Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 10 Prill 2026

Qindra besimtarë ortodoksë në Elbasan morën pjesë në procesionin e Epitafit.

Qindra besimtarë ortodoksë në Elbasan morën pjesë në procesionin e Epitafit, një nga momentet më të rëndësishme shpirtërore të kësaj periudhe.

Nën drejtimin e Mitropolitit të Elbasanit, Librazhdit dhe Shpatit, Imzot Andon Merdani, dhe të shoqëruar nga banda frymore “Afërdita”, procesioni përshkoi bulevardin kryesor të qytetit, duke sjellë një atmosferë solemne dhe reflektuese.

E Premtja e Zezë, apo e Premtja e Madhe, shënon vdekjen e Jezu Krishtit në Kryq dhe përkujtohet përmes riteve të veçanta si “Udha e Kryqit” dhe zbritja e Epitafit.

Kjo ditë simbolizon sakrificën dhe dashurinë e Krishtit për njerëzimin, ndërsa besimtarët e nderojnë me agjërim dhe lutje, në pritje të gëzimit të madh të Ringjalljes së Pashkëve.

Me sallën e re, “Onufri” bëhet qendër e artit dhe komunitetit në Elbasan

Kryetari i Bashkisë Gledian Llatja, së bashku me drejtoreshën e ZVA-së Vesa Liço, kanë inspektuar punimet e sallës së koncerteve në shkollën artistike “Onufri”.

Drejtori i shkollës, Ilir Zdrava, pohoi se punimet po ecin me ritme shumë të shpejta dhe se stafi është i kënaqur me këtë investim. Ambientet janë projektuar me parametra cilësorë që kërkon një sallë e tillë, duke përfshirë jo vetëm akustikën, por edhe kushtet për performancë artistike profesionale, ç’ka krijon një mundësi shumë të mirë për zhvillimin e aktiviteteve.

Skena është llogaritur për një orkestër simfonike mesatare, duke krijuar mundësi që të shfrytëzohet jo vetëm nga shkolla, por edhe nga qyteti. Ajo përfshin edhe një paraskenë, duke marrë parasysh faktin se shkolla “Onufri” ka disa lloje formacionesh, të cilat do të kenë fleksibilitet në performancat e tyre.

Parashikohet që punimet për sallën të përfundojnë brenda 10 ditësh.

Kryetari i Bashkisë tha se me sallën e re po përgatiten për festën e fëmijëve më 1 qershor në shkollën “Onufri”.

Ai shtoi se pas rikonstruksionit total që u realizua, në shkollë u krijua nevoja për mjetet përkatëse didaktike, por edhe për një sallë multifunksionale që shërben për aktivitete të ndryshme të nxënësve.

Llatja theksoi se të gjitha projektet e shkollave të reja përfshijnë një sallë multifunksionale, që shërben jo vetëm për nxënësit, por edhe për takime me prindër dhe komunitetin.

Salla e re po përshtatet me investimin e Bashkisë së Elbasanit, bazuar mbi kërkesat e shkollës, dhe pritet që në fillim të majit të jetë e gatshme për përdorim, duke plotësuar të gjitha nevojat e shkollës.

Me këtë investim, shkolla artistike “Onufri” plotëson gjerdanin e saj, duke u bërë një qendër e përbashkët për edukim, art dhe komunitet, ka shtuar Kryetari i Bashkisë.

Rezervuari i Qerretit: Harmoni mes natyrës dhe funksionit

I vendosur në fshatin Qerret, pjesë e Njësisë Administrative Labinot-Mal, Rezervuari i Qerretit është një nga veprat ujore më të rëndësishme të zonës, me një rol kyç në mbështetjen e bujqësisë dhe jetës së përditshme të komunitetit.

I ndërtuar për grumbullimin dhe menaxhimin e ujërave, ai shërben kryesisht për ujitje bujqësore, duke kontribuar drejtpërdrejt në zhvillimin rural dhe mirëqenien e banorëve vendas.

I rrethuar nga kodrina dhe terrene malore të mbuluara me gjelbërim natyror, rezervuari ofron një peizazh të qetë dhe relaksues, ku ndërthuren uji, natyra dhe ajri i pastër. Kjo e bën atë një destinacion tërheqës për vizitorët që kërkojnë qetësi, shëtitje në natyrë dhe momente çlodhjeje larg zhurmës urbane.

Përveç funksionit të tij praktik, ai është shndërruar në një hapësirë me vlera rekreative, e frekuentuar për ecje, pushim dhe fotografi, veçanërisht gjatë stinës së pranverës dhe verës.

Rezervuari i Qerretit përfaqëson një element të rëndësishëm të peizazhit natyror dhe jetës rurale, duke ndërthurur funksionin infrastrukturor me bukurinë natyrore dhe duke kontribuar në ruajtjen e ekosistemit lokal.

 Aksesueshëm në itinerarin: Elbasan – Labinot-Mal – Qerret