Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 31 Korrik 2025

Pastrimi i Manazderes. Llatja/ Po monitorojmë me kamera dhe po vendosim gjoba për ndotjen

Agjencia e Shërbimeve Publike në Bashkinë Elbasan vijon prej disa ditësh pastrimin e përroit të Manazderes, një nga dy përrenjtë kryesorë që përshkojnë qytetin. Ky përrua buron nga malësia e Shkumbinit të Sipërm dhe sjell një sasi të konsiderueshme inertesh, sidomos gjatë reshjeve të dendura.

Aktualisht në terren ndodhen 6 makineri që mundësojnë pastrimin e rreth 200 metër kub mbetjesh çdo ditë. Pjesa që po pastrohet përfshin një sipërfaqe të betonuar prej 1.4 kilometrash. Ky aks është ndotur si pasojë e inerteve të sjella nga zona e Godoleshit, por edhe për shkak të amortizimit të digave të ndërtuara në vitin 1970, të cilat tashmë çojnë sasi të mëdha inertesh në përroin e Manazderes.

Një tjetër problem serioz ka qenë edhe hedhja e mbetjeve urbane. Edhe pse ndërhyrjet nga shërbimi i pastrimit janë të përditshme, madje në këtë zonë pastrimi bëhet dy herë në ditë, qytetarët ende nuk janë sensibilizuar mjaftueshëm dhe vijojnë të hedhin mbetjet në përroin e betonuar.

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, ishte sot në vendin ku po kryhet pastrimi i fazës së dytë të këtij përroi. Ai deklaroi se Bashkia ka nisur monitorimin me kamera pranë koshave të mbetjeve dhe përgjatë zonave problematike për të evidentuar rastet e hedhjeve të paligjshme të mbetjeve. Llatja nënvizoi se do të ndërmerren edhe masa administrative ndaj qytetarëve që shkelin rregullat.

“Dua të bëj një apel të drejtpërdrejtë për qytetarët: mbetjet t’i hedhin në koshat përkatës, aty ku e kanë vendin, e jo më në përroin e Manazderes. Kjo zonë pastrohet dy herë në ditë. Për ta mbajtur të pastër, duhet bashkëpunimi i të gjithëve,” u shpreh Llatja.

Kjo është faza e dytë e pastrimit të përroit të Manazderes. Pjesa e parë është realizuar në segmentin që nis nga bregu i lumit Shkumbin, ndërsa aktualisht po pastrohet segmenti i sipërm, i cili ka qenë një problem për banorët e zonës përreth.

Plani i Mbrojtjes Sociale në fokus të Bashkisë: Zhvillohet takimi i radhës me grupet e interesit

Në Bashkinë Elbasan u zhvillua takimi konsultues i radhës në kuadër të hartimit të Planit të Mbrojtjes Sociale të bashkisë. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin grupi i punës i ngritur me urdhër të Kryetarit të Bashkisë, Gledian Llatja, përfaqësues të grupeve të interesit si dhe anëtarë të OGP.

Në këtë takim u diskutua dhe u ndanë ide konkrete mbi zgjerimin e shërbimeve për mbështetjen e individëve dhe grupeve në nevojë, me synimin për t’i ofruar ato sa më pranë komunitetit. U vendos theksi te shërbimet specifike për grupe të veçanta si personat me aftësi të kufizuara dhe komunitetet vulnerabël rome dhe egjiptiane, bazuar në një analizë të nevojave të tyre.

Bashkia Elbasan ka përjetuar ndryshime të theksuara vitet e fundit, përfshirë rritjen e numrit të familjeve të prekshme edhe në zonat rurale dhe periferike, plakjen e popullsisë, shtimin e varësisë nga shërbimet sociale si dhe emigrimin. Këta faktorë kanë çuar në nevojën për një rishikim të planit të mbrojtjes sociale, me fokus në shërbime të decentralizuara dhe të personalizuara.

Plani i ri synon t’i përgjigjet sfidave social-ekonomike, të përmbushë detyrimet ligjore dhe angazhimet në kuadër të Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm, si dhe të sigurojë një infrastrukturë shërbimesh sociale të aksesueshme, cilësore dhe të qëndrueshme në kohë.