Arti dhe të rinjtë. Mbështetje për talentet që ruajnë kujtesën kombëtare
Gjinari, një nga zonat më piktoreske të Elbasanit, po bëhet gjithnjë e më shumë një vatër krijimtarie. Aty ka zgjedhur të punojë dhe të jetojë pjesërisht edhe Klevis Myrta, një skulptor i ri nga kjo zonë, i cili ka kthyer artin në një mision për ruajtjen e kujtesës kombëtare.
Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, zhvilloi një vizitë në punishten Klevisit, ku u njoh nga afër me disa nga veprat e tij më të fundit.
Gjatë vizitës, kreu i bashkisë i propozoi artistit të angazhohet me punime artistike për Muzeun e hapur të Gjinarit, një projekt që synon promovimin e trashëgimisë kulturore dhe natyrore të zonës. Po ashtu, Llatja e ftoi Klevisin të kontribuojë me vepra të tij edhe në shtëpinë e Aleksandër Xhuvanit në Kala, e cila aktualisht është në proces restaurimi, si edhe të hape një ekspozitë me punimet e tij.
“Janë të rinj si Klevisi që i japin vlerë jo vetëm artit, por edhe identitetit tonë kombëtar. Bashkia do të jetë gjithmonë pranë talenteve që duan të kontribuojnë për komunitetin,” u shpreh Llatja.
Edhe pse e zhvillon një pjesë të jetës dhe punës në Tiranë, Klevisi vijon të krijojë kryesisht në Gjinar, ku thotë se gjen frymëzim dhe qetësi. “Skulptura për mua është një poezi tredimensionale, që flet vetë, pa pasur nevojë për fjalë,” shprehet ai.
Elbasani vazhdon të mbështesë talentet e reja dhe të promovojë artin si pjesë të zhvillimit të qëndrueshëm lokal.