Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Muaj: Qershor 2025

Funar Fest 2025: Festa që i rikthen Elbasanit natyrën, turizmin dhe mikpritjen!

Fundjava e fundit e qershorit solli sërish Funar Fest, një nga aktivitetet më të dashura për banorët dhe vizitorët, që për të disatin vit radhazi mbush me jetë dhe energji zonën piktoreske të Funarit, vetëm pak kilometra larg qytetit të Elbasanit.

Festa që promovon turizmin aktiv, dashurinë për natyrën dhe mikpritjen elbasanase, u organizua nën kujdesin e veçantë të kryetarit të Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, i cili prej vitesh ka vënë në fokus zhvillimin e Funarit përmes investimeve në infrastrukturë, rrugë, sinjalistikë turistike dhe mbështetje për ekonominë lokale. Këto përpjekje po e kthejnë zonën në një destinacion gjithnjë e më të kërkuar për turizmin natyror dhe aventuror.

Pjesë e festës ishin edhe deputetët Aulona Bylykbashi, Adi Qose dhe Agron Gaxho, të cilët përshëndetën të pranishmit dhe theksuan rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë natyrore dhe mbështetjes për nisma të tilla.

Panairi me produkte bio të banorëve të zonës, koncertet me këngëtarë të njohur lokalë, si dhe aktivitetet sportive si vozitje me kajak në liqenin e Funarit e bënë këtë ditë një përvojë të paharrueshme për vizitorët, mes tyre edhe turistë zviceranë që vlerësuan cilësinë e organizimit dhe bukurinë e natyrës shqiptare.

Një tjetër zhvillim i rëndësishëm në këtë zonë ka qenë edhe hapja e bujtinave gjatë viteve të fundit, ku banorët, me mbështetjen e qeverisë, kanë kthyer banesat e tyre tradicionale në ambiente pritëse për turistët, duke ofruar kushte të përshtatshme dhe mikpritje karakteristike për udhëtarët, kryesisht të huaj. Ky transformim ka sjellë gjallërim ekonomik dhe ka rritur më tej interesin për turizmin rural në Funar.

Funar Fest është tashmë një traditë e përvitshme që jo vetëm feston, por edhe forcon identitetin dhe potencialin turistik të Elbasanit, duke e vendosur Funarin në hartën e destinacioneve më të veçanta për t’u vizituar në Shqipëri.

Këshilli Bashkiak i Elbasanit hap dyert për qytetarët, në një takim mbi vendimmarrjen dhe transparencën

Këshilli Bashkiak i Elbasanit zhvilloi  një takim informues me qytetarët, në kuadër të nismës “Dita e Hapur”, me qëllim rritjen e transparencës dhe përfshirjen qytetare në procesin vendimmarrës.

Në këtë aktivitet mori pjesë edhe kryetari i Këshillit Bashkiak, Lutfi Lala, i cili theksoi se ky është viti i dytë radhazi që organizohet një takim i tillë, duke vënë në qendër transparencën dhe llogaridhënien publike. “Qytetarët duhet të jenë të informuar për çdo vendim që ne marrim në mbledhjet mujore. Jemi të përkushtuar për të ndërtuar ura komunikimi me komunitetin”, deklaroi Lala.

Ai prezantoi gjithashtu përbërjen dhe funksionimin e Këshillit Bashkiak, duke theksuar se nga 51 anëtarë, 26 janë gra, një përfaqësim domethënës që reflekton përparimin në drejtim të barazisë gjinore në vendimmarrje.

Gjatë takimit u bë një pasqyrë e veprimtarisë së Këshillit përgjatë vitit 2024, si dhe u prezantuan fushat kryesore të vendimmarrjes, që përfshijnë: çështjet financiare, sociale, infrastrukturën dhe strehimin, problemet urbane, menaxhimin e aseteve publike, emergjencat civile, arsimin, kulturën, mbetjet dhe planet lokale.

“Çdo vendim është i dokumentuar dhe i aksesueshëm për qytetarët në faqen zyrtare të Bashkisë Elbasan”, theksoi më tej z. Lala.

Në fund të takimit, qytetarët kërkuan më shumë bashkëpunim mes këshilltarëve dhe përfaqësuesve lokalë, duke theksuar nevojën që çdo vendim të mbështesë interesat reale të komunitetit.

Këshilli Bashkiak është në diskutim për të eksploruar forma të reja të komunikimit me publikun, për të mbledhur opinione dhe sugjerime nga banorët e zonave që përfaqësohen, me synimin për të rritur cilësinë e vendimmarrjes në shërbim të qytetarëve.

Elbasani në qendër të një projekti pilot për zhvillimin e hendbollit tek të rinjtë

Elbasani është përzgjedhur si qyteti ku do të nisë projekti pilot për zhvillimin e hendbollit në Shqipëri, në kuadër të workshopit ndërkombëtar “Zhvillimi i Hendbollit në Shqipëri”, organizuar nga Federata Shqiptare e Hendbollit në bashkëpunim me Federatën Hungareze të Hendbollit dhe studentë të Universitetit të Budapestit.

Ky projekt synon të fuqizojë të rinjtë shqiptarë përmes sportit, duke nxitur vlera si loja e ndershme, disiplina dhe bashkëpunimi. Përzgjedhja e Elbasanit si vendi ku nis ky projekt pilot është një hap strategjik për të krijuar më shumë mundësi për brezat e rinj që duan të zhvillohen përmes sportit.

Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, ka bërë të ditur këtë nismë të rëndësishme, duke theksuar se “sporti është një nga mjetet më të fuqishme për edukimin dhe rritjen e shëndetshme të të rinjve. Ky projekt do t’u japë atyre mundësi konkrete për të ndërtuar aftësi personale dhe ekipore që i shërbejnë karrierës sportive”.

Workshopi do të shërbejë si platformë për shkëmbimin e eksperiencave ndërkombëtare, me fokus të veçantë tek edukimi sportiv tek të rinjtë për tu rritur përmes lojës, disiplinës dhe bashkëpunimit.

Nga kanalizimet te asfalti, transformohet rruga pranë Doganës në Elbasan

Ka përfunduar investimi në asfaltimin e rrugës “Mefail Bicaku” në Rajonin Nr. 3, pranë Doganës, një ndër zonat më problematike të qytetit përsa i përket infrastrukturës.

Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, ka parë nga afër punimet e përfunduara, duke theksuar se kjo rrugë, ndonëse nuk konsiderohet zonë informale, kishte mbetur pas në zhvillim, për shkak të ndërtimeve të shpejta dhe të pakontrolluara pas viteve ‘90.

“Edhe pse jemi në një zonë pranë dy shkollave profesionale dhe Doganës, kjo rrugë kishte mbetur pas për shumë vite. Ishte një kërkesë e kahershme e banorëve dhe bizneseve të zonës, e cila tashmë ka marrë zgjidhje”,  u shpreh z. Llatja.

Rruga “Mefail Bicaku” është një rrugicë lidhëse ndërmjet rrugës “17 Marsi” dhe rrugës “Zogu i Parë”. Ajo u shërben rreth 120 banorëve dhe disa bizneseve lokale.

Vitin e kaluar është investuar në sistemin e kanalizimeve të ujërave të zeza, ndërsa këtë vit është realizuar shtrimi i plotë me asfalt, në kuadër të një bashkëpunimi mes Bashkisë Elbasan dhe Fondit Shqiptar për Zhvillim (FSHZH).

“Edhe pse ishim në një periudhë zgjedhore, puna nuk është ndalur asnjë moment. Do të vazhdojmë me investime të tjera që prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve”,  theksoi Kryetari i Bashkisë në fjalën e tij.

Ky investim vjen si pjesë e angazhimit të bashkisë për të përmirësuar infrastrukturën urbane dhe për të garantuar kushte më të mira jetese për qytetarët në çdo lagje të Elbasanit.

Elbasani drejt neutralitetit klimatik. Gledian Llatja në simpoziumin e Bankës Botërore për ndryshimet klimatike

Në një forum të nivelit të lartë të organizuar nga Banka Botërore mbi të ardhmen e qëndrueshme të qyteteve evropiane, Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, z. Gledian Llatja, prezantoi vizionin dhe angazhimet konkrete të qytetit përballë sfidave të ndryshimeve klimatike.

Elbasani u vlerësua si një nga 100 qytetet europiane pjesë e nismës EU Mission Cities, që synon neutralitetin klimatik deri në vitin 2030,  një objektiv ambicioz që kërkon veprim të koordinuar, teknologji të gjelbër dhe përfshirje të komunitetit.

Gjatë fjalës së tij, Llatja theksoi se “Elbasani po punon me përkushtim për të ulur emetimet, për të rritur efikasitetin energjetik dhe për të përfshirë komunitetin në ndërtimin e një të ardhmeje më të gjelbër. Ky është një proces që kërkon vizion dhe bashkëpunim të gjerë institucional. Në këtë drejtim, falënderoj Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit për mbështetjen dhe bashkëpunimin e ngushtë në hartimin e Planit Lokal të Adaptimit ndaj Ndryshimeve Klimatike – një dokument i rëndësishëm strategjik për qytetin tonë.”

Pjesëmarrja në këtë simpozium konfirmon pozicionimin e Elbasanit si një qytet që jo vetëm njeh sfidat mjedisore, por edhe vepron me përgjegjësi për të qenë model i zhvillimit të qëndrueshëm urban në Shqipëri dhe më gjerë.

Një model për përfshirjen sociale: Elbasani finalizon projektin për fëmijët me nevoja të veçanta

Në Elbasan u përmbyll me shumë rezultate domethënëse projekti “Terapia e artit dhe muzikës për fëmijët me aftësi të kufizuara”, një nismë e Bashkisë Elbasan në bashkëpunim me Qendrën Shqiptare për Integrimin e Njerëzve me Nevoja të Veçanta, falë mbështetjes së GIZ, NALAS dhe Shoqatës Kombëtare të Bashkive.

Ky projekt i veçantë, që përfshiu një punë intensive disa mujore, solli trajnimin e 23 profesionistëve të fushës, 40 edukatorëve dhe përfshirjen aktive të 10 të rinjve nga Këshilli Rinor. Për katër muaj me radhë, 20 fëmijë me aftësi ndryshe morën pjesë në sesione terapie përmes artit dhe muzikës, duke zhvilluar aftësi komunikimi, ndjeshmëri emocionale dhe vetëbesim.

Performanca përmbyllëse ishte kulmi emocional i këtij projekti, ku fëmijët dhuruan emocione të sinqerta përmes artit të tyre, duke treguar përparimin dhe fuqinë e terapisë kreative.

 Kryetari i Bashkisë Elbasan, z. Gledian Llatja, përshëndeti këtë aktivitet, duke vlerësuar rëndësinë e përfshirjes së fëmijëve me aftësi të kufizuara në jetën sociale dhe kulturore të qytetit. Ai theksoi se kjo shtresë mbetet gjithmonë në vëmendjen e institucionit që ai drejton, duke shtuar se mbështetja për projekte të tilla do të vijojë edhe në të ardhmen.

Një bashkëpunim model që dëshmon se kur bashkohen institucionet, organizatat dhe komuniteti, krijohen mundësi të reja për një shoqëri më gjithëpërfshirëse.

Elbasani feston Ditën Botërore të Muzikës me dy netë magjike koncertesh

Me rastin e Ditës Botërore të Muzikës, qyteti i Elbasanit përjetoi dy netë magjike nën tingujt e muzikës klasike, duke u kthyer në një skenë të vërtetë emocionesh dhe elegance. Aktivitetet u zhvilluan në dy nga ambientet më simbolike të qytetit: Bahçja e Trëndafilave dhe Kisha Ortodokse në Kala, ku publiku elbasanas përjetoi performanca të jashtëzakonshme artistike.

Në qendër të këtyre netëve festive ishte Orkestra e Harqeve Elbasan, e cila interpretoi vepra të njohura nga repertori botëror dhe shqiptar, nën drejtimin e dirigjentëve të njohur dhe me pjesëmarrjen e artistëve të shquar dhe talenteve të reja të skenës muzikore.

Ky aktivitet kulturor i kthyer tashmë në një traditë për qytetin, u mirëprit me entuziazëm nga publiku dhe përfaqësoi një tjetër hap në përforcimin e identitetit artistik të Elbasanit.

Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, në një mesazh falënderues, vlerësoi kontributin e të gjithë artistëve pjesëmarrës, dirigjentëve dhe qytetarëve që e bënë këtë ngjarje kaq të veçantë:
“Faleminderit të gjithë atyre që kontribuan për këto dy netë të paharrueshme që i dhanë qytetit tonë emocione të bukura dhe krenari kulturore”  u shpreh z. Llatja.