Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 27 Qershor 2026

“Funar Fest 2026”, nis zbatimi i fazës së dytë të projektit ndërkufitar për turizmin e aventurës.

Qindra vizitorë nga Elbasani, qytete të tjera të vendit, por edhe turistë të huaj, u bënë pjesë këtë të shtunë e “Funar Fest 2026”, një nga aktivitetet më të rëndësishme verore që promovon natyrën, turizmin dhe traditat e zonës së Funarit.

Festa solli një atmosferë të gjallë me panairin e produkteve lokale, muzikë live, aktivitete sportive, kajak në liqen, kamping, guida në natyrë dhe shumë aktivitete të tjera që e kthyen Funarin në një pikëtakim të dashamirësve të natyrës dhe aventurës.

Përveç atmosferës festive, “Funar Fest 2026” shënoi edhe nisjen zyrtare të zbatimit të fazës së dytë të projektit ndërkufitar “Krushevë dhe Elbasan – Udhëtim në Natyrë dhe Aventurë”, i cili zbatohet nga organizata “Tjetër Vizion” në kuadër të Programit IPA III të Bashkëpunimit Ndërkufitar Maqedonia e Veriut – Shqipëri.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast mori pjesë edhe Kryetari i Komunës së Krushevës, Niko Choneski, duke konfirmuar bashkëpunimin e suksesshëm ndërmjet dy bashkive në zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm.

Faza e dytë e projektit parashikon ndërtimin e Parkut të Aventurës në Funar, sistemimin e parkimit dhe hapjen e 13 kilometrave shtigje të reja malore, të cilat do të jenë të aksesueshme për këmbësorët dhe çiklistët, duke pasuruar ofertën turistike të zonës.

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, u shpreh se Festa e Funarit është tashmë festa e miqve të Funarit, ndërsa këtë vit përkon edhe me një moment të rëndësishëm për zhvillimin e zonës.

“Sot kemi edhe një event tjetër të rëndësishëm, fillimin e fazës së dytë të projektit IPA Cross Border me Bashkinë e Krushevës. Është viti i dytë që miqtë tanë nga Krusheva marrin pjesë në aktivitetet tona dhe kjo tregon partneritetin e fortë që kemi ndërtuar.”

Llatja theksoi se Bashkia Elbasan ka realizuar një sërë projektesh të financuara nga Bashkimi Evropian, mes tyre qendrën e informacionit turistik, pajisje për biçikleta dhe kanoe, si dhe 60 kilometra shtigje malore që lidhin Elbasanin dhe Bradasheshin me Funarin.

“Sot nisim ndërtimin e Parkut të Aventurës, një investim që do ta bëjë Funarin edhe më tërheqës për turistët. Krahas kësaj, do të hapen edhe 13 kilometra shtigje të reja malore. Investimet tona në Funar kanë qenë të shumta, jo vetëm me fondet e Bashkimit Evropian, por edhe me fondet e Bashkisë Elbasan. Do të vazhdojmë të investojmë për një turizëm të qëndrueshëm që krijon zhvillim ekonomik për zonën.”

Nga ana e tij, Kryetari i Komunës së Krushevës, Niko Choneski, e cilësoi një nder pjesëmarrjen në Festën e Funarit dhe vlerësoi bashkëpunimin ndërkufitar mes dy bashkive.

“Është një kënaqësi e veçantë të jemi sot këtu, ndërsa së bashku nisim ndërtimin e Parkut të Aventurës, një investim që do të kontribuojë më tej në zhvillimin e Funarit si një destinacion modern për turizmin aktiv.

Projekti ‘Krushevë dhe Elbasan – Udhëtim në Natyrë dhe Aventurë’ është një tjetër rezultat konkret i bashkëpunimit të suksesshëm mes dy bashkive tona dhe një dëshmi se, duke punuar së bashku, mund të krijojmë mundësi të reja turistike, të nxisim zhvillimin lokal dhe të ndërtojmë një rajon ndërkufitar më të njohur dhe më tërheqës.”

Ai vlerësoi gjithashtu mbështetjen e Bashkimit Evropian përmes Programit të Bashkëpunimit Ndërkufitar, duke theksuar se investime të tilla po përmirësojnë infrastrukturën turistike, po krijojnë mundësi të reja ekonomike dhe po forcojnë lidhjet mes komuniteteve në të dy anët e kufirit.

Me investimet e realizuara ndër vite në infrastrukturë, zhvillimin e bujtinave, shtigjeve natyrore dhe tashmë me Parkun e Aventurës, Funari po konsolidohet si një nga destinacionet më të rëndësishme të turizmit natyror dhe aktiv në Shqipëri, duke tërhequr çdo vit gjithnjë e më shumë vizitorë vendas dhe të huaj.