Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Bashkia Elbasan nis fushatën “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës në Familje dhe me Bazë Gjinore”

Bashkia Elbasan, në bashkëpunim me aktorët lokalë, zhvilloi një aktivitet sensibilizues në kuadër të lançimit të fushatës “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës në Familje dhe me Bazë Gjinore”, e cila synon rritjen e ndërgjegjësimit dhe nxitjen e një debati të hapur në komunitet mbi këtë problematikë sociale.

Fushata, që do të zgjasë deri më 10 dhjetor, parashikon një sërë aktivitetesh informuese dhe ndërgjegjësuese, me fokus te Mekanizmi i Koordinuar i Referimit dhe te shërbimet mbështetëse që ofrohen në territorin e Bashkisë Elbasan për parandalimin, mbrojtjen dhe riintegrimin e rasteve të dhunës në familje.

Gjatë aktivitetit u theksua rëndësia e bashkëpunimit mes institucioneve, organizatave dhe komunitetit lokal për të garantuar një reagim sa më efektiv ndaj rasteve të dhunës, si dhe nevoja për informimin e vazhdueshëm të qytetarëve mbi kanalet e raportimit dhe shërbimet e disponueshme.

Fushata “16 Ditët e Aktivizmit” vjen si një apel i fortë për zero tolerancë ndaj dhunës dhe një angazhim i përbashkët për të ndërtuar një komunitet më të sigurt dhe më të drejtë për të gjithë, veçanërisht për gratë dhe vajzat.