Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Arti lituanez në “Skampa 2025 Extension”, një natë e dytë e mbushur me reflektim dhe emocion

Në natën e dytë të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit “Skampa 2025 Extension”, publiku elbasanas pati mundësinë të ndjekë premierën e trupës lituaneze Artūras Areima Theater (AAT)me shfaqjen“Për një botë më të mirë”.

Drama zhvillohet në një realitet distopik të përfshirë nga lufta, ku mbijetesa shndërrohet në një betejë psikologjike, ndërsa publiku ftohet të reflektojë mbi mënyrën si shoqëria justifikon konfliktet dhe raportin e njeriut me natyrën – jo si pronë për t’u sunduar, por si një hapësirë e përbashkët që duhet ruajtur.

Një natë më parë, në Teatrin “Metropol”, trupa greke Dot Ensemble Theatre nga Selaniku prezantoi shfaqjen “Petrikora”, të frymëzuar nga balada ballkanike “Ura e Artës”, duke hapur rrugën për reflektime mbi marrëdhënien midis mitit dhe dilemave të sotme.

Përveç skenës teatrore, programi i festivalit ka përfshirë edhe artin vizual: në ambientet e Bibliotekës së qytetit është ekspozuar veprimi i Fetah Bizës me titull “Kujtesa e qytetit përmes artit dramatik”, një përpjekje për të lidhur kujtesën urbane me dramatikën dhe përvojat artistike të qytetit.

Ky është edicioni i 27-të i Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit në Elbasan, i cili nga viti në vit sjell trupa të huaja dhe vendase, duke e kthyer qytetin në një qendër të rëndësishme të dialogut kulturor. Mbështetja e vazhdueshme e Bashkisë Elbasan dëshmon rëndësinë që i jepet artit dhe jetës kulturore, duke e bërë festivalin një nga ngjarjet më të spikatura të kalendarit artistik shqiptar.