Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 19 Qershor 2026

Trajnimi mbi Qeverisjen e Mirë bashkon në Elbasan përfaqësues të bashkive nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut

Përfaqësues të shtatë bashkive të Qarkut Elbasan dhe të bashkive të rajonit të Pelagonias morën pjesë në trajnimin dyditor mbi Qeverisjen e Mirë, i zhvilluar më 11–12 qershor në Elbasan.

Aktiviteti u organizua në kuadër të projektit “Krushevo dhe Elbasani – Udhëtim në Natyrë dhe Aventurë”, i financuar nga Bashkimi Europian përmes Programit IPA III të Bashkëpunimit Ndërkufitar Maqedonia e Veriut – Shqipëri.

Projekti zbatohet nga Bashkia Krushevë në partneritet me Qendrën për Zhvillim të Qëndrueshëm ALKA, si dhe nga Bashkia Elbasan në partneritet me Shoqatën “Tjetër Vizion”.
Gjatë dy ditëve të trajnimit, pjesëmarrësit shkëmbyen përvoja dhe praktika mbi qeverisjen e mirë, transparencën institucionale dhe pjesëmarrjen qytetare. Takimi shërbeu gjithashtu për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet njësive vendore dhe krijimin e rrjeteve të reja rajonale.

Në kuadër të aktivitetit, të ftuarit patën mundësinë të njihen nga afër edhe me potencialet turistike dhe kulturore të Elbasanit dhe zonave përreth, duke diskutuar mundësi për iniciativa të përbashkëta në të ardhmen.

Organizatorët vlerësuan se qeverisja e mirë mbetet një element kyç për zhvillimin e qëndrueshëm të komuniteteve dhe për forcimin e bashkëpunimit ndërkufitar mes partnerëve të projektit.

NJOFTIM PËR MEDIAT

Në kuadër të rregullimit të qarkullimit dhe ruajtjes së karakterit historik të zonës së Kalasë, njoftojmë se duke filluar nga data 01.07.2026 dhe në vijim, nuk do të lejohet hyrja e automjeteve në rrugët e Kalasë, me përjashtim të personave që janë rezidentë në këtë zonë.

Kjo masë synon të përmirësojë sigurinë, lëvizshmërinë dhe cilësinë e jetesës në zonën historike të Kalasë.

Ftojmë të gjithë qytetarët dhe vizitorët të respektojnë sinjalistikën dhe rregullat e reja të qarkullimit.

Faleminderit për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin.