Arsimi në fokus, gjimnazi “Dhaskal Todri” përgatitet për rikonstruksion tërësor
Gjimnazi i njohur “Dhaskal Todri”, një nga institucionet arsimore më të rëndësishme në qytetin e Elbasanit, do t’i nënshtrohet rikonstruksionit të plotë brenda vitit 2025. Ky investim i Bashkisë së Elbasanit vjen si përgjigje ndaj nevojave urgjente të nxënësve dhe stafit pedagogjik për ambiente më moderne dhe standarde më të larta mësimdhënieje.
Kryetari i Bashkisë, z. Gledian Llatja, bëri të ditur se përmes këtij projekti do të transformohen të gjitha hapësirat ekzistuese, duke krijuar kushte të reja bashkëkohore për zhvillimin e procesit arsimor.
Me rikonstruksionin e paralajmëruar, 607 nxënës dhe 42 mësues do të përfitojnë, klasat e mësimit të rinovuara dhe të pajisura me teknologji bashkëkohore, laboratorë funksionalë për shkencat natyrore,sisteme të përmirësuara të ngrohjes, dhe sigurisë, si dhe mjedise të jashtme të rehabilituara.
Bashkia e Elbasanit mbetet e përkushtuar në rritjen e cilësisë së arsimit dhe krijimin e kushteve sa më të mira për brezat e rinj, duke e kthyer shkollën publike në një prioritet të padiskutueshëm të zhvillimit të qytetit.