Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Muaj: Shkurt 2026

Bashkia Elbasan forcon monitorimin shkencor të mjedisit përgjatë Lumit Shkumbin

Bashkia Elbasan ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm drejt forcimit të politikave mjedisore, duke e kthyer monitorimin e ndotjes në një proces të mirëfilltë shkencor, të matshëm dhe të bazuar në evidencë. Për herë të parë në nivel vendor, po zbatohet metodologjia ndërkombëtare e OSPAR Commission, duke garantuar standarde të larta në mbledhjen dhe analizimin e të dhënave.

Monitorimi po zhvillohet përgjatë Lumi Shkumbin, ku ekipet në terren po identifikojnë në mënyrë të detajuar burimet reale të ndotjes. Çdo mbetje plastike e evidentuar nuk konsiderohet thjesht si mbeturinë, por si një e dhënë konkrete shkencore që ndihmon në hartimin e masave të drejtpërdrejta dhe efektive ndaj ndotësve.

I pranishëm në nisjen e kësaj nisme ishte edhe Kryetari i Bashkisë, Gledian Llatja, i cili theksoi rëndësinë e këtij modeli të ri monitorimi.

“Sjellja jonë është një model. Sot kemi filluar një model të ri të monitorimit të brigjeve tona lumore, pikërisht për të identifikuar arsyet kryesore të ndotjes që kemi dhe për t’i konstatuar ato në pika të caktuara në çdo kohë.

Kjo do të na mundësojë monitorimin e vazhdueshëm, marrjen e masave përkatëse për evidentimin dhe goditjen e personave që ndotin mjedisin dhe lumenjtë tanë.”

Ky proces shërben njëkohësisht si një laborator i hapur mjedisor dhe si një platformë edukimi për të rinjtë. Nxënës dhe studentë janë angazhuar aktivisht në matjen, analizimin dhe interpretimin e të dhënave, duke u bërë pjesë e drejtpërdrejtë e zgjidhjeve të qëndrueshme për qytetin e tyre. Përfshirja e brezit të ri forcon kulturën e përgjegjësisë mjedisore dhe ndërton kapacitete afatgjata për komunitetin.

Nisma zbatohet në kuadër të programit BeMed+, me mbështetjen e Beyond Plastic Med, IUCN dhe Surfrider Foundation Europe, si dhe organizatës INCA Albania.

Përmes kësaj nisme, Bashkia Elbasan konfirmon angazhimin e saj të qartë për politika mjedisore të bazuara në të dhëna dhe për veprime konkrete në mbrojtje të mjedisit, duke e vendosur qytetin në një rrugë të qëndrueshme zhvillimi të gjelbër.

Gëzuar Muajin e Shenjtë të Ramazanit!

Sot nis një rrugëtim sakrifice dhe devotshmërie për mijëra besimtarë në qytetin tonë. Ramazani na kujton vlerat e solidaritetit, bujarisë dhe bashkëjetesës, që na bëjnë më të mirë si njerëz dhe më të fortë si komunitet.

Uroj që ky muaj i bekuar të sjellë paqe, shëndet dhe begati në çdo shtëpi.

Agjërim të lehtë dhe të pranuar!

Moti me reshje, në rënie niveli i ujit në rezervuarin e Funarit

Gjatë natës së mbrëmshme dhe mëngjesit të sotëm, në rezervuarin “Aksi 2-2” në Funar, niveli i ujit është rritur ndjeshëm, me rrezik për dalje mbi digë.

Bashkia Elbasan, në bashkëpunim me Prefekturën e Elbasanit, Policinë e Shtetit dhe në koordinim me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC), ka angazhuar strukturat përkatëse të mbrojtjes civile. Situata aktualisht është nën kontroll.

Sasia e ujit që po shkarkohet tejkalon prurjet hyrëse, duke u shkarkuar rreth 3 metër kub në sekondë më shumë se prurjet. Si rezultat i ndërhyrjes së koordinuar, niveli i ujit është ulur me rreth 20 cm.

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, ka monitoruar situatën në rezervuarin e fshatit Branesh dhe ka deklaruar se janë marrë të gjitha masat për të parandaluar përmbytje apo dëmtim të banorëve. Ndërhyrja ka qenë e menjëhershme për të shmangur çdo rrezik potencial që mund të ndikonte jo vetëm Braneshin, por edhe dy fshatra të tjerë në zonën e Bradasheshit.

Megjithatë, situata mbetet e vlerësuar në varësi të kushteve atmosferike gjatë ditës dhe mbrëmjes. Strukturat përgjegjëse, të mbështetura nga efektivë të Policisë së Shtetit, do të qëndrojnë në gatishmëri të plotë për monitorimin dhe menaxhimin e situatës, duke garantuar sigurinë e komunitetit.

Elbasani merr “EU Mission Label”, një hap historik drejt neutralitetit klimatik

Qyteti i Elbasanit është vlerësuar me EU Mission Label për Qytetet Klimatike-Neutrale, duke u bërë një nga 106 qytetet evropiane që mbajnë këtë certifikim prestigjioz. Ky është një moment domethënës jo vetëm për qytetin, por edhe për gjithë rajonin, pasi Elbasani dhe Sarajeva janë qytetet e para nga Ballkani Perëndimor që marrin këtë vlerësim, duke dëshmuar se ambicia për neutralitet klimatik po përhapet në mbarë Evropën.

Ky vlerësim konfirmon angazhimin e Bashkisë së Elbasanit për të ndërtuar një model zhvillimi të qëndrueshëm, të bazuar në inovacion, përfshirje dhe zgjidhje konkrete për të ardhmen e gjelbër të qytetit.

Teknologjia është një element i rëndësishëm, por ajo e vetme nuk mjafton për të arritur neutralitetin klimatik. Elbasani ka zgjedhur një qasje sistematike, duke gërshetuar instalimet agro-solare me energjinë gjeotermale, me synimin për të krijuar sinergji midis bujqësisë, prodhimit të energjisë dhe mjedisit të ndërtuar. Kjo qasje ndërthur zhvillimin ekonomik me mbrojtjen e mjedisit, duke e kthyer tranzicionin e gjelbër në një mundësi reale për komunitetin dhe duke forcuar rolin e bashkisë në nxitjen e projekteve inovative mjedisore.

Në të njëjtën kohë, qytetet partnere në këtë vlerësim po ndjekin modele të ndryshme, por me të njëjtin objektiv, neutralitetin klimatik. Sarajeva e mbështet aksionin klimatik në pjesëmarrjen demokratike përmes asambleve të qytetarëve dhe zhvillimit të komuniteteve energjetike, ndërsa Dortmundi po fuqizon banorët përmes paneleve diellore në ballkone dhe kooperativave qytetare, duke udhëhequr edhe praktika të ekonomisë qarkulluese si ripërdorimi i produkteve të jetës së dytë.

Marrja e kësaj certifikate i hap Elbasanit mundësi të reja për të pasur akses në mbështetje të personalizuar nga Banka Evropiane e Investimeve (EIB) dhe nga Climate City Capital Hub, për të ndërtuar partneritete të qëndrueshme me investitorë dhe biznese, si dhe për të shndërruar planet për klimën dhe inovacionin në projekte konkrete dhe të realizueshme. Ky është një tjetër hap i rëndësishëm në rrugëtimin e Bashkisë së Elbasanit drejt transformimit të qytetit në një model zhvillimi të qëndrueshëm dhe neutral ndaj klimës, duke vendosur mjedisin dhe mirëqenien e qytetarëve në qendër të politikave vendore.

Bashkia Elbasan pjesë e Tourism Fair Albania 2026, prezantohet vizioni për turizmin gjithëvjetor

Ka nisur zyrtarisht panairi ndërkombëtar Tourism Fair Albania, ku Bashkia Elbasan merr pjesë me stendën e saj promovuese, duke sjellë më pranë vizitorëve pasurinë e jashtëzakonshme historike, kulturore dhe natyrore të një prej qyteteve më me traditë të Shqipërisë.

Kryetari i Bashkisë, Gledian Llatja, në fjalën e tij theksoi se me krenari Elbasani prezanton vlerat e tij të spikatura, nga Kalaja simbol e qytetërimit ndër shekuj, rrugicat karakteristike, trashëgimia e arsimit dhe e zejtarisë, deri te peizazhet mbresëlënëse të Funarit, Gjinarit, e Shpatit.

Një vend të veçantë zë kulinaria tradicionale elbasanase, me gatime emblematike si tava e Elbasanit, ballokumet e Ditës së Verës, produktet e freskëta të fshatit dhe shijet autentike që përcjellin historinë e këtij qyteti.

Tradita e mikpritjes dhe tryeza e pasur e bëjnë Elbasanin një destinacion të dashur për çdo vizitor vendas e të huaj.

Sipas kryetarit, investimet e Bashkisë në rigjallërimin e qendrës historike, krijimin e hapësirave të gjelbra, promovimin e turizmit natyror dhe mbështetjen e sipërmarrjeve lokale po e kthejnë

Elbasanin në një model zhvillimi të qëndrueshëm, ku tradita, kultura dhe kulinaria bashkohen me vizionin modern për të ardhmen.

Në kuadër të Forumit të Bashkive, përfaqësuesit vendorë do të ndajnë eksperiencat mbi turizmin gjithëvjetor, marketingun strategjik dhe mënyrat për ta bërë Shqipërinë një destinacion edhe më konkurrues.

Stenda e Bashkisë Elbasan paraqet një udhëtim të plotë në identitetin e qytetit, trashëgimi, natyrë, kulturë, kulinari dhe traditë, duke pasqyruar vizionin për një Elbasan të hapur, mikpritës dhe të gjelbër.

Ju ftojmë të vizitoni stendën e Bashkisë Elbasan në Tourism Fair Albania dhe të zbuloni nga afër Elbasanin që duam!

Gledian Llatja pret pensionistët e Shirgjanit në Bashkinë e Elbasanit

Këtë herë, takimi me pensionistët e njësisë Shirgjan u zhvillua në ambientet e Bashkisë së Elbasanit, në një atmosferë miqësore, ndryshe nga takimet e mëparshme që janë mbajtur në vetë zonën. Kryetari i Bashkisë, z. Gledian Llatja, i priti në zyrën e tij për të biseduar nga afër mbi çështje që lidhen me zhvillimin e mëtejshëm të kësaj njësie të rëndësishme bujqësore.

Gjatë bashkëbisedimit, vëmendje e veçantë iu kushtua perspektivës së zhvillimit të Shirgjanit, si një nga zonat me potencial të lartë në prodhimin bujqësor dhe në ekonominë lokale.

Pensionistët ndanë mendimet dhe sugjerimet e tyre, duke vlerësuar mbështetjen e vazhdueshme të Bashkisë ndaj komunitetit.

Një tjetër temë e rëndësishme ishte rritja e pensioneve gjatë këtij viti, e cila u konsiderua si një mbështetje e merituar për brezin që ka kontribuar ndër dekada për qytetin dhe fshatrat e Elbasanit.

Llatja theksoi se kujdesi ndaj pensionistëve mbetet prioritet dhe pjesë e politikave sociale të Bashkisë.

Vëmendja ndaj Shirgjanit dhe të gjitha njësive administrative do të vijojë me projekte konkrete zhvillimi, përmirësim shërbimesh dhe mbështetje për komunitetin, në përputhje me vizionin e Bashkisë së Elbasanit për një territor më të gjelbër, më të zhvilluar dhe më pranë qytetarëve.

Bashkia Elbasan nis bashkëpunimin me JICA dhe Fedinvest për ndërtimin e baxhos së qumështit në Kuqan

Bashkia Elbasan, në bashkëpunim me Agjencinë Japoneze të Bashkëpunimit Ndërkombëtar (JICA) dhe institucionin financiar Fedinvest, ka hedhur hapat e parë të një projekti të rëndësishëm për ndërtimin e një baxhoje moderne qumështi në zonën e Kuqanit. Ky investim strategjik synon të krijojë kushte bashkëkohore për grumbullimin dhe përpunimin e qumështit, duke u ardhur në ndihmë fermerëve dhe blegtorëve të zonës.

Kryetari i Bashkisë Elbasan, z. Gledian Llatja, zhvilloi një takim pune me përfaqësuesit e JICA-s dhe Fedinvest, ku u diskutuan hapat konkretë për zbatimin e projektit. Gjatë takimit u theksua rëndësia e këtij investimi për rritjen e vlerës së prodhimit vendas, forcimin e sektorit të bujqësisë dhe blegtorisë, si dhe krijimin e mundësive të reja ekonomike për komunitetin rural.

Baxhoja e re do të funksionojë sipas standardeve më të mira bashkëkohore, duke garantuar cilësi, siguri ushqimore dhe akses më të lehtë të fermerëve në treg. Projekti pritet të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e të ardhurave për familjet fermere, në zgjerimin e zinxhirit të vlerës së produkteve të qumështit dhe në nxitjen e sipërmarrjeve lokale.

Bashkia Elbasan mbetet e vendosur të mbështesë çdo iniciativë që i shërben komunitetit dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik. Investime të tilla përkthehen në vende të reja pune, ekonomi më të fortë lokale dhe cilësi më të lartë jetese për qytetarët.

Trajnim dy ditor për energjinë e gjelbër në ndërtesat publike, Elbasani një hap më pranë neutralitetit klimatik

Në kuadër të projektit “Energji e Gjelbër dhe e Qëndrueshme në Ndërtesat e Elbasanit”, të cilin Bashkia Elbasan po implementon në bashkëpunim me Urban Research Institute, u zhvillua trajnimi dy-ditor “Sistemet e Energjisë, Ndërtesat dhe Auditimi i Energjisë: Korniza Konceptuale dhe Analitike” me ekspertët e fushës Prof. Asoc. Saimir Kristo, Dr. Gerdi Papa dhe Ing. Ledio Kosta, partnerët tanë në implementim nga Organizata “Njerëz dheIde“.

Ky aktivitet synon forcimin e kapaciteteve të stafit të institucioneve publike si Bashkia Elbasan, Prefektura e Qarkut Elbasan dhe Këshilli i Qarkut Elbasan, duke shtuar njohuritë në përmirësimin e menaxhimit të energjisë në ndërtesat publike dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve ndaj qytetarëve.

#Një hap më pranë misionit të Qytetit drejt neutralitetik klimatik, pjesë e programin @NetZeroCities.