Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 18 Dhjetor 2025

Nis ndërtimi i parkut rekreativ “Dua të luaj” 

Qytetarët dhe fëmijët e Elbasanit do të kenë së shpejti një hapësirë çlodhëse dhe rekreative për aktivitete sportive, të quajtur parku rekreativ “Dua të luaj”.

Ky projekt, një nismë e bashkisë Elbasan po realizohet me mbështetjen e Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe synon krijimin e një hapësire moderne dhe funksionale rekreative, në shërbim të të gjitha grupmoshave.

Projekti parashikon ndërtimin e një hapësire prej 22 mijë m², e cila do të përfshijë fushë sportive, kënde lojërash për fëmijë, si dhe ambiente rekreative të gjelbra, të konceptuara për fëmijë, familje dhe të moshuar.

Ky investim është pjesë e vizionit të bashkisë Elbasan për transformimin e hapësirave publike, promovimin e një stili jetese aktive dhe krijimin e mjediseve të sigurta, të aksesueshme dhe miqësore me mjedisin.

Në lidhje me nisjen e punimeve, kryetari i bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, u shpreh se ky projekt është një investim që i shërben drejtpërdrejt komunitetit, duke krijuar hapësira moderne për sport, argëtim dhe relaks, si dhe duke rritur cilësinë e jetës në qytet.

Përmes projekteve të tilla, bashkia Elbasan vijon angazhimin për t’i dhënë qytetit më shumë gjelbërim, hapësira rekreative dhe mundësi të reja për komunitetin.

Elbasani drejt rijetësimit të kinemasë publike, Gledian Llatja nënshkruan marrëveshjen

Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Qendra Kombëtare e Kinematografisë, bashkia Elbasan dhe bashkia Pogradec nënshkruan një marrëveshje tripalëshe për rijetësimin dhe funksionimin e hapësirave kinematografike publike.

Kjo marrëveshje u nënshkrua nga ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, drejtori i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, Jonid Jorgji, kryetari i bashkisë Elbasan Gledian Llatja dhe kryetari bashkisë së Pogradecit, Ilirijan Xhakolli.

Gonxhja tha se në kuadër të edicionit të 9-të të Balkan Film Market 2025, përkrah profesionistëve të industrisë së filmit nga rajoni dhe Europa.

Duke e cilësuar një hap të rëndësishëm institucional për të ardhmen e kinemasë në Shqipëri, Gonxhja tha se “kjo nismë shënon fillimin e ndërtimit të Rrjetit Kombëtar të Kinemave Publike, me synimin për ta rikthyer kinemanë në jetën e përditshme të qytetarëve, jo vetëm në qendrat e mëdha urbane, por edhe në komunitete lokale me potencial të madh kulturor e turistik”.

Gonxhja theksoi se “përmes këtij bashkëpunimi, sallat publike të kinemasë do të funksionojnë si pjesë e një rrjeti të koordinuar, me programacion të përbashkët dhe profesional, që vendos në qendër filmin shqiptar dhe filmin europian, duke afruar krijuesit me publikun dhe duke forcuar jetën kulturore, edukative dhe kreative në territore”.

Kjo marrëveshje është një hap konkret drejt forcimit të infrastrukturës kulturore, zhvillimit të industrisë filmike vendase dhe shndërrimit të kinemasë publike në një shërbim kulturor të aksesueshëm, aktiv dhe të qëndrueshëm për komunitetin.

Marrëveshja u nënshkrua në kuadër të edicionit të 9-të të Balkan Film Market 2025, ku marrin pjesë profesionistë të industrisë së filmit nga rajoni dhe Europa.