Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 19 Maj 2026

“Ahmet Dakli” dhe “Dhaskal Todri” elektrizojnë Maratonën Rinore

Në dy netët e fundit të Maratonës Rinore, skena e Teatri Skampa është pushtuar nga energjia, talenti dhe emocionet e të rinjve të qytetit.

Gjimnazet “Ahmet Dakli” dhe “Dhaskal Todri” kanë dhuruar mbrëmje spektakolare, duke sjellë performanca në muzikë, aktrim dhe kërcim, të cilat janë pritur me duartrokitje të gjata nga publiku.

Të rinjtë kanë treguar se përtej jetës shkollore, mbartin pasion, kreativitet dhe aftësi artistike që e bëjnë Maratonën Rinore një nga aktivitetet më të bukura për promovimin e talenteve të reja në Elbasan.

Atmosfera elektrizuese dhe emocionet në skenë kanë kthyer çdo natë në një festë të vërtetë arti dhe rinie.

Mbështetje për fermerët e Elbasanit, fokus te zhvillimi i bujqësisë dhe Skema Kombëtare 2026

Kryetari i bashkisë Elbasan Gledian Llatja së bashku me Ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Andis Salla dhe deputeten Evis Kushi, zhvilluan një bashkëbisedim me fermerët e zonave të Treganit, Shushicës, Gjergjanit dhe Shirgjanit, ku në fokus ishin sfidat e sektorit të bujqësisë dhe mbështetja për zhvillimin rural.

Gjatë takimit u diskutua mbi Skemën Kombëtare 2026 dhe instrumentet financiare të vendosura në dispozicion të fermerëve, me synim rritjen e prodhimit, formalizimit dhe konkurrueshmërisë së produkteve bujqësore shqiptare.

Përfaqësuesit theksuan rëndësinë e mbështetjes konkrete për ekonominë rurale dhe forcimin e produkteve #MadeInAlbania, duke nënvizuar bashkëpunimin me fermerët si një element kyç për zhvillimin e qëndrueshëm të zonës.

U nënvizua gjithashtu roli i rëndësishëm që ka marrë tashmë Unaza Bujqësore, e cila ka ndikuar ndjeshëm në lehtësimin e qarkullimit dhe tregtimit të produkteve bujqësore, duke rritur aksesin e fermerëve në treg dhe duke forcuar lidhjen mes zonave prodhuese dhe konsumatorëve.