Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Bashkia dhe AADF nisin projektin BID, Kalaja e Elbasanit

Me mbështetjen e Fondacionit Shqiptaro–Amerikan për Zhvillim (AADF) dhe studion prestigjioze MVM Architecture, ka nisur puna për projektin BID, Kalaja e Elbasanit. Ky projekt synon të rikthejë kalanë në qendër të jetës kulturore e turistike të qytetit, duke e shndërruar në një destinacion atraktiv për qytetarët dhe vizitorët.

Në takimin e zhvilluar për nisjen e këtij projekti, Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, bashkë me partnerët e AADF dhe përfaqësues të MVM Architecture, prezantuan vizionin dhe drejtimet kryesore të ndërhyrjes.

Ky projekt do të përfshijë, rikualifikimin urban të hapësirave brenda kalasë, përmirësimin e infrastrukturës publike për vizitorët dhe banorët, ruajtjen dhe restaurimin e elementëve me vlerë historike e kulturore. Nxitjen e aktiviteteve kulturore e artistike brenda mureve të kalasë, mbështetjen e bizneseve të vogla tradicionale dhe promovimin e turizmit lokal.

Kryetari i Bashkisë, Gledian Llatja, u shpreh se “ky është një kapitull i ri për Elbasanin. Kalaja do të rikthehet në vlerat e saj maksimale, duke u bërë një pikë e fortë për identitetin historik dhe zhvillimin turistik të qytetit. Falënderoj AADF për mbështetjen dhe partneritetin në këtë projekt madhor.”

Ky investim shënon një hap të rëndësishëm për transformimin e Kalasë së Elbasanit në një qendër të gjallë të trashëgimisë, kulturës dhe turizmit.