni mësuar se arsimi është çelësi i hapjes së dyerve të të ardhmes, dhe që me pasionin tuaj keni ndriçuar rrugën tonë drejt ëndrrave. Ju jeni drita që na udhëheq në errësirën e sfidave dhe burim frymëzimi për të ndjekur gjithmonë ëndrrat tona.

Në këtë ditë të shënuar, ju uroj një ditë plot me lumturi, respekt dhe mirënjohje, ashtu siç meritoni. Gëzuar 7 Marsin, dhe faleminderit për çdo moment ku na keni mësuar jo vetëm fakte, por edhe vlera jetësore që na forcojnë çdo ditë.

Fush Bulli, nga një fshat i harruar në një destinacion turistik

Fush Bulli, dikur një fshat i vështirë për t’u aksesuar, po shndërrohet në një destinacion turistik tërheqës falë investimeve në infrastrukturë. Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, bashkë me deputeten Desantila Tahoraj dhe kryetarin e Këshillit Bashkiak, Lutfi Lala, inspektuan punimet për shtrimin me asfalt të rrugës që lidh qendrën e njësisë administrative Shushicë me fshatin Fush Bulli, një zonë me potencial të jashtëzakonshëm turistik.

Dikur një vend i vështirë për t’u aksesuar, Fush Bulli po shndërrohet në një pol të zhvillimit turistik falë investimeve në infrastrukturë. Rruga e re, e gjatë 7 kilometra, tashmë përshkohet për vetëm 12 minuta, një ndryshim i madh krahasuar me vitin 2021, kur kjo distancë kërkonte rreth 50 minuta dhe mjete të larta për të kaluar terrenin e vështirë malor.

“Kjo zonë gjithmonë ka pasur një potencial të madh turistik, por mungesa e infrastrukturës e kishte lënë thuajse të izoluar. Sot, me këtë rrugë të re, jo vetëm banorët e zonës do të kenë një lidhje më të lehtë me qytetin, por edhe ekonomia lokale do të marrë një shtysë të madhe,” u shpreh kryetari i Bashkisë gjatë inspektimit.

Investimi ka sjellë një transformim të rëndësishëm, duke e bërë zonën më të aksesueshme jo vetëm për banorët, por edhe për vizitorët që kërkojnë natyrën e paprekur dhe turizmin malor. Fillimisht e parashikuar për t’u shtruar me zhavorr, rruga me asfalt është realizuar me standarde të qëndrueshme, duke i dhënë kështu një vlerë të shtuar zhvillimit të turizmit në këtë zonë malore të Elbasanit.

Investimet në Shushicë vijojnë edhe në lagjen Baldavere

Shushica, një nga njësitë administrative më të mëdha të Bashkisë Elbasan, po vijon të përfitojë investime të rëndësishme infrastrukturore. Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, së bashku me deputeten e zonës, Desantila Tahiraj, dhe kryetarin e Këshillit Bashkiak, Lutfi Lala, inspektuan nga afër punimet që po kryhen në lagjen Baldavere, ku po realizohet një investim i rëndësishëm për komunitetin.

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, tha se ” Shushica është një nga njësitë tona më të mëdha administrative, dhe fshati Shushicë është gjithashtu një nga fshatrat më të mëdhenj. Kemi investuar në vazhdimësi gjatë këtyre viteve në rrugën kryesore të fshatit, në rrugën e varrezave, në prita lumore, në ura, në pastrimin e përroit të Gurrës, si dhe në investime të tjera në shkollën e Shushicës dhe në terrene sportive. Sot kemi në fokus shtrimin e rrugëve të lagjeve të brendshme të fshatit Shushicë. Këtu jemi në lagjen Baldavere, ku ky investim i shërben të gjithë komunitetit”. 

Po shtrohen rreth 1.7 km rrugë në rrugën kryesore me gjerësi 4 metra dhe 1.2 km rrugë të brendshme me gjerësi 3 metra, sipas standardeve të rrugëve rurale. Ky është një investim i shumëkërkuar nga banorët dhe ndihmon në urbanizimin e lagjes Baldavere, duke e afruar më shumë me qendrën dhe qytetin.

” Shushica është një nga potencialet tona më të mëdha turistike dhe, bashkë me projektin për urën e Shushicës dhe by-pass-in e Elbasanit, që pritet të nisë këtë vit, kjo zonë do të shndërrohet në një lagje periferike të qytetit të Elbasanit. Ne po vijojmë me investimet për ta bërë këtë realitet,” shtoi Llatja.

Deputetja Desantila Tahiraj vlerësoi investimin, duke theksuar rëndësinë e tij për rreth 2,000 banorët e zonës, ndërsa banorët shprehën mirënjohjen për këtë ndërhyrje të rëndësishme, e cila lehtëson ndjeshëm lëvizjen dhe përmirëson kushtet për fermerët dhe komunitetin.

Falë këtyre investimeve, Shushica po fiton një qasje të re infrastrukturore, duke u bërë një zonë gjithnjë e më e integruar me qytetin e Elbasanit dhe duke garantuar kushte më të mira jetese për banorët e saj.