Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Muaj: Korrik 2025

Elbasani gjallëron gjithë muajin korrik me aktivitete festive për qytetarët dhe turistët

Gjatë gjithë muajit korrik, Bashkia Elbasan ka sjellë një seri aktivitetesh festive që kanë gjallëruar qytetin edhe në ditët më të nxehta të verës. Nën kujdesin e veçantë të kryetarit të Bashkisë, Gledian Llatja, në sheshin qendror dhe në hapësira të tjera publike janë organizuar koncerte, shfaqje argëtuese dhe evente kulturore që kanë mbledhur jo vetëm qytetarët elbasanas, por edhe shumë vizitorë e turistë.

Një nga kulmet e këtyre aktiviteteve ishte El Summer Fest, i cili solli një tjetër mbrëmje të paharrueshme në zemër të qytetit. Artistë të njohur shqiptarë ndezën atmosferën me performancat e tyre, duke krijuar një energji të veçantë mes publikut.

Bashkia Elbasan synon që këto aktivitete të kthehen në një traditë të përvitshme, duke ofruar mundësi argëtimi për çdo moshë dhe duke e promovuar qytetin si një destinacion atraktiv edhe gjatë verës.

Gledian Llatja viziton furrën “Baku”, biznesi që po i shtohet hartës së zhvillimit të Elbasanit

Geni dhe Erjoni, dy vëllezër të kthyer nga emigrimi, themeluan në vitin 2014 furrën “Baku” në qytetin e Elbasanit. Me një shumëllojshmëri produktesh brumi dhe ëmbëlsirash, si dhe standarde të larta higjienike e teknologjike, biznesi u bë shpejt i njohur jo vetëm në komunitetin ku ndodhej, por edhe më gjerë në qytet.

Furra “Baku” nisi si një biznes familjar, ku të punësuarit e parë ishin pjesëtarë të familjes. Me kalimin e viteve, cilësia e produkteve dhe kërkesa në rritje bënë që numri i punonjësve të zgjerohej nga 10 në 15. Së fundmi, ata kanë hapur edhe një pikë të dytë shërbimi, duke shtuar kapacitetet dhe prezencën e tyre në qytet. Ky zgjerim është bërë edhe me mbështetjen e pushtetit vendor.

Furrën “Baku” e vizitoi edhe Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, si një biznes që po i shtohet hartës së zhvillimit të qytetit.
“Ky është një shembull domethënës i asaj që duam të nxisim në Elbasan: njerëz që rikthehen nga emigrimi dhe investojnë me përkushtim në qytetin e tyre. Furra ‘Baku’ është një histori suksesi që ka sjellë jo vetëm shërbim cilësor, por edhe vende të reja pune. Mbështetja jonë për biznese të ndershme dhe të qëndrueshme do të vazhdojë, dhe jemi të gatshëm të qëndrojmë pranë tyre edhe në hapat e ardhshëm të zhvillimit”, u shpreh Kryetari Llatja.

Biznesi përfaqëson një model të suksesshëm lokal, me kushte optimale pune, pajisje moderne dhe përkushtim të vazhdueshëm për të ofruar produkte cilësore.

NJOFTIM

Njoftohen të gjithë subjektet taksapagues që ushtrojnë aktivitet ekonomik ose zotërojnë një apo më shumë prona (të kategorisë njësi shërbimi) në territorin e Bashkisë Elbasan se në zbatim të Vendimit të Këshillit Bashkiak nr. 139 datë 26.12.2024 janë gjeneruar taksat dhe tarifat vendore për vitin 2025. Afati i pagesës së taksave dhe tarifave vendore për vitin 2025 është data 31 Korrik 2025.

Pagesa e detyrimit tatimor mund të kryhet pranë Postës Shqiptare, bankave të nivelit të dyte ose Unionit Financiar. Për mospagesë në afatin e caktuar aplikohet kamatvonesë në masën 1.8% çdo muaj, por jo më shumë se 12 muaj.

Për pagesat që kryhen pas datës 31 korrik 2025 nis aplikimi i masave shtrënguese të parashikuara në ligjin nr. 9920 datë
19.05.2008 “Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar.

Për çdo paqartësi dhe informacion si dhe për të tërhequr faturën e detyrimit tatimor, ju lutem paraqituni pranë sportelit të shërbimit të D.T.T.V.T.-së pranë bashkisë.

Faleminderit!

Kryetari i Bashkisë Elbasan mirëpret partnerët e projektit francez për qeverisje të bazuar në të dhëna territoriale

Në ambientet e Bashkisë Elbasan, Kryetari Gledian Llatja mirëpriti partnerët e projektit të mbështetur nga Ministria e Evropës dhe Punëve të Jashtme të Francës dhe Ambasada Franceze në Shqipëri, për të diskutuar mbi përdorimin e të dhënave territoriale në funksion të një qeverisjeje më transparente, inovative dhe efikase.

Ky projekt e përfshin Elbasanin si një nga katër qytetet pilote në nivel kombëtar, së bashku me Shkodrën, Korçën dhe Durrësin, duke krijuar mundësi për zhvillime konkrete në shërbim të qytetarëve dhe forcimin e kapaciteteve vendore nëpërmjet praktikave të avancuara të menaxhimit të territorit.