Ambasadori i Arabisë Saudite nderohet me titullin “Mirënjohja e Qarkut Elbasan”
Këshilli i Qarkut Elbasan i akordoi sot titullin “Mirënjohja e Qarkut Elbasan” ambasadorit të Mbretërisë së Arabisë Saudite Fejsal Gazi Alhivsi, për mbështetjen e vazhdueshme ndaj projekteve sociale dhe humanitare në këtë qark dhe për kontributin e dhënë në nxitjen e dialogut ndërfetar dhe bashkëjetesës fetare.
Ceremonia u zhvillua në ambientet e Këshillit të Qarkut Elbasan, në prani të ambasadorit të Katarit, ambasadorit Mbretërisë së Arabisë Saudite Fejsal Gazi Alhivsi, kryetarit të Bashkisë Elbasan Gledian Llatja, kryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë Haxhi Bujar Spahiu, rektores së Universitetit “Aleksandër Xhuvani” Elvira Fetahu, si dhe përfaqësuesve të institucioneve vendore dhe fetare.
Kryetarja e Këshillit të Qarkut, Ermira Urupi, vlerësoi kontributin e ambasadorit së Arabisë Saudite Z. Fejsal Gazi Alhivsi, duke theksuar ndihmën e dhënë kryesisht për personat në nevojë dhe mbështetjen e drejtpërdrejtë për rreth 100 fëmijë në Qarkun e Elbasanit, përmes përfitimeve mujore të rregullta që kanë ndikuar ndjeshëm në përmirësimin e cilësisë së jetës së tyre.
Me propozim të Myftinisë Elbasan dhe Qendrës së Bashkëpunimit Ndërfetar, Këshilli i Qarkut vendosi akordimin e titullit “Mirënjohja e Qarkut Elbasan” me motivacionin:
“Për aktivitetin social dhe human, për kontributin e dhënë në nxitjen e shkëmbimeve kulturore dhe ndërfetare, duke promovuar dialogun, mirëkuptimin dhe bashkëjetesën ndërfetare në Qarkun e Elbasanit.”
Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, e cilësoi ambasadorin Fejsal Gazi Alhivsi një mik të madh të komuniteteve të qarkut. “Për shtresat në nevojë kemi gjetur gjithmonë mbështetje, veçanërisht për fëmijët që kanë pasur më shumë nevojë për ndihmë. Në emër të shtatë kryetarëve të bashkive të qarkut, shpreh vlerësimin maksimal për ambasadorin dhe Mbretërinë e Arabisë Saudite”, tha Llatja.
Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Haxhi Bujar Spahiu, u shpreh se ky vlerësim është një shenjë mirënjohjeje për ndihmën e vazhdueshme që Arabia Saudite i ka dhënë Shqipërisë ndër vite, si dhe për kontributin në promovimin e dialogut dhe harmonisë fetare.
Ndërsa rektorja e Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, Elvira Fetahu, theksoi se Elbasani mbetet një shembull i bashkëjetesës dhe harmonisë fetare, duke shprehur gatishmërinë për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit me institucionet saudite, veçanërisht në fushën e arsimit dhe rinisë.
Në fjalën e tij, ambasadori i Mbretërisë së Arabisë Saudite Z.Fejsal Gazi Alhivsi falënderoi institucionet vendore për këtë vlerësim, duke theksuar se e konsideron atë jo vetëm si një nder personal, por si një shprehje të sinqertë të miqësisë dhe bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
“Ky nderim pasqyron frymën e respektit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë mes dy popujve tanë miq. Qarku i Elbasanit përfaqëson një model të shkëlqyer të bashkëjetesës fetare dhe diversitetit kulturor. Riafirmoj angazhimin tim për të vijuar forcimin e marrëdhënieve të miqësisë dhe bashkëpunimit mes Mbretërisë së Arabisë Saudite dhe Republikës së Shqipërisë”, u shpreh ambasadori, Z. Fejsal Gazi Alhivsi duke falënderuar për mikpritjen.