Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 25 Qershor 2026

Nis dëgjesa e parë publike për rivitalizimin e Kalasë së Elbasanit

 Së bashku me Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), Studion Arkitekturore MVM dhe arkitektin Emre Arolat, zhvilluam takimin e parë me banorët dhe bizneset e lagjes Kala, duke hapur procesin e konsultimit publik për një nga projektet më ambicioze që është ndërmarrë ndonjëherë për zemrën historike të qytetit tonë.

Ky projekt synon jo vetëm restaurimin dhe ruajtjen e trashëgimisë sonë të çmuar, por edhe krijimin e një hapësire më funksionale, që do t’i japë Kalasë një dimension të ri zhvillimi, duke nxitur turizmin, artizanatin, kulturën dhe ekonominë lokale.

Kontributi i banorëve dhe bizneseve është thelbësor për suksesin e këtij projekti. Përmes dialogut dhe bashkëpunimit, do të ndërtojmë së bashku një Kala që ruan autenticitetin dhe historinë e saj, ndërsa i përgjigjet nevojave të së ardhmes.

Kalaja e Elbasanit është identiteti ynë. Së bashku do ta rikthejmë atë në zemrën historike, kulturore dhe turistike të qytetit, një hapësirë ku historia, tradita dhe zhvillimi ecin krah për krah.

“Funar Fest 2026”, një ditë mes natyrës dhe aventurës këtë të shtunë në zemër të Elbasanit

Funari mirëpret këtë të shtunë një nga aktivitetet më të dashura verore, Funar Fest 2026, një festë që bashkon natyrën, traditën dhe argëtimin në një nga destinacionet më të bukura natyrore të Bashkisë Elbasan.

Nën kujdesin e veçantë të Kryetarit të Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, kjo festë synon të promovojë më tej potencialin turistik të zonës së Funarit dhe ta kthejë atë në një pikë referimi për turizmin natyror dhe familjar.

Duke nisur nga ora 10:00, vizitorët do të kenë mundësinë të eksplorojnë bukuritë e Funarit përmes guidave natyrore, që do të ofrojnë një eksperiencë të drejtpërdrejtë me shtigjet, liqenet dhe peizazhet karakteristike të zonës.

Programi i festës do të shoqërohet me muzikë live, DJ, si dhe performanca të një live band me kitarë, duke krijuar një atmosferë festive në zemër të natyrës.

Përveç argëtimit, pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të shijojnë edhe panairin e produkteve lokale, ku do të ekspozohen ushqimet tradicionale dhe produktet karakteristike të zonës, duke promovuar ekonominë dhe traditat vendase.

Aktivitetet në natyrë, përfshirë kajakun në liqen dhe kampingun, do ta bëjnë këtë ditë një eksperiencë të plotë për të gjitha moshat, nga familjet te të rinjtë dhe turistët që kërkojnë aventura dhe qetësi larg qytetit.

Funar Fest është tashmë një traditë e konsoliduar që çdo vit tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë, duke e pozicionuar Funarin si një nga destinacionet më të rëndësishme të turizmit natyror në Elbasan.

Falë investimeve të viteve të fundit në infrastrukturë, si dhe zhvillimit të bujtinave dhe shërbimeve turistike, Funari po kthehet si një destinacion i preferuar për ata që kërkojnë qetësi, natyrë dhe eksperienca autentike larg zhurmës së qytetit.

Bashkia Elbasan fton qytetarët dhe vizitorët nga e gjithë Shqipëria të bëhen pjesë e kësaj feste, e cila bashkon natyrën, muzikën dhe traditën në një eksperiencë të paharrueshme verore.