Shkolla speciale “Zëra Jete” merr kushte të reja për fëmijët me aftësi ndryshe.
Një shkollë e re me kushte bashkëkohore për fëmijët me aftësi ndryshe po merr formë në qytetin e Elbasanit.
Shkolla “Zëra Jete”, e vendosur në zonën pranë Kalasë po rikonstruktohet si një nga investimet më të rëndësishme sociale në arsim, duke synuar krijimin e ambienteve komode dhe të standardeve të larta për 55 fëmijë që frekuentojnë këtë shkollë nga mosha 6 vjeç deri në klasën e 9-të.
Punimet u inspektuan nga kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, drejtuesi politik i qarkut, Arbjan Mazniku, kryetarja e Këshillit të Qarkut, Ermira Urupi, si edhe deputeti Adi Qose.
Kryebashkiaku Llatja u shpreh se investimi do të sjellë kushte më të mira dhe më të sigurta për fëmijët. Ai shtoi se në godinë janë parashikuar ambiente të përshtatshme për fëmijët me aftësi ndryshe. ku përfshihen ashensor mekanik, rampa, sinjalistika për raste emergjente, duke theksuar se “janë të gjitha kushtet e përshtatshme sipas standardeve”.
Drejtuesi politik i qarkut, Arbjan Mazniku, vlerësoi projektin si një përmirësim të rëndësishëm në infrastrukturën arsimore për fëmijët me aftësi ndryshe. Ai shtoi se hapësirat e brendshme dhe të jashtme janë konceptuar për të ofruar ndërveprim dhe zhvillim më të mirë për fëmijët, ndërsa theksoi se vendndodhja pranë Kalasë e bën shkollën lehtësisht të aksesueshme për komunitetin.
“Është një përmirësim i jashtëzakonshëm i cilësisë infrastrukturore, ku edhe hapësirat e lojës dhe ndërveprimit funksionojnë shumë mirë,” u shpreh ai, duke shtuar se ky është një investim me ndikim të drejtpërdrejtë social.
Kryetarja e Këshillit të Qarkut, Ermira Urupi, u shpreh se investimi ka qenë një prioritet i kahershëm i kryebashkiakut Gledian Llatja i realizuar tashmë falë bashkëpunimit me Këshillin e Qarkut.
Ndërsa deputeti Adi Qose vlerësoi se ky është një kujdes i veçantë për fëmijët me aftësi ndryshe, duke shtuar se “investime të tilla e bëjnë Elbasanin një nga bashkitë me qasjen më sociale dhe gjithëpërfshirëse në vend”.
Shkolla ‘Zëra Jete’ ka një histori funksionimi në ish-Shkollën Normale, e vendosur në ambientet e Kishës “Shën Maria” në Kala, përpara se të zhvendoset në godinën e re, ku shumë shpejt fëmijët do të kenë shkollën e tyre të dedikuar, me kushte të përshtatshme për fëmijët.