Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Muaj: Nëntor 2025

𝐌𝐨𝐧𝐢𝐭𝐨𝐫𝐢𝐦 𝐢 𝐯𝐚𝐳𝐡𝐝𝐮𝐞𝐬𝐡𝐞̈𝐦 𝐢 𝐬𝐢𝐭𝐮𝐚𝐭𝐞̈𝐬 𝐬𝐞̈ 𝐫𝐞𝐬𝐡𝐣𝐞𝐯𝐞 𝐧𝐞̈ 𝐄𝐥𝐛𝐚𝐬𝐚𝐧!

𝐄𝐤𝐢𝐩𝐞𝐭 𝐞 𝐀𝐒𝐇𝐏 𝐝𝐡𝐞 𝐔𝐊𝐄 ndodhen në terren në të gjithë qytetin për pastrimin e pusetave dhe për të shmangur çdo rrezik përmbytjeje për shkak të prurjeve të shumta.

Ndërkohë, 𝐀𝐒𝐇𝐏 𝐫𝐮𝐫𝐚𝐥 po monitoron prurjet e lumit, rrugët rurale dhe basenet e përrenjve. Situata aktualisht paraqitet nën kontroll, falë pastrimit në kohë të kanaleve kulluese dhe pritave mbrojtëse përgjatë luginës së Shkumbinit, të cilat kanë mbrojtur qindra hektarë tokë bujqësore në Shushicë e Muriqan.

🔔𝟐𝟒 𝐨̈𝐫𝐞̈𝐭 𝐞 𝐚𝐫𝐝𝐡𝐬𝐡𝐦𝐞 𝐩𝐫𝐢𝐭𝐞𝐭 𝐭𝐞̈ 𝐤𝐞̈𝐧𝐞̈ 𝐫𝐞𝐬𝐡𝐣𝐞 𝐞𝐝𝐡𝐞̈ 𝐦𝐞̈ 𝐢𝐧𝐭𝐞𝐧𝐬𝐢𝐯𝐞, ndaj kërkohet kujdes i shtuar nga banorët. Shmangni lëvizjet e panevojshme në zona të rrezikshme dhe raportoni çdo problem.

📞𝐍𝐮𝐦𝐫𝐚𝐭 𝐞 𝐞𝐦𝐞𝐫𝐠𝐣𝐞𝐧𝐜𝐞̈𝐬:

🚓Policia e Shtetit: 𝟏𝟐𝟗

🚒Zjarrfikësja: 𝟏𝟐𝟖

🆘Numri unik i emergjencave: 𝟏𝟏𝟐

💧Ujësjellës-Kanalizime: 𝟎𝟔𝟖 𝟔𝟒𝟏 𝟔𝟎𝟔𝟒 / 𝟎𝟔𝟗 𝟒𝟕𝟓 𝟎𝟑𝟑𝟑

𝐁𝐚𝐬𝐡𝐤𝐢𝐚 𝐄𝐥𝐛𝐚𝐬𝐚𝐧 mbetet në shërbim të komunitetit.

Elbasani shpallet kampion i Shqipërisë në pingpong për meshkuj

Ekipi i meshkujve të Klubit Shumësportësh “Elbasani” është shpallur kampion i Shqipërisë në pingpong, duke i dhuruar qytetit një tjetër sukses të rëndësishëm në arenën sportive kombëtare.

Në kampionatin e zhvilluar në Shkodër, djemtë elbasanas treguan përkushtim, profesionalizëm dhe lojë të bukur, duke na mbushur me emocione dhe krenari në çdo set e çdo ndeshje.

Ky sukses mban firmën e punës së palodhur të dy trajnerëve Gëzim Tosuni dhe Greta Kovaçi, të cilët kanë udhëhequr ekipin drejt majës, si edhe të lojtarëve që me disiplinë dhe shpirt gare arritën të kurorëzojnë një sezon të shkëlqyer.

 Falë këtij trofeu, Elbasani mund të quhet sot me plot gojën “zemra e pingpongut shqiptar”, duke dëshmuar se investimi në sport dhe talentet e reja sjellin rezultate konkrete dhe histori suksesi për qytetin.

Kalaja e Menglit: Fortifikim bizantin mbi luginën e Shkumbinit

Kalaja e Menglit ndodhet pranë fshatit me të njëjtin emër, rreth 10 kilometra në lindje të qytetit të Elbasanit, përgjatë rrugës nacionale që lidh Elbasanin me Librazhdin. E ngritur mbi një kodër dominuese që zotëron peizazhin përreth, kjo kala përfaqëson një nga fortifikimet karakteristike të periudhës së perandorit bizantin Justinian I (527–565).

Pozicioni strategjik i saj nuk ishte i rastësishëm. Nga kjo lartësi kontrolloheshin të gjitha lëvizjet përgjatë rrugës së lashtë Egnatia, një nga arteriet më të rëndësishme tregtare dhe ushtarake të kohës, që përshkonte territorin e Shqipërisë së sotme në drejtim të Lindjes.

Kalaja shërbente si pikë vrojtimi dhe mbrojtjeje, duke garantuar sigurinë e udhëtarëve dhe lidhjen ndërmjet qendrave të tjera fortifikuese të zonës.

Struktura ndjek tiparet arkitektonike të ndërtimit justinian, me mure guri të lidhura me llaç gëlqeror dhe me shfrytëzimin e terrenit natyral për mbrojtje. Pozicioni i saj i ngritur e bënte të vështirë pushtimin dhe i siguronte një pamje të plotë mbi luginën e Shkumbinit.

Edhe pse sot kanë mbetur vetëm gjurmë të mureve rrethuese dhe themeleve, Kalaja e Menglit mbetet një dëshmi e vyer e historisë së hershme të zonës së Elbasanit. Ajo ruan vlera të rëndësishme historike, arkeologjike dhe kulturore, duke dëshmuar për rolin strategjik që kjo trevë ka pasur në mbrojtjen dhe zhvillimin e rrugës Egnatia gjatë antikitetit të vonë.

Vizitë në fabrikën e vajit të ullirit “Doci” në Papër/ Një model suksesi “Made in Albania” që arrin deri në SHBA

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, së bashku me deputeten Sara Mila, vizituan fabrikën e vajit të ullirit “Doci” në Papër, një nga investimet më moderne në fushën e agropërpunimit në qarkun e Elbasanit dhe më gjerë. Fabrika përfaqëson një shembull të shkëlqyer të ndërthurjes së traditës shqiptare me teknologjinë bashkëkohore europiane.

Gjatë vizitës, Llatja u njoh nga afër me të gjithë procesin e prodhimit të vajit të ullirit, nga përpunimi i kokrrës deri te ambalazhimi final me logon “Made in Albania”, që tashmë konkurron denjësisht në tregjet ndërkombëtare.

“Është një fabrikë e prodhimit të vajit të ullirit ku prodhohet vaj si për tregun vendas, ashtu edhe për eksport. Një fabrikë me teknologji të re të përpunimit, ku kokrra e ullirit kthehet në vaj të pastër, cilësor dhe plot shije. Janë disa lloje ulliri që përpunohen këtu dhe kthehen në vaj në fabrikën ‘Doci’,” u shpreh kryebashkiaku.

Në qendër të këtij investimi qëndron historia e Fatmirit, i cili pas shumë viteve emigrim në Itali është rikthyer në vendlindje për të investuar në Papër, së bashku me familjen. Ndërkohë, Ritch, i lindur, rritur dhe shkolluar në Itali, ka ndërtuar një ekspertizë të veçantë për varietetet e ullirit shqiptar dhe sot drejton me pasion biznesin familjar.

Fatmiri shpjegon se sekreti i një vaji cilësor qëndron edhe te përzgjedhja dhe miksimi i varieteteve të ndryshme të ullirit, ky proces profesional kryhet me kujdes në fabrikë, duke siguruar një produkt final të standardeve të larta. Fabrika ka kapacitet prodhimi deri në tre ton vaj në orë, ndërsa është krijuar edhe një infrastrukturë moderne për magazinimin e vajit.

Një pjesë e konsiderueshme e prodhimit të vajit të ullirit “Doci” eksportohet tashmë drejt tregjeve ndërkombëtare, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Nga Papri deri në SHBA”, siç e theksojnë vetë prodhuesit, është tashmë një histori suksesi për produktet shqiptare.

Kryebashkiaku Llatja vlerësoi faktin që vaji i ullirit të Elbasanit po gjen tregje të reja jashtë vendit.

“Kemi pasur një shtim të prodhimit të vajit të ullirit dhe gëzohemi që fermerët tanë kanë gjetur tregje të reja. Deri para pak vitesh, tregu kryesor ishte Italia, por tashmë një pjesë e prodhimit shkon edhe drejt SHBA. Certifikimi i vajit të ullirit ka qenë pika më kryesore, analizat, kujdesi për të qenë sa më bio dhe i përshtatshëm për tregjet ndërkombëtare janë thelbësore. Kemi pasur një rritje të numrit të fabrikave të vajit në Elbasan. Fabrika ‘Doci’, me teknologji moderne, ka tre vite që është hapur dhe ne i kemi mbështetur dhe këshilluar fermerët tanë që të dalin në treg me produkt të certifikuar dhe me paketim sa më cilësor. Po punojmë me Grupin Vendor të Veprimit për t’i orientuar fermerët drejt tregjeve të reja dhe certifikimit të produkteve të tyre. Vaji ekstra i virgjër ‘Doci’ është fantastik,” u shpreh Llatja.

Deputetja Sara Mila e cilësoi këtë model si një shembull të qartë të standardizimit që kërkohet sot në sektorin agro-ushqimor.

“Është një model i jashtëzakonshëm standardizimi. Jemi tashmë në momentin ku duhet të plotësojmë standardet që i kërkohen produkteve ushqimore për të shkuar bindshëm drejt Europës. Arritja e standardeve dhe rregullave europiane na jep certifikatën që produkti ynë të jetë i domosdoshëm dhe konkurrues në tregun europian,” tha ajo.

Fabrika “Doci” në Papër shihet sot si një histori suksesi “Made in Albania”, ku përvoja e emigracionit, kthimi në atdhe, dashuria për tokën dhe standardet europiane bashkohen në një produkt të vetëm, vajin cilësor të ullirit të Elbasanit, që shkon nga ferma shqiptare drejt tryezave europiane dhe amerikane.

NJOFTIM I RËNDËSISHËM – SITUATA E RESHJEVE!

Bashkia Elbasan njofton se, për shkak të parashikimeve të reshjeve me intensitet të lartë në te gjithe territorin e vendit , strukturat vendore janë në gatishmëri të plotë për monitorimin dhe menaxhimin e situatës.

🏛️ Ekipet tona të Emergjencave Civile, Policisë Bashkiake dhe Agjensia e Shërbimeve Publike janë në terren për të siguruar marrjen e masave parandaluese dhe reagimin në kohë, në rast nevoje.

📌 Për çdo situatë urgjente, qytetarët lutemi të kontaktojnë:

🚓 Policia e Shtetit: 129

🚒 Zjarrfikësja: 128

🆘 Numri unik i emergjencave në Shqipëri: 112

Po ashtu, në dispozicionin tuaj për çdo situatë të mundshme emergjente janë edhe nr. e ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve.

📞 +355 68 641 6064

📞 +355 69 475 0333

🌧️ I bëjmë thirrje banorëve të tregojnë kujdes të shtuar, të shmangin lëvizjet e panevojshme në zona të rrezikshme dhe të raportojnë menjëherë çdo problem.

Bashkia Elbasan mbetet në shërbim të komunitetit

Kanioni Dopaj dhe Shpella e Popës, natyrë dhe histori

Kanioni i Dopajt, shpesh i njohur edhe si Kanioni i Gjormit, ndodhet pranë fshatit Dopaj, në zonën e Elbasanit. Ai përfshin një sipërfaqe të gjerë me shkëmbinj, lumenj të vegjël dhe formacione natyrore që krijojnë një peizazh të mrekullueshëm dhe të paprekur. Zona ofron një përzierje të bukur mes natyrës, terrenit malor dhe formacioneve gjeologjike të jashtëzakonshme.
Afër kanionit gjendet edhe Shpella e Popës, një atraksion më pak i vizituar, që i shton dimension eksplorimit natyror dhe historik. Terreni karstik dhe guvat natyrore e bëjnë këtë zonë të veçantë për vizitorët që kërkojnë të përjetojnë një kombinim të ecjes, eksplorimit të shpellave dhe natyrës së paprekur.

Kanioni dhe shpella ruajnë vlera të rëndësishme natyrore dhe kulturore. Gurra e Dopajit, burimi i pastër i ujit që del mes shkëmbinjve, krijon një atmosferë freskie dhe qetësie, ndërsa muret e larta shkëmbore të kanionit krijojnë një peizazh spektakolar, ku drita dhe hije ndërthuren magjikisht. Shpella e Popës ruan histori dhe legjenda vendase, duke ofruar një ndjesi të veçantë për ata që e vizitojnë.

Zona e Kanionit të Dopaj dhe Shpellës së Popës është ideale për vizitorë të të gjitha moshave, që duan të lidhen me natyrën dhe të eksplorojnë bukuritë e fshehura të Shqipërisë. Përveç bukurisë natyrore, këto vende ofrojnë mundësinë për të krijuar kujtime të paharrueshme dhe për të zbuluar histori dhe rrëfime nga banorët dhe legjendat lokale.

Vizita këtu mund të shoqërohet me relaksim pranë burimeve të ujit, dhe një ndjesi të veçantë qetësie në kontakt me natyrën. Kanioni i Dopajit dhe Shpella e Popës janë një shembull i mrekullueshëm i trashëgimisë natyrore të zonës së Elbasanit, duke ofruar një përvojë unike që lidh vizitorin me historinë dhe natyrën.

Shelcan: Porta e Shpatit dhe pasuria ikonografike e Onufrit

Në hyrje të krahinës së Shpatit, vetëm rreth 7 kilometra nga qyteti i Elbasanit, ndodhet Shelcani, një fshat i qetë dhe piktoresk, që përfaqëson ndërthurjen e harmonishme mes natyrës, historisë dhe artit fetar.
I pozicionuar në një zonë kodrinore me pamje të gjerë drejt luginës së Shkumbinit, Shelçani është një destinacion që ngjall interes si për vizitorët që kërkojnë qetësi dhe natyrë, ashtu edhe për ata që duan të zbulojnë trashëgiminë shpirtërore e kulturore të Elbasanit.

Krenaria e fshatit është Kisha e Shën Kollit, e ndërtuar në shekujt XV–XVI dhe e shpallur Monument Kulture i Kategorisë së Parë.

Në muret e saj ruhen afreske të rralla të piktorit të madh Onufri dhe të nxënësit të tij Kostandin Shpataraku, që përbëjnë një dëshmi të jashtëzakonshme të artit ikonografik shqiptar. Ngjyrat e ndezura, kompozimet e pasura dhe shprehjet e figurave në këto afreske e bëjnë kishën një galeri arti të gjallë, të vendosur mes gjelbërimit të kodrave të Shpatit.
Për studiuesit dhe vizitorët, kjo kishë është një udhëtim në kohë, ku arti, besimi dhe identiteti kombëtar ndërthuren në mënyrë unike.

Prej shekujsh, Kisha e Shën Kollit ka qenë jo vetëm vend besimi, por edhe simbol i qëndresës shpirtërore e kulturore të banorëve të zonës së Shpatit.

Kisha e Shën Kollit, përveç vlerave të mëdha artistike, përfaqëson edhe rezistencën e trashëgimisë shpirtërore shqiptare. Pavarësisht kalimit të shekujve, ajo mbetet një dëshmi e besimit dhe e mjeshtërisë së artit bizantin shqiptar.
Sot, kjo kishë vazhdon të jetë një qendër pelegrinazhi dhe destinacion turistik, ku vizitorët mahniten nga mjeshtëria e Onufrit dhe historia që përcjell çdo gur e afresk i saj.

Përveç vlerave historike, Shelcani ofron një peizazh të gjelbër e të qetë, me rrugë të ngushta fshati, shtëpi të vjetra karakteristike dhe mikpritje tradicionale.

Pozicioni gjeografik e bën Shelcanin një pikë ndalese ideale për ata që nisen drejt fshatrave të tjerë të Shpatit apo drejt maleve përreth, ku natyra ofron shtigje të bukura për ecje dhe eksplorim.
Bashkia Elbasan, në bashkëpunim me institucionet përkatëse të trashëgimisë kulturore, synon ta përfshijë Shelcanin në itineraret turistike kulturore të qytetit dhe të nxisë restaurimin e plotë të kishës për ta kthyer në një qendër të vizitueshme nga turistët vendas dhe të huaj.

Me bukurinë natyrore, vlerat historike dhe artin e rrallë që ruan, Shelcani është porta e artë e Shpatit, një vend që tregon historinë e qytetërimit dhe të shpirtit shqiptar.

Vizita në këtë fshat është një përvojë që bashkon qetësinë e natyrës me madhështinë e kulturës dhe që e vendos Elbasanin mes destinacioneve më të pasura me trashëgimi në Shqipëri.

Tregan: Oazi termal dhe natyror i Elbasanit

Vetëm 20 minuta larg qytetit të Elbasanit, Tregani është një destinacion i qetë dhe plot bukuri natyrore, i njohur për llixhat termale, peizazhet e gjelbëruara dhe mikpritjen tradicionale të banorëve. Është vendi ideal për t’u shkëputur nga rutina dhe për të shijuar një ditë relaksi në natyrë.

I rrethuar nga kodra të buta e pamje panoramike mbi luginën e Shkumbinit, Tregani ofron shtigje të bukura për ecje, piknikë dhe eksplorim. Ajri i pastër dhe qetësia e zonës e bëjnë atë një vend të preferuar për vizitorët që kërkojnë paqe dhe natyrë të paprekur.

Një nga pasuritë më të çmuara të Treganit janë banjat termale, të njohura për vetitë e tyre kurative dhe relaksuese. Ujërat e ngrohtë e të pasur me minerale ndihmojnë në trajtimin e sëmundjeve reumatizmale, të lëkurës dhe të frymëmarrjes. Në zonë veprojnë hotele dhe shtwpiza që ofrojnë banja termale, masazhe dhe ushqim tradicional. Baltoterapia, një trajtim i njohur natyral, është veçanërisht e kërkuar për efektet e saj në lëkurë.

Tregani njihet për produktet e tij bio dhe gatimet tradicionale. Kultura e mikpritjes është pjesë e identitetit të këtij fshati, që ruan me krenari zakonet dhe vlerat e trashëguara brez pas brezi.

Tregani është pjesë e “Paketës së Maleve”, një strategji që synon të zhvillojë turizmin malor dhe kurativ në Bashkinë Elbasan. Investimet në infrastrukturë, në bizneset familjare dhe në promovimin e potencialit natyror do të mbeten prioritare, pasi “çdo investim në këtë zonë përkthehet në më shumë vizitorë dhe më shumë mundësi për komunitetin.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe Bashkia Elbasan po bashkëpunojnë për përmirësimin e rrugëve, ngritjen e qendrave moderne turistike dhe profilizimin e destinacioneve të turizmit natyror, aventurës dhe shëndetit.

Tregani konfirmon se turizmi shëndetësor nuk është vetëm një pasuri natyrore, por një motor i fuqishëm ekonomik që po tërheq investime dhe vizitorë nga e gjithë Shqipëria dhe rajoni.

Kolonia e Piktorëve “Skampis 2025” sjell Elbasanin në qendër të artit

Elbasani mirëpret edhe këtë vit Koloninë e Piktorëve “Skampis 2025”, një aktivitet që mbledh artistë të njohur nga e gjithë Shqipëria për të sjellë përmes penelit atmosferën, historinë dhe shpirtin e qytetit.

Me tematikën “Elbasani turistik nën gjurmët e penelit”, kolonia synon të promovojë Elbasanin si një destinacion kulturor dhe artistik, duke pasqyruar bukuritë natyrore, monumentet historike dhe karakterin urban të qytetit.

Pjesëmarrës në këtë edicion janë piktorët, Agron Polovina, Alion Cano, Buron Kaceli, Dashnor Kulolli, Emirjona Stasi Nako, Edi Kojani, Elmal Baboci, Fatmir Dardha, Gazmend Leka, Gazmend Kafa, Helidon Haliti, Sadik Kasa, Nasuf Myftari, Nikolin Ivani, Kudret Durollari, Romeo Kallco, Sefedin Stafa, Vanjgo Vasili, Zaim Elezi dhe Kristjan Zara.

Artistët po zhvillojnë krijimet e tyre në pika të ndryshme të qytetit, aty ku Elbasani shpalos identitetin e tij, nga kalaja dhe rrugicat karakteristike, deri tek peizazhet natyrore përreth.

Ekspozita përmbyllëse do të mbahet më 17 nëntor, ora 18:00, në hollin e Teatrit “Skampa”, ku publiku do të ketë mundësinë të shohë të gjitha veprat e realizuara gjatë ditëve të kolonisë.

Kolonia e Piktorëve “Skampis 2025” mbetet një dëshmi e përkushtimit të Bashkisë Elbasan për të mbështetur artin, kulturën dhe promovimin e identitetit të qytetit, duke e forcuar pozicionin e Elbasanit si një qendër të rëndësishme kulturore në Shqipëri.