Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 17 Tetor 2025

Njoftim: Ndryshim në kalendarin e Buxhetimit me Pjesëmarrje

Bashkia Elbasan njofton qytetarët për një ndryshim në kalendarin e takimeve të programit “Buxhetimi me Pjesëmarrje”, që po zhvillohet në të gjitha rajonet e Bashkisë me qëllim përfshirjen e komunitetit në vendimmarrjen mbi prioritetet e zhvillimit.

Në vijim, oraret e përditësuara për takimet e datës 23 tetor 2025 janë si më poshtë:

  • Rajoni 5️ – ora 17:00 dt. 23 Tetor
  • Rajoni 6️ – ora 18:30 dt. 23 Tetor

Bashkia Elbasan falënderon qytetarët për pjesëmarrjen aktive, bashkëpunimin dhe mirëkuptimin, si dhe për kontributin e tyre të vlefshëm në ndarjen e ideve dhe propozimeve që ndihmojnë në ndërtimin e një buxheti sa më gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm për komunitetin.

Ky proces mbetet një shembull i dialogut të hapur midis Bashkisë dhe qytetarëve, në funksion të zhvillimit të balancuar dhe përmirësimit të cilësisë së jetës në çdo rajon të Elbasanit.

Bashkia Elbasan

Bashkia Elbasan vijon aksionin për lirimin e hapësirave publike të zëna pa leje

Bashkia Elbasan ka vijuar gjatë ditëve të fundit aksionin për lirimin e hapësirave publike të zëna pa leje, me qëllim rikthimin e tyre në shërbim të qytetarëve.

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, theksoi se angazhimi i bashkisë për këtë çështje është i pandalshëm dhe do të vijojë “pa kompromis” deri në lirimin e çdo hapësire të zaptuar në mënyrë të paligjshme.

“Angazhimi ynë vijon pa kompromis për të liruar çdo hapësirë të zaptuar pa të drejtë, që ka penguar lëvizjen dhe përdorimin e hapësirave nga qytetarët. Falenderoj bizneset që ju përgjigjën menjëherë thirrjes dhe liruan vullnetarisht hapësirat publike”,  deklaroi Llatja.

Ai shtoi se për rastet ku nuk ka pasur bashkëpunim, ekipet e bashkisë janë në terren për të vepruar sipas ligjit, duke mbrojtur interesin e qytetarëve.

“Jemi partnerë dhe mbështetës të biznesit, por asnjëherë në kurriz të qytetarit dhe qytetit”,  nënvizoi kryebashkiaku.

Sipas Bashkisë Elbasan, operacioni për lirimin e hapësirave publike do të vijojë në të gjitha lagjet e qytetit dhe zonat përreth, me qëllim përmirësimin e aksesit dhe funksionalitetit urban për komunitetin.

Vijon procesi i buxhetimit me pjesëmarrje në Rajonin Nr. 1

Procesi i Buxhetimit me Pjesëmarrje u ndal në Rajonin Nr. 1, ku banorët e lagjeve, pjesë e kësaj zone, patën mundësinë të diskutojnë drejtpërdrejt me drejtuesit e Bashkisë Elbasan për projektet aktuale, prioritetet dhe nevojat e komunitetit.

Në takim morën pjesë Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, dhe Deputeti i zonës, Adi Qosja, të cilët theksuan rëndësinë e këtij procesi si një praktikë demokratike që i jep zë qytetarëve dhe ndihmon në përmirësimin e planeve të zhvillimit vendor.

Në fjalën e tij, Kryetari Gledian Llatja u ndal në projektet aktuale dhe ato në proces, duke theksuar se Rajoni 1 është zemra e Elbasanit, një zonë me shumë diversitet që po pëson një transformim të dukshëm urban.

Ai nënvizoi se projekti i automotoparkut në zonën e Emin Matraxhiut do t’i japë qytetit një dimension të ri zhvillimi urban dhe ekonomik, duke e kthyer, dikur periferinë, në një qendër të re moderne.

Ndër projektet kryesore në zbatim ose planifikim, Llatja përmendi rikonstruksionin e shkollës “Naim Frashëri” (procedurat janë mbyllur dhe punimet nisin së shpejti) si dhe ndërtimin e Çerdhes Nr. 5 në lagjen “Kongresi i Elbasanit”, e cila do të hapet në muajin shkurt të vitit 2026.

Gledian Llatja theksoi se projektet për Rajonin Nr. 1 nuk janë ndalur asnjëherë, por përkundrazi janë shtuar ndjeshëm.

“Kemi shumë projekte, automotoparku i Elbasanit do të jetë një pol i fortë zhvillimi ekonomik për qytetin, bashkë me kalanë e Elbasanit, për të cilën kemi filluar punën për projektimin dhe vitin tjetër do të nisim investimet e para.

Në lagjen Kala do të vazhdojmë me sistemimet dhe asfaltimet, ndërsa më pas edhe në zonën e Krastës, ku do të ndërtojmë një ambient të ri rekreativ.

Ne po punojmë për Elbasanin, kemi një sërë projektesh, të vogla dhe të mëdha, por të gjitha këto realizohen bashkë me ju,” tha Llatja.

Deputeti Adi Qose vlerësoi Bashkinë për mënyrën e organizimit të takimeve me banorët, duke theksuar se “ky është një proces i rëndësishëm që i jep qytetarëve mundësinë të dëgjohen dhe të përcaktojnë vetë prioritetet e tyre. Ai e vuri theksin edhe tek automotoparku i cili do t’i japë qytetit një zhvillim ekonomik.

Llatja garantoi se të gjitha sugjerimet e banorëve do të përfshihen në planin e ardhshëm të investimeve dhe se procesi i buxhetimit me pjesëmarrje do të vijojë të mbetet një praktikë e qëndrueshme për zhvillimin e balancuar të qytetit.

Vijon puna për asfaltimin e rrugës “Gjergj Arianiti” në Elbasan

Punimet për ndërtimin e rrugës “Gjergj Arianiti” po ecin me ritme të shpejta, duke hyrë në fazën e asfaltimit. Ky aks i ri, me gjatësi rreth 1.5 kilometra, do të lidhë lagjen “Emin Matraxhiu” me Menglin dhe më tej me Koridorin VIII, duke krijuar një alternativë të re dhe moderne lëvizjeje për banorët e zonës.

Rruga po ndërtohet plotësisht nga e para, duke përfshirë, trotuare të reja për këmbësorët, ndriçim modern, si dhe korsi të dedikuara për biçikleta, që do të rrisin sigurinë dhe cilësinë e jetesës urbane.

Përveç përmirësimit të infrastrukturës, projekti do të sjellë një pamje të re e tërheqëse përgjatë brigjeve të lumit Shkumbin, duke e kthyer zonën në një hapësirë më të gjelbër dhe më të aksesueshme.

Në vijim, punimet do të shtrihen edhe në segmentin e rrugës “Behxhet Hyti”, nga ura e Lizës deri te ish-frigoriferi i Elbasanit, duke plotësuar kështu një nyje të rëndësishme lidhëse për qarkullimin urban dhe ndërqytetas.

Investimet në infrastrukturën e Elbasanit vazhdojnë, duke transformuar çdo ditë pamjen e qytetit dhe duke sjellë kushte më të mira jetese për komunitetin.