Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 9 Maj 2026

Elbasani investon te teknologjia dhe inovacioni, startup-et do të kthehen në modele konkrete zhvillimi

Në ambientet e rikonstruktuara të shkollës “Onufri” u zhvillua takimi me djem dhe vajza të talentuara, fitues të programit të startup-eve për vitin 2025 dhe aplikantë për vitin 2026, me projekte premtuese në fushën e teknologjisë.

Në këtë takim ishte i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama dhe deputetët në Elbasan.

 Aktualisht, në vendin tonë numërohen 3 300 kompani të regjistruara në sektorin e teknologjisë, me mbi 21 mijë specialistë të punësuar, ndërsa paralelisht është rritur me 15% edhe numri i studentëve të regjistruar në degët e teknologjisë digjitale.

Gjatë fjalës së tij, Kryeministri nënvizoi rolin e teknologjisë në transformimin e tregut të punës dhe krijimin e mundësive për të rinjtë që të punojnë nga Shqipëria për tregun global, duke e cilësuar këtë periudhë si një moment të favorshëm për vendin në kushtet e zhvillimit të shpejtë digjital.

Rama tha se në Elbasan janë 27 shkolla me laboratorë inteligjentë, për t’u dhënë mundësi fëmijëve të hyjnë në botën e teknologjisë dhe kodimit që në hapat e parë të shkollimit.

Ai theksoi se përmes teknologjisë të gjithë mund të ëndërrojnë dhe të ndryshojnë të ardhmen e tyre dhe të komunitetit ku jetojnë, ndërsa shtoi se gjatë rrugëtimit mund të ketë edhe humbje, por ato duhet të shërbejnë si mësim për të fituar në sfidat e radhës.

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, gjatë fjalës së tij u shpreh se që në edicionin e parë të programit, Bashkia Elbasan së bashku me Këshillin Rinor ndërmorën një angazhim të madh për të informuar dhe orientuar të rinjtë drejt kësaj mundësie.

“Kur ishte edicioni i parë, ne së bashku me Këshillin Rinor morëm një ndërmarrje të madhe dhe filluam të informonim të rinjtë për këtë proces që ishte hapur në fazën e parë. Kur kujtoj Aldin, që kishte idetë e tij për zhvillimin e një biznesi, ishte si një premtim për ne që ta orientonim si bashki dhe të mbështesnim të rinjtë e tjerë. Ndaj më bëhet zemra mal kur sot ai thotë, ‘Jam CEO’, bashkë me grupin e tij”, tha Llatja.

Ai theksoi investimet e Bashkisë Elbasan në arsim dhe teknologji, duke nënvizuar se në qytet janë 15 mijë nxënës, ndërsa funksionojnë 27 laboratorë të teknologjisë së informacionit, ku 17 prej tyre janë rinovuar sipas standardeve më të mira dhe 10 të tjerë pritet të modernizohen së shpejti.

“Në dy gjimnazet tona kryesore kemi ngritur laboratorë të inteligjencës artificiale. Aktualisht, 2 951 nxënës përdorin rregullisht laboratorët e teknologjisë së informacionit dhe 923 nxënës përdorin laboratorët e inteligjencës artificiale. Të njëjtin model që kemi ndërtuar në qytet duam ta shtrijmë edhe në njësitë administrative dhe zonat rurale. Ky është një projekt që do ta vazhdojmë”, deklaroi ai.

Kryebashkiaku u ndal edhe te projektet inovative të prezantuara gjatë aktivitetit, duke falënderuar Qendrën Rajonale të Materialeve të Rinovueshme dhe partnerët mbështetës. Ai përmendi veçanërisht Fabjolën, e cila kishte ardhur nga Belgjika me një projekt inovativ për riciklimin e materialeve të dala nga minierat e aluminit.

“Falë kombinimit të tyre me karbonin dhe hirin, është arritur të krijohet një material që eliminon defektet e betonit dhe e kthen betonin e vjetër në beton të ri. Falënderoj të gjithë ata që kanë ardhur dhe kontribuar në këtë proces”, u shpreh Llatja.

Ai nënvizoi gjithashtu se Bashkia Elbasan do të vijojë bashkëpunimin me universitetin dhe qendrat kërkimore në qytet, me synimin që startup-et të kalojnë në investime konkrete dhe modele të suksesshme të ekonomisë qarkulluese.

“Po punojmë së bashku me bizneset që një pjesë e skorieve të industrisë së rëndë metalurgjike dhe të ferrokromit të gjejnë një model të mirë përdorimi në ekonomi, në mënyrë që ato që dikur kanë qenë problematikë për ne, të kthehen në modele të mira dhe zgjidhje për zhvillimin ekonomik jo vetëm të Elbasanit, por të gjithë Shqipërisë”, përfundoi kryebashkiaku i Elbasanit.