Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Muaj: Shtator 2025

Java Kulturore Kineze, koncerti “Meloditë e Rrugës së Mëndafshit” për publikun elbasanas

Elbasani mirëpriti një mbrëmje të veçantë artistike në kuadër të Javës Kulturore Kineze, një aktivitet organizuar nga Ambasada Kineze dhe Ministria e Kulturës.  Skena e Teatrit “Skampa” u gjallërua nga koncerti “Melodies Along the Silk Road”, i cili solli për publikun elbasanas një përzgjedhje të veprave vokale dhe instrumentale të muzikës tradicionale kineze.

Koncerti u interpretua nga artistë të shquar kinezë, të cilët kanë ardhur enkas për këtë aktivitet kulturor, duke ofruar një udhëtim muzikor përgjatë “Rrugës së Mëndafshit”. Publiku shijoi ndërthurjen e tingujve magjikë dhe traditës mijëravjeçare të kulturës kineze, në një përvojë artistike unike.

 Shumë artëdashës si dhe qytetarët u bënë pjesë e kësaj mbrëmjeje të paharrueshme kulturore.

Bashkia dhe AADF nisin projektin BID, Kalaja e Elbasanit

Me mbështetjen e Fondacionit Shqiptaro–Amerikan për Zhvillim (AADF) dhe studion prestigjioze MVM Architecture, ka nisur puna për projektin BID, Kalaja e Elbasanit. Ky projekt synon të rikthejë kalanë në qendër të jetës kulturore e turistike të qytetit, duke e shndërruar në një destinacion atraktiv për qytetarët dhe vizitorët.

Në takimin e zhvilluar për nisjen e këtij projekti, Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, bashkë me partnerët e AADF dhe përfaqësues të MVM Architecture, prezantuan vizionin dhe drejtimet kryesore të ndërhyrjes.

Ky projekt do të përfshijë, rikualifikimin urban të hapësirave brenda kalasë, përmirësimin e infrastrukturës publike për vizitorët dhe banorët, ruajtjen dhe restaurimin e elementëve me vlerë historike e kulturore. Nxitjen e aktiviteteve kulturore e artistike brenda mureve të kalasë, mbështetjen e bizneseve të vogla tradicionale dhe promovimin e turizmit lokal.

Kryetari i Bashkisë, Gledian Llatja, u shpreh se “ky është një kapitull i ri për Elbasanin. Kalaja do të rikthehet në vlerat e saj maksimale, duke u bërë një pikë e fortë për identitetin historik dhe zhvillimin turistik të qytetit. Falënderoj AADF për mbështetjen dhe partneritetin në këtë projekt madhor.”

Ky investim shënon një hap të rëndësishëm për transformimin e Kalasë së Elbasanit në një qendër të gjallë të trashëgimisë, kulturës dhe turizmit.

Elbasani, pjesë e nismës europiane për klimën dhe energjinë

Në Forumin e Kryetarëve për Energjinë e Qëndrueshme, që u zhvillua në Durrës, Bashkia Elbasan ndau eksperiencën e saj me projektet që po zbatohen në qytet për një të ardhme më të gjelbër, si  “Sunny Schools” dhe  GreenElb, të cilat promovojnë energjinë e rinovueshme dhe efiçiencën energjetike.

Kryetari i Bashkisë, Gledian Llatja, firmosi Deklaratën për Klimën dhe Energjinë, duke e cilësuar atë një hap të rëndësishëm për veprime konkrete në dobi të qytetarëve.

 “Jemi krenarë që Elbasani është pjesë e kësaj nisme rajonale dhe evropiane, duke u angazhuar për një të ardhme më të qëndrueshme për qytetin tonë dhe për brezat që vijnë,”  u shpreh Llatja.

Energjia e qëndrueshme i shërben Elbasanit jo vetëm në uljen e ndotjes dhe kursimin e energjisë, por edhe në ndërtimin e një qyteti më të shëndetshëm për të gjithë qytetarët.

Kalaja e Elbasanit, monument i kulturës dhe turizmit. 

Kalaja e Elbasanit, një ndër monumentet më të rëndësishme historike të qytetit, po kthehet çdo ditë e më shumë në një qendër tërheqëse për vizitorët. Dikur nyje e rëndësishme e rrugës antike “Via Egnatia”, sot kalaja është një simbol i gjallë i historisë, kulturës dhe bashkëjetesës fetare.

Brenda mureve të saj shekullore gjenden Xhamia e Mbretit dhe Kisha Ortodokse “Shën Maria”, ndërsa shumë pranë ndodhet edhe Kisha Katolike, duke e bërë këtë zonë një shembull unik të harmonisë ndërfetare. Përveç vlerave shpirtërore, rrugicat karakteristike, arkitektura osmane dhe gjurmët e qytetërimit të hershëm e bëjnë kalanë një udhëtim në kohë për çdo vizitor.

Një tjetër element që e bën kalanë të paharrueshme është mikpritja tradicionale elbasanase, zonjat e vjetra shpesh hapin dyert e shtëpive brenda mureve, duke ofruar ëmbëlsira e kafe, si edhe rrëfime për historinë e qytetit. Ky gjest i thjeshtë, por i çmuar, kthehet në një përvojë autentike për turistët.

Falë nismave të rivitalizimit dhe interesit në rritje për turizmin kulturor nga bashkia Elbasan, Kalaja e Elbasanit po merr një jetë të re. Kjo hapësirë historike ëshë një destinacion, që i fton vizitorët të zbulojnë historinë, kulturën dhe mikpritjen që e kanë bërë Elbasanin një qytet të veçantë në zemër të Shqipërisë.

70 vite Estradë Profesioniste në Elbasan

Sot, shënohet 70-vjetori i krijimit të Estradës Profesioniste të Elbasanit, një nga institucionet më të rëndësishme të artit dhe kulturës qytetare.
Estrada e Elbasanit u themelua në vitin 1955, me premierën e saj të parë, e cila u përcoll me entuziazëm nga publiku dhe u pasqyrua në median e kohës. Në artikullin e parë të shkruar nga V. Zallemi në gazetën “Zëri i Popullit”, theksohej kontributi i aktorëve dhe këngëtarëve që ngjitën në skenë humorin, këngën dhe muzikën popullore, mes tyre Hysen Biza, Rustem Serica, Marie Dhamo, si dhe orkestrantë të njohur si Gori Shuteriqi, Hysen Shehu, Rifat Çaushi, e Ismail Bedhija.
Estrada e Elbasanit ka qenë për dekada një vatër arti e gjallë, që lindi talente, edukoi publikun dhe u bë një pikë referimi për jetën kulturore të qytetit.
70 vite më vonë, Estrada Profesioniste e Elbasanit mbetet një simbol i traditës, humorit dhe kulturës, duke ruajtur gjallë emocionin e parë të vitit 1955.

“Byshek Fest”, mes natyrës, traditës dhe argëtimit në zemër të Shushicës

Bysheku, vetëm 5 kilometra larg qytetit të Elbasanit, këtë të shtunë, u shndërrua në një qendër të gjallë festimi, ku natyra, tradita dhe argëtimi u bashkuan në një aktivitet unik. “Byshek Fest”, e organizuar nën kujdesin e kryetarit të Bashkisë Elbasan, z. Gledian Llatja, solli një ditë të mbushur me atmosferë, mikpritje dhe gjallëri për banorët dhe vizitorët.

Prej dekadash, elbasanasit e kanë zgjedhur Byshekun si një vend pushimi e relaksi, nën hijen e rrapit shekullor dhe pranë ujit të freskët që buron nga burimet natyrore. Në vitet e fundit, këtij vendi i janë shtuar edhe turistë të huaj, duke e futur Byshekun në hartën e pikave turistike më të vizituara të Elbasanit dhe duke e kthyer në një nga destinacionet e para që të huajt kërkojnë të zbulojnë.

Nën hijen e rrapave, vizitorët shijuan ushqime tradicionale, muzikë live dhe aktivitete zbavitëse që pasqyruan shpirtin e kësaj zone. Një vend të veçantë zuri edhe panairi i punimeve artizanale të zonjave të zonës, ku u ekspozuan produkte të dorës si qëndisje, punime me grep, tekstile dhe produkte të tjera tradicionale që pasqyruan mjeshtërinë dhe trashëgiminë kulturore të trevës.

Atmosfera festive u ndërthur me vlerat kulturore e natyrore të Byshekut, duke e bërë këtë festë një përvojë të veçantë për fëmijë, të rinj dhe familje të tëra.

I pranishëm në festë, kryebashkiaku Gledian Llatja theksoi rëndësinë e promovimit të zonave rurale dhe vlerave të tyre natyrore e kulturore. “Bysheku është një perlë turistike e Elbasanit. Përmes kësaj feste ne jo vetëm që i japim jetë traditës, por krijojmë edhe një mundësi për të forcuar ekonominë lokale dhe për të afruar qytetarët me natyrën dhe bukuritë e saj”, u shpreh ai. Në këtë event ishin të pranishme edhe dy deputetet e Elbasanit Aulona Bylykbashi dhe Evis Kushi.

“Byshek Fest” nuk ishte thjesht një ditë argëtimi, por një urë lidhëse mes qytetit dhe fshatit, një mundësi për të risjellë në vëmendje pasurinë kulturore e natyrore që rrethon Elbasanin. Festa e Byshekut solli bukurinë e traditës dhe gjallërinë e komunitetit, nën hijen e rrapeve shekullorë dhe pranë ujit të freskët të burimit.

Sukses në teatrin “Skampa” komedia rinore “Erashka”

Mbrëmja e sotme në Teatrin “Skampa” solli një atmosferë të veçantë me premierën e shfaqjes “Erashka”, projekt i Qendrës së Artit, që u prit me duartrokitje të gjata nga publiku.Salla u mbush me të rinj gjimnazistë, prindër dhe artdashës të qytetit, të cilët shijuan plot humor dhe energji interpretimin e nxënësve, duke treguar se Elbasani ka një brez të ri plot talent e pasion për artin skenik.

Ky projekt synon të zbulojë e të promovojë talente të reja, duke i përfshirë të rinjtë më shumë në jetën artistike të qytetit.

“Erashka”, komedi e autorit italian Carlo Goldoni, e sjellë me regji të Fjorela Mirditës, do të vazhdojë të jepet në skenën e Teatrit “Skampa” më datat 19, 20, 21 dhe 22 Shtator, ora 18:00.

“Elbasani pa makina” kufizime të qarkullimit më 21 shtator

Bashkia Elbasan njofton qytetarët dhe në veçanti drejtuesit e mjeteve se, në kuadër të aktiviteteve të “Ditës pa Makina”, më datë 21 shtator 2025 do të kufizohet qarkullimi i automjeteve në disa segmente kryesore të qytetit.

Bazuar në ligjin nr.139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore” (i ndryshuar), në ligjin 107/2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit” (i ndryshuar), në VKM nr.408, datë 13.05.2015 “Për miratimin e rregullores së zhvillimit të territorit” (i ndryshuar), në VKM nr.1096 datë 28.12.2015 “Për miratimin e rregullave, kushteve e procedurave për përdorimin dhe menaxhimin e hapësirës publike”, si dhe në ligjin nr. 8378, datë 22.07.1998 “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë” (i ndryshuar),

U R D H Ë R O J:

1. Më datë 21 Shtator 2025, ndalohet qarkullimi i automjeteve në qytetin e Elbasanit në segmentet rrugore:

-Bulevardi “Aqif Pasha”, nga stadiumi “Elbasan Arena” deri te rrethrrotullimi i “1 Majit”, ora 08:00 deri në orën 20:00.

-Rruga “Rinia”, nga universiteti “Aleksandër Xhuvani” deri te kryqëzimi i rrugës “Tomorr Sinani” (Sporti i vjetër), nga ora 08:00 deri në orën 16:00.

2. Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan, Policia Bashkiake dhe strukturat përgjegjëse të Bashkisë Elbasan ngarkohen për zbatimin e këtij urdhri dhe marrjen e masave përkatëse për devijimin e trafikut, garantimin e rendit dhe qetësisë publike.

3. Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë dhe shpallet publikisht në faqen zyrtare të Bashkisë Elbasan, si dhe përmes mediave lokale.

Turistë francezë dhe izreaelitë vizitojnë Muzeun Etnografik të Elbasanit

Muzeu Etnografik i Elbasanit, i cili mbart brenda një pasuri të vyer të trashëgimisë historike të qytetit, po tërheq gjithnjë e më shumë interesin e turistëve të huaj.

Së fundmi, një grup turistësh francezë dhe izreaelitësh kanë zgjedhur ta vizitojnë këtë muze për t’u njohur me traditat, kulturën dhe mënyrën e jetesës së hershme të qytetit.

Turistët patën mundësinë të zbulojnë nga afër elementë të trashëgimisë etnografike, duke e konsideruar muzeun si një dritare drejt historisë dhe identitetit të Elbasanit.

Interesi i vizitorëve të huaj tregon vlerën e trashëgimisë sonë dhe rëndësinë e saj në promovimin e qytetit të Elbasanit si një destinacion kulturor.

Muzeu Etnografik në Elbasan njihet ndryshe si “Shtëpia e Sejdinasve” dhe është shpallur në vitin 1963 Monument Kulture i Kategorisë I.

Në ndërtesën dykatëshe të shekullit të 18-të prezantohet kuadri historik, zejtaria me rreth 80 lloje zejesh, veshjet dhe tipi i banesës qytetare karakteristike elbasanase.