AZHBR prezanton Skemën Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi 2026 në Elbasan
Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) zhvilloi një takim informues me fermerë dhe përfaqësues të sektorit të bujqësisë, ku u prezantuan masat mbështetëse dhe mundësitë e financimit që ofron Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi 2026.
Gjatë takimit u diskutuan kriteret e aplikimit, procedurat dhe dokumentacioni i nevojshëm për përfitimin e mbështetjes financiare në sektorët e blegtorisë, bletarisë, fermave organike, mekanizimit bujqësor, investimeve për fermerët e rinj dhe zhvillimit të fermave bujqësore.
Drejtoresha e Sektorit të Bujqësisë në Bashkinë Elbasan theksoi rolin mbështetës të bashkisë në orientimin dhe lehtësimin e procedurave për fermerët, duke garantuar asistencë dhe informacion për çdo aplikant që dëshiron të përfitojë nga kjo skemë. Ajo nënvizoi se Bashkia Elbasan mbetet e angazhuar për të qenë pranë komunitetit bujqësor, me qëllim rritjen e përfituesve dhe nxitjen e investimeve në sektorin e bujqësisë.
Bashkia Elbasan inkurajon të gjithë fermerët dhe subjektet bujqësore të aplikojnë dhe të përfitojnë nga mundësitë që ofron Skema Kombëtare 2026 për zhvillimin dhe modernizimin e aktivitetit të tyre.