Muaj: Mars 2026
Elbasani ndez skenën me artistët më të njohur të vendit në Ditën e Verës 2026!
Elbasani po hyn në ditët më të bukura të vitit, aty ku tradita takohet me muzikën dhe festa merr përmasa madhështore. Në skenën e madhe të Sheshit Gensher do të ngjiten artistët më të njohur të vendit, duke e kthyer qytetin në epiqendrën e festimeve mbarëkombëtare.
Këtë vit, publiku do të shijojë performancat e zërave shumë të dashur për shqiptarët, Eranda Libohova, Eneda Tarifa, Era Rusi të cilat do të performojnë për tre net rresht, duke ndezur atmosferën me hitet e tyre dhe energjinë që i karakterizon.
Në organizimin dhe mikpritjen e artistëve është angazhuar edhe Gentian Myftaraj, duke i dhënë festës një dimension edhe më gjithëpërfshirës dhe profesional.
Kryetari i Bashkisë Gledian Llatja i ka pritur artistët në zyrën e tij, në një takim miqësor së bashku me Gentian Myftaraj, duke i ftuar të bëhen pjesë e festimeve të Ditës së Verës 2026 dhe të sjellin në Elbasan atmosferën festive.
📅 13 • 14 • 15 Mars
🌸 Dita e Verës 2026
📍 Vetëm në Elbasan
Nën kujdesin e kryetarit të Bashkisë, Gledian Llatja, festa rritet nga viti në vit, bëhet më e madhe, më e organizuar dhe më e frekuentuar. Qytetarë nga e gjithë Shqipëria dhe nga diaspora zgjedhin Elbasanin për të përjetuar atmosferën unike që vetëm ky qytet di të krijojë.
Ngjyrat e pranverës, aroma e ballokumeve, sheshet plot me jetë dhe muzika që kumbon deri në mbrëmje e bëjnë Elbasanin një arenë të vërtetë feste.
Sepse në Ditën e Verës, zemra e Shqipërisë rreh në Elbasan.
Vendime me fokus social, Këshilli Bashkiak mbështet shtresat në nevojë
Këshilli Bashkiak i Elbasanit në mbledhjen e tij të radhës mori një sërë vendimesh të rëndësishme sa i përket jetës sociale dhe ekonomike të qytetit.
Parlamenti i qytetit dhe Bashkia e Elbasanit kujdesen që investimet, por edhe shërbimet të shkojnë tek qytetari në mënyrë të barabartë, pavarësisht ku jeton.
Këshilli miratoi në unanimitet propozimin e Shërbimit Social, për vendosjen e personave në nevojë në qendrat rezidenciale.
Shërbimi social pasi vlerëson nevojat dhe kushtet në të cilat personi jeton propozon vendosjen në qendrat rezidenciale, vendim i cili më pas merret nga Këshilli Bashkiak.
Elbasani nis zbukurimin për “Ditën e Verës 2026”, qyteti vishet me ngjyrat e pranverës
Edhe pak ditë na ndajnë nga nisja e maratonës së aktiviteteve për “Ditën e Verës 2026”, festën më të dashur dhe më përfaqësuese të Elbasanit, ku tradita, ngjyrat dhe gëzimi bashkohen në një atmosferë unike që e dallon qytetin në mbarë vendin.
Rreth dy javë përpara 14 Marsit, qyteti ka nisur të marrë pamjen festive. Dekori pranveror po vendoset në akset kryesore dhe në qendër, ku mbizotërojnë lulet shumëngjyrëshe dhe simboli i kësaj feste, lulja e diellit. E çelur në çdo oborr, lulishte e park të qytetit, ajo paralajmëron ardhjen e stinës së re dhe ringjalljen e natyrës, duke u kthyer në imazhin më përfaqësues të Ditës së Verës në Elbasan.
Punonjësit e Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike po punojnë çdo ditë për instalimin e elementëve dekorativë, shtepizave karakteristike prej druri dhe hapësirave ku do të ekspozohen punimet tradicionale elbasanase. Artizanët vendas do të kenë mundësinë të prezantojnë mjeshtërinë e tyre, duke sjellë për qytetarët dhe vizitorët një atmosferë autentike panairi.
Sigurisht, kulinaria nuk do të mungojë. Ballokumja, simboli i kësaj feste pagane, së bashku me gatime të tjera tradicionale, do të jenë pjesë e tryezës së madhe festive që çdo vit mbledh mijëra vizitorë në Elbasan.
“Dita e Verës 2026” pritet të sjellë një kalendar të pasur aktivitetesh, koncerte dhe surpriza, duke e kthyer qytetin në një skenë të hapur feste. Elbasani po vishet me ngjyrat e pranverës dhe po përgatitet të mirëpresë, si çdo vit, festën që buron nga tradita shekullore dhe identiteti i tij.
Gati për festë, traditë, kulinari dhe plot koncerte!