Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 11 Maj 2026

Elbasani në fokus të “EU4Municipalities II”, mbështetje për bashkitë drejt standardeve të BE-së

Në një takim të zhvilluar me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të qeverisjes vendore dhe qendrore, është prezantuar programi i ri “EU4Municipalities II”, një nismë që synon forcimin e kapaciteteve të bashkive në Shqipëri përmes investimeve dhe modernizimit të shërbimeve publike.

Në këtë panel ka marrë pjesë edhe kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, i cili theksoi rëndësinë e këtij programi në rritjen e efikasitetit të pushtetit vendor dhe afrimin e shërbimeve me qytetarët.

Programi “EU4Municipalities II”, i mbështetur nga Bashkimi Europian, fokusohet në disa drejtime kryesore, përfshirë përmirësimin e infrastrukturës lokale, digjitalizimin e shërbimeve dhe forcimin e kapaciteteve administrative të bashkive. Qëllimi i tij është rritja e cilësisë së shërbimeve publike dhe përafrimi i tyre me standardet europiane.

Në takim ka qenë i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama, i cili ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me Bashkimin Europian në mbështetje të qeverisjes vendore dhe zhvillimit të qëndrueshëm në territor.

Ky program pritet të sjellë më shumë mundësi financimi për bashkitë, si dhe të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së qytetarëve përmes projekteve konkrete në terren.

“EU4Municipalities II” vjen si vijim i një serie programesh të BE-së në mbështetje të reformës së decentralizimit dhe forcimit të qeverisjes vendore në Shqipëri.

Maratona Rinore 2026, 30 vite art dhe talent në Elbasan

Qindra të rinj nga gjimnazet e Elbasan rikthehen në skenën e Teatrit “Skampa” në kuadër të edicionit të 30-të të Maratonës Rinore, një prej ngjarjeve më të rëndësishme artistike që prej tre dekadash promovon talentin e brezit të ri në artet skenike.

Nën organizimin e Bashkisë së Elbasanit dhe Qendrës së Artit, aktiviteti sjell në skenë një festë të madhe rinore me këngë, kërcim, aktrim, recitim, prezantim dhe performanca të ndryshme artistike, ku nxënësit e shkollave të qytetit garojnë dhe shfaqin aftësitë e tyre krijuese.

⭐️ MARATONA RINORE 2026 – 30 Vjet ⭐️

📍 Teatri “Skampa”

🗓️ Kalendari i netëve konkuruese:

▪️ 12 Maj – Gjimnazi “Mahir Domi”

▪️ 13 Maj – Gjimnazi “Kostandin Kristoforidhi”

▪️ 14 Maj – Gjimnazi “Vasil Kamami”

▪️ 15 Maj – Gjimnazi “Ahmet Dakli”

▪️ 18 Maj – Gjimnazi “Dhaskal Todri”

▪️ 19 Maj – Shkolla Pedagogjike “Luigj Gurakuqi”

➡️ Pjesëmarrës:

Gjimnazi “Anastas Çakalli”, Kuqan

Shkolla Profesionale Elbasan

Gjimnazi Gjuhësor “Mahmud & Ali Cungu”

Shkolla “Jonuz Çarçiu”

👉 20–21 Maj – Gjysmëfinalet

👉 25 Maj – Finalja

Maratona Rinore mbetet një platformë e rëndësishme për zbulimin dhe promovimin e talenteve të reja, shumë prej të cilëve ndër vite janë bërë emra të njohur të skenës shqiptare.

Në krye të organizimit qëndrojnë: Kliton Kapaj (Drejtor Ekzekutiv), Edmond Rrapi (Udhëheqës Artistik), Ardit Serica (Drejtues Orkestre), Denis Blaceri (Koreograf), Mario Elezi (Regjisor), Helidon Gremi (Light Designer) dhe Ali Zena (Mjeshtër Zëri).

Maratona Rinore 2026 pritet të sjellë një edicion të veçantë jubilar, duke e kthyer skenën e “Skampa” në një festë të madhe të artit dhe rinisë së Elbasanit.