Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 28 Maj 2026

Gledian Llatja, takim me Shoqatën Austriake të Bashkive për shkëmbim eksperiencash në qeverisjen vendore

Kryetari i Bashkisë së Elbasanit Gledian Llatja, zhvilloi një takim me Presidentin e Shoqatës Austriake të Bashkive, Z.Johannes Pressl, dhe një delegacion të gjerë përfaqësuesish vendorë nga Austria, në kuadër të forcimit të bashkëpunimit dhe shkëmbimit të eksperiencave në fushën e qeverisjes vendore.

Bashkë me kryebashkiakët e Lushnjes e Shijakut Eriselda Sefa, Elton Arbana si dhe Drejtoreshën Ekzekutive e SHKBSH-së, Adelina Farrici ata diskutuan mbi organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore, kompetencat e bashkive, financimin vendor, si dhe sfidat dhe prioritetet e përbashkëta për zhvillimin e komuniteteve lokale në vend.

Ky takim përfaqëson një mundësi të vlefshme për forcimin e marrëdhënieve mes dy shoqatave homologe dhe për zgjerimin e bashkëpunimit në të ardhmen e afërt në funksion të mirëqeverisjes vendore.

Elbasani në fokus të BE për tranzicionin klimatik dhe transformimin urban drejt neutralitetit klimatik

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, me ftesë të Patrick Child, Drejtor i programit “EU Mission for Climate-Neutral and Smart Cities”, mori pjesë në një takim të nivelit të lartë me përfaqësues të Komisionit Europian, Bankës Europiane të Investimeve, NetZeroCities dhe kryetarë të qyteteve pjesë të këtij programi.

Takimi u zhvillua në kuadër të Cities Mission Conference 2026, e mbajtur në Torino, Itali, një forum ndërkombëtar i organizuar nga Komisioni Europian, NetZeroCities dhe Bashkia e Torinos, që bashkon mbi 100 qytete europiane për të diskutuar mbi të ardhmen e qyteteve inteligjente, inovacionin urban dhe objektivin e neutralitetit klimatik deri në vitin 2030.

Në fokus të diskutimeve ishte transformimi i Zonës Industriale të ish-Metalurgjikut dhe përmirësimi i lëvizshmërisë urbane dhe transportit publik, si pjesë e agjendës së qyteteve që synojnë tranzicionin drejt neutralitetit klimatik. Gjithashtu u trajtuan sfidat e financimit të projekteve ambicioze klimatike dhe nevoja për më shumë mbështetje europiane për qytetet në këtë proces transformimi.

Kryetari i Bashkisë Elbasan u shpreh se pjesëmarrja në këtë konferencë përbën një hap të rëndësishëm për forcimin e bashkëpunimit europian, shkëmbimin e eksperiencave dhe zhvillimin e projekteve të qëndrueshme për qytetin dhe komunitetin lokal.

Ai theksoi gjithashtu se kjo pjesëmarrje dëshmon rolin aktiv të bashkive në procesin e integrimit europian, si aktorë me projekte konkrete, zë në forume ndërkombëtare dhe përgjegjësi të drejtpërdrejtë ndaj qytetarëve.