Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Muaj: Maj 2025

Shkolla “Shushicë” drejt transformimit të shumëpritur!

Një kapitull i ri po hapet për shkollën 9-vjeçare “Shushicë”, e cila do t’i nënshtrohet një rikonstruksioni tërësor, duke përmirësuar ndjeshëm kushtet për 314 nxënës dhe 33 mësues që punojnë çdo ditë për edukimin e brezit të ri.

Ky investim do të sjellë një transformim rrënjësor të infrastrukturës, duke garantuar ambiente moderne, të sigurta dhe dinjitoze për nxënësit dhe stafin mësimor.

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, theksoi se arsimi mbetet një nga prioritetet kryesore të investimeve. Krahas shkollës “Shushicë”, në proces rikonstruksioni do të hyjnë edhe shkolla 9-vjeçare “Naim Frashëri” dhe gjimnazi i njohur “Dhaskal Todri”, institucione me rëndësi të veçantë për qytetin.

Një tjetër investim i rëndësishëm në arsim: Rikonstruksion i plotë i gjimnazit “Dhaskal Todri”

Një tjetër hap madhor në përmirësimin e infrastrukturës arsimore në Elbasan është bërë realitet. Gjimnazi “Dhaskal Todri”, një nga institucionet më të njohura të dijes në qytet, do të rikonstruktohet tërësisht, duke u kthyer në një mjedis modern dhe të denjë për qindra nxënës dhe mësues.

Ky projekt, i shumëpritur prej vitesh, pritet të sjellë përfitime të drejtpërdrejta për 607 nxënës dhe 42 mësues, të cilët do të punojnë dhe mësojnë në kushte bashkëkohore, me standarde të larta sigurie dhe funksionaliteti.

Përmes këtij investimi, Bashkia e Elbasanit synon të krijojë hapësira që, edukojnë dhe përgatisin gjeneratat e ardhshme për sfidat e kohës.

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, u shpreh se “investimi në arsimin cilësor është investim në të ardhmen e qytetit tonë. Rikonstruksioni i Gjimnazit ‘Dhaskal Todri’ është një premtim i mbajtur dhe një hap konkret drejt krijimit të kushteve më të mira për nxënësit dhe mësuesit tanë. Elbasani meriton shkolla dinjitoze dhe bashkëkohore, dhe ky është vetëm fillimi.”

Ky lajm vjen vetëm pak ditë pas njoftimit për nisjen e rikonstruksionit të shkollës 9-vjeçare “Naim Frashëri”, duke treguar një angazhim të qëndrueshëm për zhvillimin e sektorit të arsimit në qytet.

Teatri “Skampa” për dy javë radhazi në duart e të rinjve: Maratona Rinore drejt finales së madhe

Qindra të rinj nga gjimnazet e Elbasanit kanë mbushur sallat e Teatrit “Skampa” në kuadër të aktiviteteve të Maratonës Rinore, një ngjarje që prej 29 vitesh promovon talentin e ri në artet skenike. Këngë, aktrim, kërcim dhe performanca të ndryshme kanë qenë në qendër të këtij maratone kulturore, e cila këtë vit ka tërhequr jo vetëm pjesëmarrës, por edhe një publik të gjerë admirues.

Nën kujdesin e Bashkisë së Elbasanit dhe Qendrës së Artit, të rinjtë janë përgatitur me përkushtim nën drejtimin e stafit të Teatrit “Skampa”, duke sjellë një nivel të lartë interpretimi në skenë. Organizatorët theksojnë se aktiviteti synon jo vetëm argëtimin, por edhe zbulimin dhe promovimin e talenteve të reja, disa prej të cilëve sot janë emra të njohur të skenës shqiptare.

Kryetari i Bashkisë ka shprehur mbështetjen e tij për këtë nismë, duke e cilësuar atë si një urë lidhëse mes artit dhe brezit të ri, si dhe ka premtuar një edicion jubilar akoma më madhështor për vitin e ardhshëm, kur Maratona shënon 30-vjetorin e saj.

Finalja e Maratonës Rinore do të zhvillohet më 7 maj, me një spektakël të shumëpritur që pritet të kulmojë këtë periudhë intensive artistike.

Homazhe në nder të dëshmorëve të Atdheut

Sot, në Ditën e Dëshmorëve, 5 Majin, kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja i shoqëruar nga qindra qytetarë, përfaqësues të familjeve të dëshmorëve, veteranë të luftës, si dhe kandidatët për deputetë të Partisë Socialiste, zhvilluan homazhe pranë Varrezave të Dëshmorëve në qytet, në nderim të atyre që dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë e vendit.

Në një ceremoni të mbushur me ndjenjë të thellë respekti dhe mirënjohjeje, u vendosën kurora dhe lule pranë lapidarit.

Me këtë rast, kryetari i Bashkisë Gledian Llatja pohoi se “në Ditën e Dëshmorëve, përulemi me respekt dhe mirënjohje të thellë para sakrificës sublime të bijve dhe bijave të këtij vendi, që dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë. Lavdi përjetë dëshmorëve të kombit.”

5 Maji është një ditë kujtese dhe reflektimi, që na rikujton me dinjitet rrugën e vështirë, por të lavdishme të ndërtimit të një Shqipërie të lirë dhe të pavarur. Bashkia Elbasan, në bashkëpunim me komunitetin, mbetet e përkushtuar në ruajtjen e vlerave historike dhe nderimin e figurave që i dhanë jetën vendit.

NJOFTIM

Njoftohen të gjithë subjektet taksapagues që ushtrojnë aktivitet ekonomik ose zotërojnë një apo më shumë prona (të kategorisë njësi shërbimi) në territorin e Bashkisë Elbasan se në zbatim të Vendimit të Këshillit Bashkiak nr. 139 datë 26.12.2024 janë gjeneruar taksat dhe tarifat vendore për vitin 2025. Afati i pagesës së taksave dhe tarifave vendore për vitin 2025 është data 31 Korrik 2025.

Pagesa e detyrimit tatimor mund të kryhet pranë Postës Shqiptare, bankave të nivelit të dyte ose Unionit Financiar. Për mospagesë në afatin e caktuar aplikohet kamatvonesë në masën 1.8% çdo muaj, por jo më shumë se 12 muaj.

Për pagesat që kryhen pas datës 31 korrik 2025 nis aplikimi i masave shtrënguese të parashikuara në ligjin nr. 9920 datë
19.05.2008 “Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar.

Për çdo paqartësi dhe informacion si dhe për të tërhequr faturën e detyrimit tatimor, ju lutem paraqituni pranë sportelit të shërbimit të D.T.T.V.T.-së pranë bashkisë.

Faleminderit!

Homazhe në nder të artistit Eduart Çala (1950–2025)Një jetë e tërë përkushtuar skenës, artit dhe qytetit të Elbasanit

Qindra qytetarë të Elbasanit, artistë, miq, kolegë, politikanë, përfaqësues të institucioneve dhe dashamirës të artit kanë marrë pjesë sot në homazhet dhe ceremoninë mortore për t’i dhënë lamtumirën e fundit aktorit të njohur Eduart Çala.
Ceremonia u zhvillua në ambientet e Teatrit “Skampa”, aty ku Eduarti kaloi mbi katër dekada të jetës së tij artistike dhe la një trashëgimi të paharrueshme.
Për nder të tij u mbajtën homazhe të përshkruara nga emocionet dhe mirënjohja për kontributin e jashtëzakonshëm të këtij artisti të madh, qytetari të dashur dhe njeriu të mirë, që u nda nga jeta një ditë më parë, në moshën 75-vjeçare.

Me një ndjesi të thellë dhimbjeje, qyteti i Elbasanit dhe e gjithë bota artistike shqiptare përkulen sot me nderim përballë figurës së Eduart Çalës, një artist i përkushtuar, një njeri i qetë e fisnik, që ia fali jetën skenës së teatrit dhe ekranit të filmit shqiptar.

Eduart Çala lindi më 19 shtator 1950 në Elbasan, ku do të shfaqte që herët prirjen e tij për artin dhe skenën. Edhe pse rrugëtimi i tij arsimor nuk e çoi drejt Akademisë së Arteve, dashuria për teatrin nuk u zbeh asnjëherë. Ai u diplomua në Institutin Pedagogjik “Aleksandër Xhuvani” për Gjuhë-Letërsi, por pasioni i tij i vërtetë do të mbetej gjithmonë skena.

Që nga interpretimi i tij i parë në shkollë me pjesën “Udha e Zavalinëve”, ai e kuptoi se skena ishte vendi ku përkiste. Në vitin 1971 u bë pjesë e trupës profesioniste të Teatrit “Skampa” – institucionit ku do të punonte me përkushtim të jashtëzakonshëm për mbi katër dekada, derisa doli në pension, po aty ku e nisi. Me më shumë se 60 role në shfaqje teatrore, ai u shqua për një spektër të gjerë karakteresh, nga më të vështirat te më të thjeshtat, duke i trajtuar të gjitha me të njëjtin profesionalizëm, ndjeshmëri dhe pasion.

Kontributi i tij në art nuk u ndal në teatër. Eduart Çala la gjurmë edhe në kinematografinë shqiptare me role të spikatura në disa filma artistikë, si: “Përtej mureve të gurta”, “Një natë Nëntori”, “Partizani i vogël Velo”, “Pranverë e hidhur”, “Një jetë me shumë”, “Kronikë e atyre viteve”, “Tre veta kapërcejnë malin” dhe “Ngjyrat e moshës”.

Ai ishte gjithashtu një regjisor i dashur për fëmijët, duke sjellë dhjetëra shfaqje në skenën e Teatrit të Kukullave në Elbasan, si dhe një figurë e dashur për publikun si prezantues në festivale, koncerte e aktivitete kulturore në qytet dhe më gjerë.

Për kontributin e tij të pashoq, ai u vlerësua me medaljen “Naim Frashëri”, me titullin “Mirënjohje e Qytetit” nga Bashkia e Elbasanit dhe me çmime në festivalet kombëtare të teatrove, të fëmijëve dhe të kukullave. Emri i tij u rreshtua denjësisht në brezin e artë të artistëve elbasanas krahas figurave të shquara si Demir Hyskja, Shpëtim Shemili, Astrit Cerma, Spiro Duni, Ermira Bahiti, Tefta Haziraj dhe Veronika Papa.

Sot, me ndarjen nga jeta, Eduart Çala nuk është më mes nesh fizikisht, por fryma e tij artistike dhe kujtimi i një jete të jetuar me dinjitet, modesti dhe dashuri për artin, do të mbeten përherë të gjalla.

U prehsh në paqe, Eduart Çala.
Skena e “Skampës” dhe zemrat e publikut do të ruajnë përgjithmonë dritën tënde.

Shkolla me histori të artë në Elbasan hyn në fazën e transformimit total!

Shkolla “Naim Frashëri” në Elbasan do të jetë një nga kantierët e hapur, pjesë e investimeve për transformimin e infrastrukturës arsimore duke iu nënshtruar një rikonstruksioni total.

Ky investim i shumëpritur do të sjellë ndryshime thelbësisht pozitive për 730 nxënës që do të mësojnë në mjedise të reja me kushte bashkëkohore si dhe për 72 mësuesit që kontribuojnë çdo ditë në edukimin e brezave të rinj.

Rikonstruksioni total do të përfshijë ndërhyrje të thelluara në të gjithë strukturën e shkollës, duke garantuar siguri, komoditet dhe standarde moderne për një mjedis të denjë arsimor.

“Arsimi është themeli i të tashmes dhe të ardhmes, ndaj përmes këtij investimi dhe jo vetëm, po ndërtojmë më shumë mundësi për fëmijët dhe nxënësit e Elbasanit”, tha kryetari i bashkisë Gledian Llatja. Prej më shumë se një dekade kjo shkollë kryente mësimin me dy turne dhe gjithnjë ka qenë kërkesë e kreut të bashkisë, duke lobuar në ministrinë dhe qeverinë për rikonstruksionin total të kësaj shkolle të vjetër në Elbasan, e cila ka nxjerrë breza të talentuar nxënësish për më shumë se 50 vite, duke ruajtur një muze të vyer me figurat që u kanë dhënë zë arsimit në Elbasan…

Pak histori për shkollën “Naim Frashëri”

E themeluar për herë të parë në vitin 1908, shkolla “Naim Frashëri” është një ndër institucionet më të hershme arsimore në qytetin e Elbasanit. Godina aktuale ku funksionon shkolla është ndërtuar në vitin 1967 dhe që prej asaj kohe ka shërbyer si një vatër e rëndësishme formimi për breza të tërë nxënësish. Me një traditë të gjatë dhe staf të përkushtuar pedagogjik, shkolla ka ruajtur një identitet të fortë arsimor, duke kontribuar ndjeshëm në edukimin e fëmijëve të qytetit. Brenda saj ndodhet edhe një kënd muzeal, që përkujton figurat më të shquara që kanë kontribuar në historinë e arsimit në Elbasan. Me këtë rikonstruksion, ajo nuk do të jetë vetëm një shkollë moderne, por edhe një simbol i respektit për trashëgiminë dhe përkushtimit për të ardhmen.