Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 26 Maj 2026

Nxënësit e “Green School” prezantojnë projekte mbi bioplastikën

Nxënësit e “Green School” zhvilluan një aktivitet me temën “Bioplastika si gjuha e re e planetit”, ku prezantuan projekte inovative që ndërthurin shkencën, bioteknologjinë dhe artin në funksion të zgjidhjes së një prej sfidave më të mëdha të kohës modern, krizës së plastikës konvencionale.

Në aktivitet morën pjesë Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, deputetja Evis Kushi si dhe drejtoresha e Zyrës Vendore të Arsimit, Vesa Llanaj Lico, të cilët vlerësuan punën krijuese dhe angazhimin e nxënësve.

Përmes projekteve të tyre, nxënësit treguan se si koncepti i ekonomisë qarkulluese mund të zbatohet në praktikë, duke e kthyer mbetjen organike në burim të ri zhvillimi.

Çdo projekt ishte dëshmi se mund të krijojmë bukuri pa e dëmtuar Tokën, duke treguar se mbetjet nuk përfaqësojnë fundin e një cikli, por fillimin e një procesi të ri krijues, nga tekstilet  natyrale te instalacionet artistike, ku inovacioni shkon paralelisht me mbrojtjen e mjedisit.

Kryetari i Bashkisë, Gledian Llatja, vlerësoi nismën e nxënësve, duke theksuar rëndësinë e edukimit mjedisor dhe rolit të të rinjve në ndërtimin e një të ardhmeje të qëndrueshme.

Vijon ndarja e mbetjeve në burim në shkollat e Elbasanit

Sektori i Menaxhimit të Mbetjeve në Bashkinë Elbasan vijon zbatimin e projektit pilot për ndarjen e mbetjeve në burim, në bashkëpunim me shoqërinë Alko Impex. Në kuadër të këtij aksioni ka nisur shpërndarja e koshave të dedikuar në disa shkolla të qytetit, me synim ndërgjegjësimin e brezit të ri për mbrojtjen e mjedisit dhe menaxhimin e qëndrueshëm të mbetjeve.

Ky proces është pjesë e Planit Strategjik të Integrimit të Mbetjeve 2025–2030, si edhe kontratës së re të shërbimit të pastrimit 2026–2030, që synojnë përmirësimin e standardeve mjedisore dhe krijimin e një qyteti më të pastër e më të gjelbër.

Ndarja e mbetjeve në burim është një hap i rëndësishëm drejt reduktimit të ndotjes dhe rritjes së riciklimit, ndërsa është e rëndësishme  përfshirja e qytetarëve dhe bizneseve në këtë proces.

Bashkia Elbasan apelon që çdo qytetar të kontribuojë në ruajtjen e mjedisit, duke e konsideruar pastërtinë dhe kujdesin ndaj natyrës si përgjegjësi të përbashkët.