Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Muaj: Janar 2026

Mirëmbajtja e hapësirave të gjelbra të qytetit, në çdo stinë!

Ekipet e Agjencisë së Shërbimeve Publike po zhvillojnë çdo ditë procesin e krasitjes vjetore të pemëve dekorative në rrugët dhe parqet e qytetit.

Kjo ndërhyrje është e domosdoshme për garantimin e sigurisë së qytetarëve, pasi largohen degët e dëmtuara që mund të paraqesin rrezik për kalimtarët dhe mjetet, veçanërisht gjatë kushteve të pafavorshme atmosferike.

Njëkohësisht, krasitja teknike ndihmon në përmirësimin e shëndetit të pemëve, duke nxitur rigjenerimin e tyre dhe duke eliminuar degët e sëmura.

Krahas kësaj, ndërhyrjet kontribuojnë edhe në ruajtjen e estetikës urbane, duke i dhënë kurorave të pemëve formën e duhur për një pamje më të rregullt të qytetit.

Agjencia e Shërbimeve Publike, po vijon në çdo lagje, sipas një kalendari të mirëpërcaktuar, me qëllim krijimin e një mjedisi sa më të pastër, të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë qytetarët.

Kampionati i Shahut në QKF Elbasan, një nismë që edukon dhe formon fëmijët

Në ambientet e Qendrës Kulturore të Fëmijëve (QKF) në Elbasan u zhvillua Kampionati i Përvitshëm i Shahut për nxënësit e shkollave 9-vjeçare, një aktivitet që tashmë është kthyer në traditë dhe që synon të nxisë zhvillimin intelektual dhe kulturën sportive te fëmijët.

Fitues të këtij edicioni u shpallën Erdet Alla nga shkolla “Sule Harri” dhe Arsa Çekani nga shkolla “Jorgji Dilo”, të cilët u dalluan për përqendrimin, strategjinë dhe aftësitë e tyre logjike. Organizatorët i uruan kampionët për suksesin dhe i inkurajuan të vijojnë rrugën e sportit të mendjes.

Këtë vit, kursi i shahut është përfshirë si pjesë e rregullt e kurseve që QKF ofron, pas kërkesave të shumta nga nxënësit dhe prindërit. Pjesëmarrja e lartë në kampionat dëshmon interesin gjithnjë e në rritje të fëmijëve për aktivitete që zhvillojnë mendimin kritik, përqendrimin dhe disiplinën.

Qendra Kulturore e Fëmijëve në Elbasan ofron një sërë kursesh artistike, kulturore dhe sportive, me qëllim edukimin, argëtimin cilësor dhe largimin e fëmijëve nga përdorimi i tepruar i mjeteve teknologjike. Kjo qendër përbën një shembull pozitiv të investimit në formimin e brezit të ri, duke krijuar hapësira ku talenti dhe vlerat edukative kultivohen çdo ditë.

Elbasani gjelbërohet: Mbi 14 mijë pemë të mbjella, Krasta në qendër të fushatës së pyllëzimit

Në kuadër të strategjisë për mbrojtjen e mjedisit dhe rritjen e sipërfaqeve të gjelbra, vijon me intensitet fushata vjetore e pyllëzimit në Bashkinë Elbasan. Ky proces, pjesë e një plani të mirëfilltë masash për rigjenerimin e ekosistemit, ka hyrë tashmë në një fazë të rëndësishme zbatimi në terren.

Aksioni i radhës i mbjelljeve është zhvilluar në Kodër Krastë, e njohur si “mushkëria e qytetit”, ku grupe e punës së drejtorisë së pyjeve, si edhe vullnetarë kanë vijuar mbjelljen e fidanëve të rinj. 

Aksionit ju bashkuan kryetari i Bashkisë, Gledian Llatja, si dhe deputeti Adi Qose.

Kryebashkiaku Llatja theksoi se fushata e pyllëzimit po shtrihet në disa zona prioritare të qytetit dhe të territorit rural.

“Ne kemi pasur shumë aksione edhe në shkollat e qytetit, por edhe në zonat më nevralgjike të Elbasanit, siç është Kodër Krasta. Deri më tani janë mbjellë mbi 14 mijë pemë, ndërsa qëllimi ynë është që në fund të sezonit të mbjellim mbi 20 mijë fidanë në të gjithë Bashkinë e Elbasanit.

 Prioritet kryesor u kemi dhënë zonave ekonomike, por edhe zonave që kanë ndikim mjedisor për qytetin. Një vëmendje të veçantë i kemi kushtuar Krastës, si për pastrimin e pemëve të rëna, ashtu edhe për zëvendësimin e tyre me fidanë të rinj. Deri më tani këtu janë mbjellë mbi 3 400 fidanë,” u shpreh Llatja.

Nga ana e tij, deputeti Adi Qose u bëri thirrje qytetarëve që të kontribuojnë në ruajtjen e këtyre hapësirave të gjelbra, veçanërisht gjatë sezonit veror.

Fokusi i kësaj fushate nuk është i rastësishëm. Grupet e punës janë përqendruar në zona me rëndësi mjedisore, turistike dhe ekonomike.

 Funari dhe Gjinari konsiderohen zona me potencial të lartë turistik, ku ndërhyrja synon ruajtjen e peizazhit natyror si aset për zhvillimin e turizmit malor dhe agroturizmit. Ndërkohë, Krasta mbetet një zonë jetike për balancën ekologjike të qytetit, ku po forcohet brezi i gjelbër për të parandaluar degradimin e mëtejshëm të tokës.

Një tjetër drejtim i rëndësishëm i fushatës është pyllëzimi në oborret dhe rrethinat e shkollave, me karakter edukativ dhe mjedisor, për të krijuar hapësira më të shëndetshme për nxënësit dhe për të përcjellë te fëmijët mesazhin për rëndësinë e gjelbërimit.

Një shtyllë kryesore e projektit është edhe ripyllëzimi i zonave të prekura nga zjarret. Ndërhyrja shërben si masë rehabilituese për të rikthyer funksionalitetin e ekosistemeve, duke minimizuar rrezikun e erozionit dhe duke rivendosur biodiversitetin e humbur.

Ky investim në gjelbërim përbën një angazhim afatgjatë për t’i kthyer natyrës atë që është dëmtuar nga  faktorë të ndryshëm natyrorë.

 Përmbushja e objektivit prej 20 mijë fidanësh këtë vit do të shënojë një hap të rëndësishëm drejt një mjedisi më të qëndrueshëm dhe një infrastrukture natyrore më të pasur për komunitetin dhe vizitorët e Elbasanit.

Këshilli Vendor i Sigurisë Publike zhvillon takimin e parë të vitit me të rinjtë

Bashkia Elbasan ka zhvilluar takimin e parë për këtë vit të Këshillit Vendor të Sigurisë Publike, duke e nisur ciklin e bashkëbisedimeve me të rinjtë e qytetit dhe përfaqësues të Këshillit Rinor. 

Tryeza mblodhi përfaqësues të institucioneve publike, organizatave të shoqërisë civile dhe të rinj, me fokus forcimin e sigurisë publike dhe përfshirjen aktive të rinisë në çështjet e sigurisë.

Në fjalën e tij, kryetari i Bashkisë Elbasan, dhe njëkohësisht kryetar i KVSP Gledian Llatja, theksoi se siguria publike mbetet një nga prioritetet kryesore të qeverisjes vendore, duke nënvizuar përmirësimin e ndjeshëm të situatës në komunitet.

“Sot, mbi 92% e qytetarëve ndihen të sigurt, një rritje e jashtëzakonshme krahasuar me vitet e mëparshme. Ky perceptim është një tregues konkret i stabilitetit, rendit dhe përmirësimit të jetës së përditshme,” u shpreh Llatja.

Ai vuri në dukje se ky rezultat është fryt i bashkëpunimit ndërinstitucional, politikave lokale dhe angazhimit komunitar, duke theksuar se siguria është e pandashme nga planifikimi urban dhe qeverisja vendore. Në këtë proces, sipas tij, roli i të rinjve është thelbësor.

“Të rinjtë nuk janë vetëm përfitues të politikave publike, por aktorë aktivë të ndryshimit. Siguria e qëndrueshme vjen nga përfshirja e të gjitha zërave, nga ndërtimi i besimit dhe krijimi i një komuniteti të fortë,” tha kryebashkiaku.

Në takim Zëvendësdrejtori për Sigurinë dhe Rendin Publik në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, kryekomisar Blerim Berbati, i cili e cilësoi sigurinë publike si një koncept të gjerë që kërkon angazhimin e institucioneve shtetërore, publike dhe private.

Sipas tij, Policia e Shtetit e konsideron përfshirjen e të rinjve një element kyç përmes bashkëpunimit, edukimit ligjor dhe ndërgjegjësimit, duke theksuar se angazhimi aktiv i rinisë ndihmon në parandalimin e veprimtarive të paligjshme dhe ndërtimin e një kulture qytetare.

Si përfaqësuese e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, prokurorja Glenda Zeneli theksoi rolin e institucionit në hetimin dhe ndjekjen penale të çështjeve që lidhen me të miturit, duke garantuar vëmendje të veçantë për sigurinë e tyre.

Ndërsa drejtuesja e Zyrës Vendore të Arsimit, Vesa Llanaj Liço, iu drejtua të rinjve me mesazhin se siguria publike, veçanërisht ajo që lidhet me të rinjtë, është një mision i përbashkët që padyshim nis nga vetë të rinjtë.

Vetë të rinjtë e pranishëm përcollën mesazhin se përfshirja e tyre e bën sigurinë publike më të fortë, duke e vlerësuar këtë nismë si një shembull konkret të bashkëpunimit mes institucioneve dhe të rinjve.

Në fokus të diskutimit ishte edhe rëndësia e pjesëmarrjes së të rinjve në ndërtimin e politikave të sigurisë, si burim inovacioni, ndërtimi besimi dhe kohezioni shoqëror. 

U theksua nevoja për krijimin e platformave reale të përfshirjes, dëgjimin e ideve të rinisë dhe fuqizimin e tyre përmes arsimit, aftësive dhe mundësive ekonomike.

“Një qytet i sigurt nuk ndërtohet vetëm me rregulla dhe kamera, por me pjesëmarrje, përgjegjësi dhe ndjenjë komuniteti,” ishte mesazhi përmbyllës i takimit.

Bazilika e Kodrës së Tepes; një nga monumentet më të hershme të krishtërimit në Elbasan

Shumë pranë Ullishtës, në lindje të qytetit të Elbasanit, në zonën e njohur si Kodra e Tepes, ndodhet një nga bazilikat më të vjetra të qytetit, e shpallur Monument Kulture. Arkeologët që e kanë studiuar këtë objekt e lidhin atë me Varrezën e Skampinit dhe e datojnë në shekujt IV–V të erës sonë. Kjo bazilikë konsiderohet ndër ndërtimet më të hershme të kultit të krishterë në vend, pas Bazilikës së Akropolit në Butrint.

Bazilika është zbuluar me mure pjesërisht mbi tokë dhe ruan thuajse të njëjtën pamje që paraqet edhe sot. Ajo ka kaluar nëpër tre faza ndërtimore, gjatë të cilave ka pësuar ndryshime funksionale dhe arkitektonike. Në një nga këto faza, nefet anësore u kthyen në ambiente varrimi për dinjitarët e komunitetit fetar të Skampinit.

Rreth vitit 518, bazilika pësoi rrënim si pasojë e tërmeteve dhe nuk u rindërtua më. Në këtë periudhë, qyteti i Skampinit kishte katedralen e Shën Pjetrit, e cila përmendet vetëm në dokumente historike, dhe ishte lejuar varrimi brenda mureve të kalasë.

Tre fazat ndërtimore të bazilikës

Varfëria e ndërtimit e daton fazën e parë të bazilikës në mesin e shekullit IV, një periudhë kur Skampini ende nuk e kishte konsoliduar plotësisht fizionominë e tij qytetare. Kjo fazë paraqet një bazilikë me tre mjedise, të formuara nga dy kolona. Muret janë ndërtuar me gurë dhe breza tullash, ndërsa lartësia e plotë e murit ka qenë rreth 5.5 metra. Dyshemeja ishte e shtruar me dhe të ngjeshur, çka dëshmon për një ndërtim të thjeshtë.

Në fazën e dytë, bazilika pësoi një sërë transformimesh për t’iu përshtatur më mirë funksionit të saj si kishë varrezash. Në këtë periudhë u murosën arkadat ndërmjet nefeve, duke krijuar një sallë qendrore, e cila u shtrua me mozaik. Po ashtu, u realizua ndarja e rregullt e ambientit të altarit nga naosi përmes një ikonostasi të gurtë. Këto ndryshime lidhen edhe me ndërtimin e dy varreve me qemer tullash në nefin verior.

Faza e tretë e rindërtimit datohet në shekullin V të erës sonë, gjë që dëshmohet nga kapitelet korintike të stilizuara. Më vonë, monumenti pësoi një tjetër ndryshim në anën perëndimore, i cili i përket shekullit VI të erës sonë dhe përkon me ndërhyrje ndërtimore të realizuara edhe në kalanë e Elbasanit.

Mozaiku i bazilikës

Dyshemeja e bazilikës ndahej nga rrugë me pllaka guri shtufi në katër panele mozaiku, të vendosura në mënyrë simetrike dhe të dekoruara kryesisht me motive bimore dhe gjeometrike. Dy panelet pranë hyrjes janë më të mëdha dhe përmbajnë bordura me gërsheta, brenda të cilave gjenden rrathë dhe rombe me ngjyra të ndryshme. Në pjesën e sipërme, drejt qendrës së sallës, shfaqet një dekor me gjethe vreshti. Dy panelet e tjera, më të vogla, paraqesin motive gjeometrike.

Mozaikët janë realizuar me kubikë mermeri të bardhë, gëlqerorë, me ngjyra vjollcë, të zezë dhe tullash të kuqe, dhe dallohen për nivel të mirë ekzekutimi. Kolonat e ikonostasit janë prej mermeri gri, të sjella nga një vend tjetër. Në pllakat e ikonostasit janë gdhendur figura luanësh, kaprollësh, shpendësh dhe ornamente bimore.

Gjendja aktuale dhe mirëmbajtja

Janë ndërmarrë ndërhyrje periodike për pastrimin e mozaikut dhe heqjen e dherave e gurëve. Janë realizuar gjithashtu masa mbrojtëse për mbulimin e mozaikut, me qëllim ruajtjen e tij nga faktorët atmosferikë.

Bazilika e Kodrës së Tepes mbetet një pasuri e rëndësishme historike, arkeologjike dhe kulturore për qytetin e Elbasanit, duke përfaqësuar një dëshmi të vyer të hershmërisë së krishterimit dhe zhvillimit urban të Skampinit antik.

Përfundon rikonstruksioni i konviktit “Ymer Tola” standarde moderne për jetesë dhe studim

Një investim tërësisht i përfunduar ka transformuar konviktin “Ymer Tola” në Elbasan, duke krijuar kushte moderne jetese dhe studimi për nxënësit e shkollave të mesme, veçanërisht për ata të arsimit profesional dhe për të rinjtë që vijnë nga zonat e thella rurale.

Objekti është rikonstruktuar nga themelet dhe tashmë përfshin 26 dhoma me një kapacitet prej 100 shtretërish. Çdo dhomë është e kompletuar me krevate, dollapë, rafte librash, tavolina studimi, karrige dhe kondicioner, duke ofruar ambiente komode për jetesë dhe përgatitje mësimore. Janë ndërtuar tualete sipas standardeve, një sallë e re studimi dhe një kuzhinë me pajisje bashkëkohore, ndërsa dyert, dritaret dhe veshjet e brendshme janë zëvendësuar plotësisht.

Rikonstruksioni ka përfshirë gjithashtu rrjetin e plotë elektrik dhe hidraulik, instalimin e një gjeneratori për furnizim të pandërprerë me energji, si dhe ndërtimin e shkallës së emergjencës sipas standardeve të sigurisë.

Përfundimi i këtij investimi është ndjekur nga afër nga kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, i cili vizitoi ambientet e reja dhe u njoh me kushtet që tashmë u ofrohen nxënësve.

“Ky konvikt tashmë ka një kapacitet prej rreth 100 shtretërish dhe i vjen në shërbim të të gjithë nxënësve të shkollave të mesme, veçanërisht atyre të arsimit profesional,” u shpreh Llatja gjatë vizitës.

Ai theksoi se investimi është realizuar me standarde të krahasueshme me ato të Bashkimit Europian.

“Çdo dhomë mund të akomodojë dy ose tre fëmijë në kushte shumë të mira. Kemi krijuar dhoma leximi, një kuzhinë komode dhe ambiente funksionale për të gjithë nxënësit që studiojnë si në arsimin profesional, ashtu edhe në gjimnazet e qytetit,” tha kryebashkiaku.

Sipas tij, rëndësi e veçantë i është kushtuar edhe shërbimeve mbështetëse.

“Konvikti ka një qasje shumë pozitive edhe sa i përket kujdestarisë dhe shërbimit infermieror, për të garantuar shendet dhe mirëqenie për çdo nxënës që jeton këtu,” shtoi Llatja.

Për shumë familje nga zonat e largëta rurale, ky konvikt përfaqëson një mbështetje të rëndësishme për vijimin e arsimit të mesëm në kushte dinjitoze. Ndërsa për vetë nxënësit, “Ymer Tola” tashmë nuk është vetëm një vend akomodimi, por një hapësirë moderne që i ndihmon të përqendrohen te studimi dhe e ardhmja e tyre.

Zavalinë

Njësia Administrative Zavalinë ndodhet në lindje të Bashkisë Elbasan dhe shtrihet në një zonë tipike malore, e karakterizuar nga natyra e paprekur, qetësia dhe traditat e ruajtura rurale. Fshatrat Zavalinë, Seltë, Kamiçan, Joronisht, Nezhan dhe Burrishtë ofrojnë peizazhe të mrekullueshme malore, biodiversitet të pasur dhe një mënyrë jetese të lidhur ngushtë me natyrën.

Zona dallohet për arkitekturën e vjetër karakteristike, me shtëpi guri dhe rrugica të ngushta, si dhe për mundësitë që ofron për ecje malore, eksplorim të peizazheve rurale, piknikë dhe vëzhgim panoramik të territorit përreth. Ajri i pastër dhe atmosfera e qetë e bëjnë Zavalinën një destinacion të përshtatshëm për pushime natyrore, vizita familjare dhe turizëm në natyrë.

Zavalina njihet gjithashtu për traditat e saj të hershme, kulturën vendase dhe artizanatin, si dhe për produktet bujqësore dhe blegtorale të prodhuara në kushte natyrore. Mikpritja tradicionale dhe autenticiteti i jetës së përditshme në fshat e kthejnë këtë njësi administrative në një nga zonat më përfaqësuese të turizmit malor dhe rural në Bashkinë Elbasan.

Një tjetër investim rrugor në Jagodinë

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, i shoqëruar nga deputetja Evis Kushi, ka inspektuar punimet për asfaltimin në rrugën e Isufajve, në fshatin Jagodinë, një kërkesë e kahershme e banorëve të zonës që sot ka marrë zgjidhje.

Gjatë inspektimit, kryebashkiaku Llatja u shpreh se investimet në fshat kanë qenë të vazhdueshme dhe do të vijojnë, me fokus kryesor zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e infrastrukturës rurale. Sipas tij, kjo rrugë i shërben rreth 550 banorëve të fshatit Jagodinë, si edhe një sipërfaqeje prej afro 30 hektarësh sera bujqësore.

“Qëllimi ynë është rritja e sipërfaqes së serrave dhe forcimi i ekonomisë rurale. Ka pasur rritje ekonomike në fshatin Jagodinë, por edhe në njësitë administrative Shirgjan dhe Gjergjan, veçanërisht pas ndërtimit të unazës bujqësore dhe investimeve infrastrukturore që kemi realizuar. Kjo rrugë lehtëson jo vetëm qarkullimin e banorëve, por edhe daljen e lirshme të prodhimeve bujqësore në treg,” u shpreh Llatja.

Ai i bëri thirrje banorëve të ndërtojnë ura mbi kanalet kulluese sipas standardeve, duke theksuar se strukturat pa leje që shkaktojnë probleme do të prishen. Kryebashkiaku njoftoi se investimet do të vijojnë në unazën e Kuqanit, si dhe në 18 rrugë të tjera rurale dhe projekte të tjera infrastrukturore.

Nga ana e saj, deputetja Evis Kushi theksoi se çdo investim në zonat rurale përkthehet drejtpërdrejt në përmirësimin e jetesës dhe rritjen e ekonomisë lokale. “Vetëm ndërtimi i unazës bujqësore ka sjellë zhvillim të ndjeshëm për zonën. Nga 10 hektarë sera që kishte disa vite më parë, sot janë rreth 70 hektarë sera,” u shpreh Kushi.

Banorët e Jagodinës kanë falënderuar kryebashkiakun për këtë investim, i cili ishte një nga kërkesat e paraqitura gjatë procesit të buxhetimit me pjesëmarrje.